Prokuroria kërkon dënim më të lartë për të dënuarin, mbrojtja kërkon rigjykim ose lirim nga akuza

06.04.2018 15:57:07

Ankesat e Prokurorisë Themelore në Prizren, në njërën anë dhe ajo e mbrojtjes së të dënuarit për grabitje, Mërgim Qatani, në anën tjetër, të ushtruara kundër aktgjykimit të Gjykatës në Prizren, janë shqyrtuar të premten nga Gjykata e Apelit.

Gjykata Themelore në Prizren, në dhjetor të vitit të kaluar, e kishte shpallur fajtor për grabitje të akuzuarin Qatani dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre vjetësh.

Në këtë dënim, sipas gjykatës së shkallë së parë, Qatanit i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 4 maji 2017 deri më 5 dhjetor 2017.

Të pakënaqur me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, kanë mbetur edhe prokuroria edhe mbrojtja e të akuzuarit Qatani, të cilët me ankesa i janë drejtuar gjykatës së shkallës së dytë.

Prokuroria aktgjykimin e shkallës së parë e ka atakuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim, me lartësinë e së cilit nuk është ndarë e kënaqur.

Sipas prokurorisë, me provat e administruara në shkallën e parë, pa mëdyshje është vërtetuar kryerja e veprës, mirëpo dënimi i shqiptuar sipas prokurorisë është i ulët.

“Shkalla e parë nuk ka marre parasysh rrethanat rënduese, sidomos intensitetin e kryerjes së veprës penale, peshën e veprës si dhe moshën e te dëmtuarës që është 77 vjeçare. Andaj, ne i propozojmë kolegjit të Apelit, që ndaj të akuzuarit të shqipton një dënim më të lartë.”, thuhet në ankesën e prokurorisë, e cila u lexua nga gjykatësi raportues për këtë rast, Xhevdet Abazi.

Ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, por me pretendime krejt tjera nga prokuroria, ka bërë edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Visar Ostrozubi.

Ky i fundit, aktgjykimin e shkallës së parë e ka atakuar për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit mbi dënim.

“Shkalla e parë ka bëre shkelje të shumta gjatë shqyrtimit gjyqësor, sidomos mos marrjen në pyetje të të miturit, i cili kishte qenë i përfshirë në grabitjen në fjalë. Ky i mitur ndaj të cilit është veçuar procedura, ka deklaruar se Mërgimi nuk e ka kryer veprën për të cilën akuzohet”, tha në fjalën e tij, avokati Ostrozubi.

Ballafaqimi me të miturin e përfshirë në këtë rast, sipas avokatit Ostrozubi është shumë i rëndësishëm pasi që edhe vet e dëmtuara ka deklaruar se personi me maskë që ka kryer grabitjen ka qenë me i shkurtë se sa i mituri i cili gjithashtu akuzohet për këtë grabitje.

Tutje, sipas mbrojtjes, gjykata e shkallës së parë nuk ka marr parasysh fare provat shfajësuese për të akuzuarin mirëpo vetëm ato prova që shkojnë në disfavor të të akuzuarit. Përkundër kësaj, mbrojtja pretendon se me asnjë provë nuk është vërtetuar se i akuzuari është kryes i veprës penale.

Andaj, për shkak se gjendja faktike nuk është vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë, avokati Ostrozubi, i propozoi kolegjit të Apelit që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza apo që çështjen ta kthen në rigjykim.

Ndryshe, Mërgim Qatani, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prizren, se më 1 shkurt 2017, rreth orës 4 të mëngjesit, duke përdorur forcën dhe kanosjen, ka hyrë në shtëpinë e të dëmtuarës Hadije Tasimder, të cilës ia ka marrë shumën e parave prej 6 mijë eurosh, stoli dhe një telefon mobil.

Sipas aktakuzës, i akuzuari së bashku me një person tjetër të mitur, kanë thyer xhamin e shtëpisë, ia kanë mbyllur gojën të dëmtuarës dhe të njëjtës, përveç parave, ia kanë marrë stolitë nga floriri dhe dy telefona mobilë, më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.