Propozohen emrat/ Formohet Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhim të Pandemisë – Covid -19

04.06.2020 11:11:03
Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi ka thënë se si LVV e përkrahin formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Selimi ka thënë se nuk janë kundër asnjëlloj hetimi qoftë edhe ai parlamentar.

LVV ka propozuar që ky komision të drejtohet nga Mimoza Kusari-Lila, dhe anëtarë të jenë Labinotë Demi-Murtesi dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Në anën tjetër Ilir Ferati nga LDK ka thënë se është e nevojshme që të themelohet ky Komision Hetimor Parlamentar.

LDK ka propozuar për anëtarë të këtij komisioni Ekrem Hysenin, Ilir Feratin dhe Rasim Demirin.

Në emër të PDK-së, Uran Ismajli ka thënë se vdekja tragjike e të riut Agon Musliu në Qendrën e Studentëve, ka qenë shkas që kanë kërkuar formimin e këtij komisioni.

PDK ka propozuar si zëvendëskryesuese të këtij komisoni Eliza Hoxhën dhe për anëtar Bekim Haxhiun.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar Albena Reshitaj për anëtare të këtij komisioni.

Nga Nisma Socialdemokrate është propozuar Endrit Shala që të jetë pjesë e këtij komisioni kurse nga Lista Serbe është propozuar deputeti Millosh Peroviq.