Protestohet me moton “Të qeshim me zë të lartë”

22.07.2019 09:43:21

Një grup i të rinjve organizon një protestë me moton “Të qeshim me zë të lartë, Prishtina ka nevojë për të qeshurat tona”, pas gjobës së shqiptuar ndaj një qytetareje të Prishtinës nga policia vetëm pse ka qeshur.

Me rastin e gjobës së shqiptuar ndaj qytetares së Prishtinës, Aida Gashi, për të qeshurat e saj, grupi ‘Të Qeshim së bashku”, organizon një protestë “qesharake”, me moton “Të qeshim me zë të lartë, Prishtina ka nevojë për të qeshurat tona”

Policia e Kosovës ka dënuar ditë më parë një grua në Prishtinë me gjobë 100 euro.

Shkak i dënimit ishte se, sipas policisë, Aida Gashi ka qeshur me zë të lartë në mesnatë.

E në shenjë të solidarizimit me të, njëkohësisht, dhe të talljes me gjobën, një grup të rinjsh në Prishtinë, ka organizuar “Të qeshim me zë të lartë, Prishtina ka nevojë për të qeshurat tona”, e cila do të mbahet në orën 23:30, për të protestuar duke qeshur me zë të lartë në sheshin “Zahir Pajaziti”.

“Me rastin e gjobës së shqiptuar ndaj qytetares së Prishtinës për të qeshurat e saj, kemi vendosur që në mënyrë ‘qesharake’ të dalim dhe të qeshim të gjithë së bashku”, thuhet në njoftimin e tyre.