Prokuroria ngre aktakuzë kundër dy sulmuesve të gazetarit Gazmend Morina

11.12.2016 19:12:48

Muajin e ardhshëm bëhen një vit nga sulmi i rëndë fizik që kishte pësuar gazetari i portalit veriu.info, Gazmend Morina. Ai ishte sulmuar nga dy persona në Vushtrri, njëri prej të cilëve ishte asambleist i PDK-së në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës.

Për shkak të këtij sulmi, që Morina thoshte se i është bërë me shufra hekuri, Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë ndaj sulmuesve. Aktakuza është ngritur më datë 20 korrik 2016.

Sulmi kishte ndodhur pasditen e 26 janarit 2016 në Vushtrri, derisa Morina ishte me veturën e tij në qytet. Morina kishte akuzuar menaxherin e ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava, se qëndron prapa sulmit, për shkak të shkrimeve hulumtuese të tij në lidhje me keqpërdorimet në këtë ndërmarrje. Ne mbrojtje të gazetarit Morina kishte dalë shefi i OSBE-së në Kosovë, AGPK dhe partitë politike – me përjashtim të PDK-së.