Prokuroria: Zyrtari i policisë u premtonte viktimave punësim në KEK

02.03.2018 14:37:49

Bajram Bytyqit, zyrtarit të stafit civil të policisë i është caktuar paraburgimi.

Zyrtarit të stafit civil të Policisë së Kosovës, Bajram Bytyqit, i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej një muaji.

Prokuroria po pretendon se Bytyqi u ka premtuar tre personave punësim në KEK në këmbim të parave.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën për caktimin e paraburgimit ku shpjegohen veprimet që Prokuroria pretendon se Bajram Bytyqi ka mashtruar tre persona duke iu premtuar punësim në KEK me arsyetimin se “ha dreka e darka” me drejtorin e KEK-ut.

Ky premtim sipas Prokurorisë është bërë në këmbim të parave, si dhe kthim të parave në rast se nuk punësohen.

Bytyqi për veprimet e përshkruara të Prokurorisë po pretendohet se ka kryer dy vepra penale, të mashtrimit dhe atë të ushtrimit të ndikimit.

Veprimi fillestar inkriminues, sipas Prokurorisë, është kur i pandehuri nga të dëmtuarit paraprakisht ka kërkuar shuma të parave, ndërkaq pas nënshkrimeve të kontratave të punës të dëmtuarit kanë pasur për obligim t’u japin pjesën tjetër të parave.

Rrjedhimisht, pretendohet i pandehuri ka ushtruar ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar meqenëse për këto shuma parash ka thënë se do të kontaktojë drejtorin e KEK- ut dhe Bordin e KEK- ut me qëllim që t’i bindë për t’i punësuar tre të dëmtuar, ndonëse ky ndikim nuk është realizuar.

Sa i përket veprës penale së mashtrimit, sipas Prokurorisë, dyshimi i bazuar se është kryer kjo vepër qëndron në manifestimin e veprimeve të Bajram Bytyqit me paraqitjen e fakteve të rreme, përmes së cilave ka synuar dhe realizuar përfitim të kundërligjshëm pasuror për vete e nga ana tjetër u ka shkaktuar dëm material tre të dëmtuarve: Xh.C., P.B. dhe F.K..

Më tej, Prokuroria shpjegon se si Bytyqi u ka thënë të dëmtuarve se njihet mirë me drejtorin e KEK- ut, Arben Gjukën, sepse me të “ha dreka e darka”, “kjo punë ka me u kry brenda një muaji, eventualisht dy muaj, e nëse nuk kryhet puna kthehen paret” dhe se “Bordi i drejtorëve të KEK- ut kanë qejf m’i marrë ka 500 euro për person për mu kry puna”.

Dobia pasurore e kundërligjshme që Prokuroria pretendon se ka fituar Bytyqi si pasojë e mashtrimit manifestohet me atë se tre të dëmtuarve u ka premtuar punësim në KEK në këmbim të 5.000 eurove veç e veç, që në total bëjnë 15.000 euro mirëpo ua ka marrë vetëm nga 2.000 euro, që në total bëjnë 6.000 euro.

Ndërsa për 3.000 eurot e tjera, sipas prokurorisë, u ka thënë se do t’i marrë pas nënshkrimit të këtyre kontratave.

“Qysh në dhjetor të vitit 2015 ju ka premtuar tre të dëmtuarve që do të punësohen në KEK brenda 1-2 muajve bashkë me pronarët e tokave të shpronësuara në Hade dhe Shipitull sepse edhe emrat e këtyre tre të dëmtuarve figurojnë në atë liste. Mirëpo, ndonëse nga ajo kohë e deri më tani, kur është arrestuar dhe ndaluar i pandehuri kanë kaluar mbi dy vjet, nuk është punësuar asnjëri prej të dëmtuarve në KEK”, thuhet në kërkesën për paraburgim.

Ndryshe, gjykatësi i procedurës paraprake Isuf Makolli pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit Feti Tunuzliu për caktimin e paraburgimit ndaj Bajram Bytyqit në kohëzgjatje prej një muaji.

Në aktvendimin për caktim të paraburgimit të cilin e ka siguruar KALLXO, bëhet e ditur se Bytyqi ka kundërshtuar kërkesën e prokurorit për paraburgim, derisa ka mohuar të ketë kryer veprat penale në fjalë, si dhe ka deklaruar se të hollat në fjalë vetëm i ka huazuar e më pas i ka kthyer.

i pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, IPK dje i ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e këtij zyrtari.