Prokuroria në Prizren kërkon hetim për rrënimin e objektit të trashëgimisë kulturore

21.12.2017 16:59:34
Prokuroria Themelore në Prizren pas reagimit dhe njoftimit publik nga Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit, për rrënimin e shtëpisë së familjes Myftiu, e klasifikuar si Monument Historik nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka autorizuar Policinë e Kosovës, që të ndërmerr veprime hetimore për mbledhjen e provave lidhur me dyshimin për veprën penale, nga neni 363 Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës dhe veprat tjera penale të mundshme kundër detyrës zyrtare.

“Prokuroria Themelore në Prizren, me qëllim të parandalimit të çdo ndërtimi të kundërligjshëm të vërejtur kohëve të fundit në Qytetin e Prizrenit, dhe për të mbrojtur Trashëgiminë Kulturore të Qytetit të Prizrenit, me datë 15.05.2017 përmes kërkesës PPN/I.Nr.103/17, ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Policia e Kosovës, Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, të ndërmerren urgjentisht, të gjitha masat e parapara ligjore nga Drejtoritë përkatëse të Komunës së Prizrenit, kundër të gjithë atyre që janë duke ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme si dhe kundër dëmtuesve të Trashëgimisë Kulturore në Qytetin e Prizrenit”, thuhet më tej në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

“Prokuroria e Shtetit, në veçantia Prokuroria Themelore në Prizren është e përkushtuar dhe e vendosur në mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të Qytetit të Prizrenit dhe i ftonë të gjithë qytetarët, organizatat dhe institucionet, që të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Shtetit më qëllim të parandalimit dhe luftimit të kësaj dukuri negative.” Përfundohet në këtë komunikatë.