Propaganda kundërkombëtare që po legjitimon krimet serbe kundër shqiptarëve

19.11.2016 16:57:28

Nga Rexhep Kastrati

Propaganda fejsbukiste ka shkuar deri aty sa të barazojë institucionet e shtetit të Kosovës me të Serbisë së kohës së Milosheviqit. Dhe ky është akt i pastër kundërshtetëror dhe kundërkombëtar, sepse as vetë Serbia nuk po e krahason veten me kohën e Milosheviqit, sepse regjimi i Milosheviqit ka qenë regjim që dhunën, krimin terrorin dhe gjenocidin i ka pasur institucionale dhe kundër popujve të tjerë. Të krahasosh shtetin e Kosovës me regjimin e Milosheviqit, është të arsyetosh të gjitha krimet e bëra nga Serbia, do të thotë të arsyetosh të gjitha pretendimet e Serbisë kundër Kosovës. Vetëm pak ditë më parë, Daçiq akuzoi Kosovën për krime ndaj serbëve, por të cilat vetë Serbia i kishte bërë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve. Askush pos sektës okulte dhe këtyre falangave fejsbukiste nuk ka krahasuar Kosovën me regjimin e Milosheviqit, me çka më shumë se kushdo tjetër ka kontribuar në komprometimin e Kosovës në botë, në barazimin e krimeve serbe me krime individuale të individëve të ndryshëm. Në këtë mënyrë, është bërë më e qartë se kurrë se sekta okulte e Albinit dhe këta që bëjnë propagandë fejsbukiste, nuk janë në shërbim tē interesave shtetërore dhe kombëtare, por në interes të Serbisë dhe në funksion të skenarëve serbo-rusë kundër Kosovës dhe kundër paqes dhe stabilitetit rajonal. Së këndejmi edhe krahasimi i vetëvrasjes së Astritit me vrasjet që kanë ndodhur gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, është legjitimim i krimeve të tilla të kryera nga Serbia. Është e qartë se krahasime të tilla nuk mund të bëhen, sepse me asnjë argument nuk është konfirmuar vrasja e Astritit në burg, por përkundrazi janë të gjitha argumentet se Astriti ka vrarë veten. Edhe vetë Tomë Gashi ka mohuar që Astriti të ketë vdekur nga shenjat e dhunës që janë vërejtur në kokën dhe trupin e tij. “Nuk ka pasur kurrfarë shenja të dhunës në fytyrë. Ka pas shenja të dhunës në kokë dhe disa lëndime tjera në trup, por që ato nuk kane qenë vdekjeprurëse”.  E këto, Toma i ka thënë shumë kohë pas kryerjes së autopsisë së trupit të Astritit, gjatë të cilit kishte asistuar edhe vetë ai. Pra, Astriti, edhe sipas Tomës nuk ka vdekur nga dhuna. Kurse ushtarët shqiptarë ktheheshin në arkivole dhe pas kqyrjes së trupave të pajetë të tyre, konstatohej se i kishin vrarë. Pra, është e qartë se me vetëdie të plotë bëhet një propagandë kundërkombëtare me qëllim komprometimin e shtetit dhe nxitjen e turmave për ta përmbysur atë.