Prokuroria: Të akuzuarit detyruan të dëmtuarin të blejë ‘Porsche Panamera’ e ‘BMW X6’

22.04.2018 21:45:29

5 persona po përballen me akuzat e Prokurorisë për veprën penale të fajdesë e të detyrimit ndaj një personi.

Bajram Berisha, Ismajl Berisha, Faton Berisha dhe Ismet Berisha, së bashku me Nysret Berishën që gjendet në arrati, akuzohen se të dëmtuarit Besim Llugiqi i kërkuan para në emër të fajdesë, e detyruan të blejë makina si dhe t’ua japë banesën.

Në shqyrtimin e dytë gjyqësor të mbajtur pranë Departamentit të Krimeve të Rënda, avokatët e të akuzuarve kanë kërkuar nga Gjykata që aktakuzën e Prokurorisë ndaj të mbrojturve të tyre ta hedhë poshtë.

Avokati i Bajram Berishës, Ramiz Krasniqi, avokati i Ismajlit, Fanol Krasniqi, avokati i Fatonit, Bahtir Troshupa, si dhe avokati i Ismetit, Bekim Kafexholli, thanë se mbeten në tërësi pranë kërkesës për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës të dorëzuar në formë të shkruar në gjykatë, ku edhe sipas tyre është elaboruar se përse aktakuza është e pabazuar në prova.

Po ashtu, avokatët që klientët e tyre i kishin nën masën e arrestit shtëpiak, për arsye të ndryshme personale, kërkuan nga Gjykata që t’ i lirojë nga kjo masë dhe t’ua zëvendësojë me ndonjë masë tjetër alternative më të butë.

Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti, aprovoi kërkesën e mbrojtësve, kështu duke iu shqiptuar masën e paraqitjes në stacion policor njëherë në javë.

Pika e parë e aktakuzës ngarkon Berishajt se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të tani të dëmtuarit, Besim Llugiqit, në bazë të marrëveshjes paraprake edhe me të akuzuarin, Nysret Berisha, i cili gjendet në arrati, i kanë dhënë para me fajde, duke filluar nga muaji mars i vitit 2015, shkruan kallxo.com

Aktakuza sqaron se fillimisht i dëmtuari i blen nga dy të akuzuarit dy vetura me çmim prej 80.000 euro, në afat pagese prej dy muajsh, ku edhe pas disa ditëve arrin që t’ia paguajë 45.000 euro, ndërsa shumën e mbetur nuk ka arritur që ta paguajë brenda dy muajsh dhe nga muaji i vitit 2015, nga tani i dëmtuari kërkojnë kamatën javore të fajdesë deri në 3.000 euro në javë, ku deri në muajin janar të vitit 2016, i dëmtuari në emër të fajdesë u paguan të akuzuarve shumën prej 30.000 euro.

Tutje, gjithnjë sipas aktakuzës, nga janari i vitit 2016 e deri në korrik të 2017- ës, të akuzuarit e detyrojnë të dëmtuarin që nga ata të blejë veturat si “Porsche Panamera” në çmim prej 78.000 euro, si dhe “BMW X6” në shumë prej 37.000, “BMW X6” në shumë prej 40.000 euro, “BMW X6” në shumë prej 40.000 euro, “Audi A7” në shumë prej 37.000 euro, “Mercedes” në shumë prej 9000 euro, “Audi A5” në shumën 33.000 euro, dhe “VW Fayton” në shumë prej 6.000 euro, të cilat i dëmtuari më pas i ka shitur me çmime shumë të ulëta dhe të gjitha ato para ua ka dhënë të akuzuarve.

Përveç parave e veturave, Prokuroria pretendon se në muajin korrik të vitit 2017, i njëjti detyrohet t’ ua jep edhe banesën që gjendet në Fushë-Kosovë, në sipërfaqe prej 70 m2, duke bërë kompensimin e kamatave në shumë prej 25.000 euro dhe këtë banesë të akuzuarit ia kanë shitur një personi të tretë, si dhe shuma e përgjithshme që të akuzuarit kanë marrë nga i dëmtuari në emër të fajdesë arrin shumën prej 50.000 euro, ndërsa të pandehurit nga i dëmtuari kërkojnë edhe shumën prej 168.000 euro.

Me këto veprime, të akuzuarit pretendohet se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi me të akuzuarin Nysret Berisha kanë kryer veprën penale të fajdesë.

Ndërkaq, pika e dytë e aktakuzës i ngarkon të njëjtit me veprën penale të detyrimit.