PS i mori betimin e gjyqtarëve, reagon Presidenca: Panik, pasdite Meta do…

13.02.2020 10:30:56

Presidenca ka reaguar një ditë pas votimit në Kuvend të ndryshimit të betimit të magjistratëve që i heq kompetencat presidentit Ilir Meta. Ky ndryshim në ligj shmang betimin e anëtarëve të kësaj gjykate te presidenti i Republikës.

Zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi thotë se paradite kreu i shtetit do të jetë i fokusuar tek takimet me delegacionin e Venecias, ndërsa paralajmëron një deklaratë të tij përgjatë orëve të pasdites, për atë që ai e quan “qëllimin e vërtetë të ligjit për KRYEKÇK-në”.

Reagimi i Tedi Blushit

Kam marrë shumë pyetje nga ju, lidhur me ligjin që ka kaluar Kuvendi dje në mbrëmje vonë, nëse është apo jo në shkelje të Kushtetutës.
Së pari dua të shpreh çudinë e madhe që ky ligj miratohet në errësirë të plotë, vetëm pak orë para fillimit të takimeve të Komisionit të Venecias në Tiranë, të thirrur nga vetë Kuvendi, që tregon një mungesë serioziteti të plotë, panik për ngut dhe fakt të kryer.

Pra KAP ÇFARË TË KAPËSH.

Së dyti, për ne tashmë çudi përbën vetëm fakti kur ndonjëherë Kuvendi kalon ndonjë ligj që respekton Kushtetutën, pasi dhunimi sistematik i saj është kthyer në rregull.

Por sot paradite jemi të fokusuar te takimi me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias.
Ndërsa pasdite ju premtoj se Presidenti do të kuvendojë me ju direkt nga Presidenca, dhe me të gjithë shqiptarët, për qëllimin e vërtetë të ligjit për KRYEKÇK-në.