Prozë nga Fatmir Terziu: Bie vesë e hollë në tokën Arbërore

08.08.2018 12:34:49

 

Nga larg vinin valët e një kënge të lashtë. Vinin drejt e në vesh, por disi ngatërruar. Disi alarmuese. Ishin fjalë të një gjuhe të rrjedhshme, por që bëhej mjaft e prekshme. Edhe pse vështirë të kuptohej lehtë, fjalët e asaj kënge të bënin për vete. Përsëritej herë pas here:
“Bie vesë e hollë në tokën Arbërore….”
Dhe sërrish në përhumbjen grarore të fjalëve të kësaj kënge, refreni të bënte për vete:
“Bie vesë e hollë në tokën Arbërore…. …”.
U ndala një çast dhe i propozova, Meçes, djalit të vogël të Nuhi Karamuçës që të pushonim pak. Lidhëm kuajt në dy degë të forta thanash dhe vetë bëmë më tej nga kodra e vogël, që ndante thuajse dy zona. Vetë horizontet, që qafonin ato anë e bënin të dukshme këtë gjeografi.
“E çuditshme”- fola me vete. “Si është natyra… Dy gropa të thella, si dy zgavra sysh në këtë hapësirë të begatë.”
“Fole…, gjë me mua?”- më tha, Meçja dhe si në një interval kohe përmblodhi tërë dilemën e tij për këtë nuhatje të pëshpërimës sime.
“Jo, por desha të të pyes diçka…”
Ishte kohë dasmash. Uji duhej më shumë se kurrë. Duhej bluar mielli. Duheshin vënë në punë gurët e rrëndë e të mëdhenj të mullirit të Haxhiajve. Ishte i vetmi mulli që bluante bulgurin. Bulguri ishte një ushqim që zëvendësonte orizin. Ai bëhej supëra. Ai gatuhej pilaf. Ai ishte edhe për mbushje, për byrekë të ndryshëm. Ai thuajse ishte edhe një detyrim i gatimeve dasmore. Gruri respektohej shumë në ato anë. Në stinën e dasmave mulliri dhe gruri ishin më të lakuarit. Ai kërkonte stil të veçantë, por edhe një lloj gruri të veçantë. Fara e tij mbahej me kujdes dhe e veçantë. Ai ishte gruri durum. Thuhej se farën e tij e kishin sjellë qëmoti. Kishte ardhur nga Armenia. Por jo vetëm gruri duhej të kishte këtë përkujdesje edhe gurët e bluarjes së tij ishin të veçantë. Ato latoheshin nga specialistë dhe përdoreshin vetëm për të bluar atë.
Kështu gruri dhe guri në këto anë kishin një përkujdesje të dyfishtë, edhe atë natyroren por edhe më njerëzoren. Seç i kishin huazuar njeri-tjetrit në atë anë? Bulgur?! Vetë kjo fjalë kishte ‘gurin’ në gjirin e saj. Dhe guri ishte ajo cilësi që i jepte bulgurit të fortën, por të lehtën në të gatuar. Netëve të gjata kur bluhej bulguri dëgjoja të këndohej ajo këngë të cilën më parë ti e kishe në vesh:
“Bie vesë e hollë në tokën Arbërore…. …”. Kur pyesja më të vjetrit më thoshin se ne e kemi ndër këngët më të mira e më të bukura të të gjitha kohërave. Ishte kënga që ishte trashëguar si një hymn për brezat dhe brez pas brezi këndohej në dasma dhe në bluarjen e bulgurit.
“Na e kanë kënduar trimat tanë, trimat e Gjergjit tonë të Madh, Skënderbeut,” – të thoshin ata gati njëzëri.
Lidhej me shiun, por edhe me vendin dhe origjinën tonë të nëpërkëmbur e të djegur kohërave. Kështu kur i këndohej bulgurit, lotët vinin vetë. E unë as që e kuptoja atëherë. Tani e shoh se ajo është krenari, djersë, punë, pavarësi, identitet… Është një këngë që i këndohej bukës dhe tërë jetës në trashëgiminë e saj. Bulguri ishte buka dhe tërë forca me të cilën gatuhej e rritej vetë jeta… Në stinë të ndryshme ai gatuhej dhe përgatitej edhe me polenë lulesh, me shurupe të ndryshme qershish dhe skuqej e gatuhej enkas për miq të shtresës së pasur në forma të ndryshme.
Kur unë dëshiroja të shuaja kurreshtjen time me pyetje të llahtarisura, xhaxhai i tim eti, gati njëqind e sa vjeçar më shuante kureshtjen qetësisht e më përhumbte mes fjalëve të tij tërheqëse dhe tejet interesante…
“Dëgjo bir, koha ikën shpejt, po nuk e bëre atë të flas për kohërat që vijnë ajo vdes. Bashkë me kohën që vdes, vdes edhe jeta, vdes edhe ardhja jonë në këtë botë… S’ka vdekje më të madhe kur të ikën vetvetja…”, – më shtronte ai lehtë e lehtë në tregimet e tij tërheqëse. Dhe unë përhumbesha.
Atë mot dëbora kishte bërë zullum të madh. Ushtritë e largqoftit kishin bërë kasaphanë tek Tre Lisat e Damllosur. Fshatrat e Rekës dhe tërë Drimit të Poshtëm, madje edhe ato të Radikës kishin bërë gati e paketuar çdo gjë. Delet, dhitë, lopët e gjithë gjëja e gjallë ishin gati për udhë. Kishte vite që bëhej kjo punë. Vinte dushmani tinëz. Na digjte. Na përvëlonte, bir. Na përvëlonte. Kuajt e tij ishin të tërbuar. Ishin lemeritës. Ne ama, kishim një armë më të fuqishme se ai. Dhe ai shumë gjatë nuk e zbuloi dot atë. Bëri e çfarë nuk bëri të zbulonte sekretin tonë. Paguante flori të kishte në anën e tij atë sekret… Të parët tanë mblidheshin lart tek Bunari. Aty kishin gurët. Aty kishin edhe bulgurin dhe kështu, muajt kur trimat mbanin fort Sfetigradin dhe tërbonin Sulltanin, nuk i linin të vdisnin. Mbaheshin fort me bereqetin e fortë. Bulguri rronte gjatë dhe u jepte forcë. Pastaj shkrirja e dëborës sillte lule të shëndetshme dhe Lulemaloret u jepnin polen të pastër. Ai ishte ilaçi më i mirë që i bënte trimat tanë të fortë. Të pathyeshëm. Por kjo nuk zgjati shumë. Sulltani i tërbuar pagoi shumë të zbulonte të fshehtën e ushqimit tonë.
Në ato zona martesat bëheshin mes fshatrave larg. Qëllonte radhë e mjaft radhë të martoheshin brenda fshatit. Ishin lidhur aq shumë me njëri-tjetrin sa u dukej se ishin shumë gjak me njëri-tjetrin. Prandaj shkonin fshatrave të lidhnin krushqitë. Djemtë dhe vajzat njiheshin festave dhe kështu kulturat kryqëzoheshin, por edhe ushqimet e tradita këmbeheshin. Ja përshëmbull deri vonë, ne u jepnim atyre të Gjinovecit, bulgur dhe prodhime të ndryshme frutore e ata na jepnin patate. Kështu ndodhi dhe atëherë, kur dikush nga një fshat tjetër i tregoi të deleguarit të fshehtë të Sulltanit formulën e ushqimit tonë. Që atëherë bulguri u bë ushqimi më kryesor i ushtrisë së tij dhe u përhap në të gjitha rajonet ku shkelte Sulltani.
“Si është mbajtur kjo kaq e fshehtë? Të paktën si s’e ka zbuluar më parë dikush?” – eh interesante, tepër interesante, fola unë dhe nisa të mbaj disa shënime.
“Gjuha, gjuha e ka fajin. Është njohur kjo, por nuk kanë guxuar ta shkruajnë se kanë patur frikë nga gjuha. Është gjuhë tjetër tashti në këto anë. Është gjuha që i mjegullon gjërat. Por …”
“Shprehu… shprehu…”
“Ajo që ka ndodhur i ngjan një klithme. Një klithmë që vjen nga larg, ose ndodh aty dhe askush nuk e dëgjon dhe ti mendon se e dëgjon ndonjeri. Jo. Askush. Nuk e dëgjon, madje e largon me qëllim. Është një klithmë që vjen nga këta gurë, nga këta drurë, nga gjaku i derdhur për këtë tokë. A e dini se sa gjak është derdhur këtu për të mbrojtur identitetin arbëror? A nuk mjafton ajo këngë e lashtë. E lashtë sa vetë kjo jetë këtu?”
Në çast ishte ndërhyrja e Nuhiut. Një ndërhyrje me takt…
“Klithmojmë ndonjëherë edhe në ëndërr. Edhe me veten e bëjmë këtë klithmëri deri në pëlcitje. Sakaq klithmën s’është e thënë të na e kenë ndjerë edhe të tjerët. As vetë ndonjëherë nuk e ndjejmë. Ndjejmë vetëm uzurpinë e saj në trup. Diktojmë forcën e saj çjerrëse që na shkulmon…”
“Po më përhumb…”
“Jo, jo më dëgjo me kujdes. Këtë herë do të tregoj për një klithmëri ndryshe.”
“Dëbora kishte bërë zullum. Madje bardhësia e saj shpesh vetëm nxinte. Nxinte mes halleve. Shkulte kraharorë frymorësh nga vendi. Ndërsa për çudi, rrufetë bënin gara atyre anëve.”
“Siii?!” “Edhe dëborë edhe rrufe?…”
“Po, po… Të dyja bashkë në një pragstinësh. Edhe toka nuk duronte më. Kthithja e saj bënte çudira. Rrufetë hidhnin lirshëm vallen e tyre mes grykave të thata të Arpanës, aty ku e zeza pushtuese kishte pushtetin e përjetshëm si antonomi e së bardhës matanë. Pleqtë kishin shtuar racionet e groshës në sofra. E kështu bubullimat kishin shqetësuar të madh e të vogël në Arpanë. Ishte zhurmë gjithandej. Krisje e kërcitje të tmershme. Kërcitje nga qielli, krisma nën velenxa leshi. Krisma udhëve e rrugicave të ftohta të Arpanës. E sikur të mos mjaftonte kjo çmenduri zhurmash u shtua edhe turfullima e ekraneve të ftohta. Të ftohtat ekrane gati sa nuk pëlcisnin. Nxeheshin aq shumë sa nuk duroheshin më.
Ekranet kishin mbetur në atë gjënë e gjallë të gjetur aty ndaj dy grykave të thata të matanë lumit. E nga ajo ditë ishte bërë zakon në Arpanas që netët të mbusheshin me debate. Ishte vërtet një kohë e lodhshme. Ajo gjë e gjallë ishte cilësuar si krijesa më e çuditshme. E paparë ndonjëherë më parë. Disa thoshin se kishte rënë nga qielli, disa flisnin për klonim të një krijese prehistorike, disa …, e ç’nuk sajonin. Për të u përkujdes në veçanti vetë Qeveria. E morën në mbrojtje. I ndërtuan godinë më vete. I shërbenin në maksimum. Madje u sollën ekspertë edhe nga jashtë. Të gjithë thuajse merreshin me të. Me të merrej politika, drejtësia, shkenca, ekspertiza…, klubet, hotelet, motelet e kushdo. Pëshpërimat e atyre ditëve kishin transferuar kryeqendrën zyrtare në ato anë. Ishte në plan të parë krijesa e çuditshme. Ajo krijesë nuk kishte ardhur kot mes këtyre anëve. Arpanasi ishte me fat që kishte këtë krijesë tashmë. Ishte fat se ishte harruar edhe vallja çmendurale e rrufeve. Ishin lënë pas edhe bubullimat e pleqve…
Një ditë krijesa e çuditshme kishte bërë një zullum tjetër. Kishte dalë nga strofka e saj. dhe në ikje e sipër kishte shkatërruar kopshtin përbri. I zoti i atij kopshti nisi të zhurmonte me forcë. E fundja kopshti ishte personal dhe tërë angazhuesit e këtij zullumi, deri në nivelin më të lartë shtetëror, sytë dhe lapsat i kishin tek gjurmët që krijesa kishte lënë. Kryheshin matje, bëheshin ekspertiza…, e ç’nuk bëhej. Më kot. Krijesa ishte e mbinatyrshme. Ajo i përkiste një planeti tjetër. Kaq u tha për të dhe ekranet si me komandë ndërruan temë…
“E ngatërruar, por ç’lidhje ka kjo?”
“Kjo ndodh sot në shekullin e njëzetë e një, në një kohë me njerëz të shkolluar, në një kohë me makina, trena, avionë e satelitë, në një kohë me qeveri e qeveritarë, në një kohë me…”
“Të lutem më qartë… Si më qartë? A nuk duhet pak respekt për tokën, ujin, drurët e gurët e kësaj toke? A nuk duhet respekt? A nuk duhet mbajtur sadopak gjallë vlera dhe identiteti i njeriut? Përse gjithë kjo harresë për babain tim? Ajo që i ndodhi atij dhe e mundon tashmë a nuk mund ti kishte ndodhur edhe ndonjë qeveritari? A nuk mund të ishte ai …”
“Ndodhia e Nuhiut është diçka…”
“Çfarë është? Është ngjashmëri me këtë shtazë…, me këtë… interesim shkencor amerikan?”
“Jo, kaq prerë, jo. Shkencëtarët pikërisht këtë duan. Mundohen të bëjnë lidhjet. Pse në të njëjtin vend…”
“Pse, pse, pseeeee. Pse dhe sepse nuk duan të tjerët të dalë e vërteta. Kanë interesa të tjera sot. Ky vend jo më kot është masakruar, copëtuar dhe mbahet prapë i tillë. Më beso këtu ka…”
“Të lutem ku qëndron gjithë ky shqetësimi yt. Veç babait çfarë tjetër të mundon? Më thuaj më qartë…, të lutem?”
“Babai? Im atë kurë nuk do të shërrohet nëse nuk bëhet ajo që duhet bërë. Unë e kam të qartë atë. Ai është një shenjë e vetme e kujtesës së harruar. I ndodhi atij që të tregonte për gjakun e atij lumi. Të tregonte për atë lum gjaku. Po a mjafton kjo miku im sot? Kush e kupton këtë?”
“Në rregull, por ajo tjetra që the se të mundon…”
“Tjetra. A nuk njihet dhe është i njohur në këto anë Gjergj Kastrioti Skënderbeu edhe si Dragon? A nuk e mbanin këtë gjallesë si shenjën më të mirë, si dhuratën më të mirë nga Zoti për lirinë dhe begatinë e këtyre anëve?”
“Këtu ke të drejtë. Këtë dua t’ua sugjeroj atje në Londër. Këtë dua tu them edhe …”
“Mirë, mirë. Po shpata e Gjergjit a nuk është edhe një shenjë tjetër? A nuk i thonë edhe sot e kësaj dite Lugina e Prerë me Shpatë? Diku në brendësi të kësaj lugine ndodhen edhe shenjat e saj në gurin e madh. Po, po aty ku ndodhet edhe ajo pema që të thashë se do të të flasë për të. Për atë pemë që e quajnë edhe sot e kësaj dite ‘Arra Budallaqe’. Kur të tjerët bëjnë fruta ajo çel dhe kur të tjerat arra ende si kanë pjekur kokrrat ajo i ka gati për ti ngrënë…”
“Si? Ku ndodhet ajo? …”
Nga larg deri në timpanë të veshëve vinte e ikte kënga e trashëguar që nga koha e Skënderbeut:
“Bie vesë e hollë në tokën Arbërore…. …” “Bie vesë e hollë në tokën Arbërore….”