Psalm vetmie nga Petrit Ruka

31.07.2019 08:22:08

PSALM VETMIE

ose vaj pleqërishte…

Kjo shembje plot dhembje mbuluar me mërzi,
Ky burg me një murg që psalt në vetmi,
Dhe era tek dera pas kyçit të zi,
Qan e ofshan dhe s’duket njeri…

Ulli plot zgërbonja, i vetëm diku larg,
Me erën e vdekjes që fryn rreth e qark…
Me hënën mbi kokë si qese me gjak
T’i bëjë serume, ta mbaj edhe pak…

Përreth shkreti dhe hone plot dhëmbje,
Kori i të vdekurve që vjen çdo mbrëmje,
Një shi psherëtimash që bluan ndër eshtra,
Lejlekë kujtimesh… çak-çuk mbi vjeshtra…

Sa bukur kur të gjithë të harrojnë një ças(t)
Nuk ngopen me jetë, s’e kthejnë kokën pas,
Ashtu si ti vetë ke bërë dikur,
Kur ishe mulliri që bluaje dhe gurë…

Sa e bukur, sa e bukur kjo harresë madhështore,
Ky sundim i vetmisë me përmasa qiellore,
Ky luks kur vetvetja del e tepron
Çak- çuk lejleku që mendjen gërmon…

O i gjallë a i vdekur, që mbartesh ndër mote,
Shko ku të është taksur me dritë rruga jote,
Kur të ndjehesh i lodhur, ndalu një grimë
Thuaj: kam një çikë punë… këtu në ajodhimë…