Protestuesit e pakënaqur me dorëheqjen e Grabovcit, kërkojnë rrëzimin e Qeverisë

16.08.2016 19:31:09

Për të katërtën herë me radhë qytetarët kanë protestuar kundër Qeverisë pas ëprgjimeve të publikuara në media ku protagonistë kryesorë janë Adem Grabovci dhe zyrtarë të lartë të PDK-së.

Protesta filloi në sheshin “Zahir Pajaziti’ për t’u ndalur te Teatri Kombëtar me ç’rast u bë thirrje që edhe herave të ardhshme të ketë protesta të tilla.

#Protestoj janë një grup qytetarësh të cilët të pakënaqur me qeverisjen e tanishme po vazhdojnë me protesta me qëllim të rrëzimit të kësaj qeverie.

Protestuesit gjatë marshimit nëpër sheshet e Prishtinës, sapo kuptuan se Adem Grabovci ka dhënë dorëheqje nga posti i shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së kanë filluar të duartrokasin dhe brohorasin “Adem Pronto Grabovci ka dhënë dorëheqje”.

Njëri nga organizatorët Hajrulla Çeku nga “Ec ma Ndryshe” tha se protesta do të vazhdohet derisa të realizohen të gjitha kërkesat e qytetarëve.

Ai më tej tha se këto përgjime po dëshmojnë që ky vend është vend i krimit dhe i korrupsionit.

“Këtyre iu ka ardhur fundi dhe neve na takon me ia dhanë shtytjen përfundimtare. Po e mbajmë protestën e katërt dhe do të vazhdojmë kështu deri në fund, derisa të realizohen të gjitha kërkesat. Jo vetëm me protesta në rrugë, por edhe me aksione edhe me veprime te tjera. ‘Protestoj’ do të jetë këtu në rrugë në sheshet e Prishtinës dhe qyteteve të tjera të Kosovës. Beso të gjithë e keni dëgjuar përgjimin më të ri të sotëm ‘Pronto’. Në këtë përgjim dëshmohet edhe një herë që ky vend është vend i krimit, i korrupsionit, i kapjes së shtetit, i rrugaçërisë dhe i shkatërrimit të Republikës. Këta njerëz gjatë gjithë kohës sa kanë qëndruar dhe po vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet nuk kanë bërë asgjë tjetër, përveç se kanë shkatërruar dhe po vazhdojnë ta shkatërrojnë këtë Republikë, dhe gjithmonë në dëm edhe në kurriz të qytetarëve. Nuk kemi me lejuar tà « vazhdojë kështu, sot dhe tutje ‘Protestoj’ nuk do të ndalet”, tha Çeku.

Ai tha se nuk mjafton vetëm dorëheqja e Grabovdit sepse nuk është vetëm një individ, por është një bandë e tërë apo një grup kriminelësh që po e shkatërrojnë vendin.

Çeku tha se prapa kësaj proteste qëndrojnë qytetarët e pakënaqur, ndërsa përpara qëndron ideali për një Kosovë të lirë.

“Dorëheqja nuk mjafton. Grabovci nuk mjafton , sepse nuk është vetëm një Grabovc, nuk është vetëm një individ, ketë janë një bandë , një strukturë, një grup i tërë i organizuar kriminel që po e shkatërrojnë këtë vend. Ky është një rrjet i gjerë i kapësve të shtetit prandaj edhe përgjegjësitë duhet të jetë kolektive. Që sot e tutje le të harrojnë që kanë me mundur me bë çka të donë edhe qytetarët me e shukat. Nuk kemi me hesht sepse boll ma. Për të gjithë ata që ditëve të fundit kanë bërë pyetje rregullisht, edhe janë interesuar për me ditë se kush qëndron prapa “Protestoj”. Përgjigja është askush, nuk ka nevojë askush me qëndruar prapa qytetarëve. Ne sot të gjithë qëndrojmë pranë dhe prapa njeri tjetrit vetëm si qytetar të organizuar dhe asgjë tjetër. Ne nuk kemi asgjë prapa , por përpara e kemi idealin për një Kosovë më të mirë”,tha Çeku.

Çeku tha se ‘Protestoj’ është bashkim i të gjitha grupeve të pakënaqura të kësaj shoqërie dhe i gjithë atyre që e duan një vend më të mirë dhe nuk pajtohen me qeverisjen e ‘pronto mafisë’ në Kosovë.

Organizatorët kanë thënë se rezistenca qytetare është forma e fundit që ka mbetur në dispozicion, sepse mjetet tjera u janë marrë.