Pse Adem Demaçi kish dashur që ta vrisnin serbët dhe pse ishte dëshpëruar që nuk e kishin vrarë?

27.07.2018 19:26:37

Nga Rexhep Kastrati

Gjatë vitit 1998, qindramijëra shqiptarë ishin zhvendosur nga vatrat e tyre për të shpëtuar nga vrasjet, masakrat dhe gjonocidi serb, kurse gjatë vitit 1999, gati një milion shqiptarë ishin bërë pjesë e një eksodi të paparë në historinë e re të rajonit dhe të botës, po për të shpëtuar nga vrasjet, masakrat dhe gjenocidi serb.

Edhe në rastet individuale dhe të natyrës thjesht ordinere, instikti për t’iu shmangur vrasjes, është mëse i zakonshëm dhe i natyrshëm, dhe ka të bëjë me një nga elementet thelbësore të strukturës së personalitetit të njeriut.

Atëherë si mund të shpjegohet dëshira e Adem Demaçit që forcat serbe ta vrisnin dhe përse i kish mbetur hatri që nuk e kishin vrarë?

Përgjigjia në këtë pyetje do të duhej të fillonte nga thënia e tij se ” gjithmonë ka dashur të vdesë për Kosovën”, e që mund të duket si një qëndrim patriotik deri në nivel të sakrificës sublime, por që nuk kufizohet vetëm në këtë.

Në fakt, Adem Demaçi ka pasur një personalitet kundërthënës dhe madje edhe të dyfishtë, në kuptimin psikoanalitik, pasi që ai asnjëherë nuk ka qenë konsekuent në pikëpamjet, qëndrimert dhe sjlljen e tij. Madje mund të thuhet se ka qenë një personalitet i ç’ekuilibruar.

Në rininë e tij, Adem Demaçi kishte shkruar “Gjarpinjtë e gjakut”, në të cilin kishte fshikulluar gjakmarrjen, vëllavrasjen, dhe kishte lartësuar pajtimin, kurse në pleqërinë e tij, ishte bërë madje edhe zëdhënës i vëllavrasjes.

Në fillim të viteve ’90 -të shekullit të kaluar, Adem Demaçi bashkë me Veton Surroin kishin organizuar një manifestim “Ta varrosim dhunën”, dhe me një arkivol bosh kishin bredhur rrugëve të Prishtinës për të simbolizuar varrosjen e dhunës, kurse më vonë do të bëhet zëdhënës i një strukure të dalë nga takimi Nano – Milosheviq në Kretë, më 1997, të cilën e kam quajtur linja e Tiranës/Kretës që dhunën dhe vëllavrasjen i kishte elemente thelbësore të saj.

Adem Demaçi, më parë e deklaronte veten mik të Sali Berishës, por vetëm pak muaj më vonë do t’i kërkonte falje Fatos Nanos.

Adem Demaçi, ishte bërë bashkë me të tjerë për të rikthyer politikisht Kosovën nën Serbi, nëpërmjet pjesëmarrjes së shqiptarëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë, ndërkohë që presidenti Rugova kishte refuzuar më herët në emër të Kosovës, një propozim të Milan Paniqit që të merrnin shqiptarët pjesë në zgjedhjet në Serbi kundërejt një statusi të Republikës së Kosovës.

Adem Demaçi kishte paraqitur një projekt neofederalist ballkanik, për një bashkësi apo federatë ballkanike, dhe me t’u bërë përfaqësues i përgjithshëm i UÇK-së, heq dorë si pa të keq, madje duke e paraqitur si projekt personal.

Mjaftojnë vetëm këto fakte për të kuptuar se Adem Demaçi ka qenë njeri kundërthënës dhe larg të qenit parimor dhe që kishte degraduar në një personalitet grindavec, përçarës dhe përbaltës dhe të mjerë.

Është e qartë se ç’ekuilibrimi i tij psikologjik që gjatë viteve të luftës dhe deri në vdekje kishte ardhur duke u rritur, nuk mund t’i atribuohet vetëm viteve të tij të burugut, por më tepër se kaq, ka të bëjë me faktin se gjithë qasja e tij ideologjike ishte e gabuar dhe në kundërshtim me proceset pozitive të vendit.

Nëse dikush e paraqet Adem Demaçin një demokrat properëndimor dhe me koncepte socialdemokrate, sigurisht se nuk thotë të vërtetën, sepse ai kishte mbetur një marksist-leninist i papërmirësuar.

Nëse dikush e paraqet Adem Demaçin një institucionalist dhe dashamirës i funksionalitetetit demokratik i institucioneve, përsëri nuk thotë të vërtetën, sepse ai në fakt ishte një egoist të hakërryer që nuk mund të ecte me kohën dhe të vetëkorigjohej në mënyrë kritiko-racionale.

Në këtë kontekst, Adem Demaçi vuante nga mendësia tribale, sipas të cilës ai duhej të ishte i pari, i pakontestueshëm dhe në masë të madhe, një Dalai Lamë shqiptar, ashtu siç mëtonte edhe Rexhep Qosja.

Dhe për të qenë i pari, i pakontestueshmi, Adem Demaçi sa ishte arrogant, i hakërryer dhe naks me shqiptarët, ishte i përulur dhe i nënshtruar ndaj të tjerëve, sidomos ndaj serbëve.

Adem Demaçit, sikurse Rexhep Qosjes i pengonte, e çmendte madhështia e presidentit Rugova, i cili është i vetmi që i kishte qëndruar konsekuent pozicioneve të tij fillestare politike-kombëtare, që nuk kishte lëshuar pe në çështjen e pavarësisë së Kosovës si zgjidhje kompromisi, por me mundësi që në kohën e duhur dhe në një kontekst të duhur dhe të favorshëm për shqiptarët, prandaj edhe deri në vdekje kishte vjellë kundër tij, ndonëse presidenti Rugova kurrë nuk ishte marrë me të.

Përpjekja që me çdo kusht të ishte i pari, i pakontestueshmi në njërën anë, kurse pamundësia për të qenë i tillë, kishte bdikuar tepër shumë edhe në shfaqjen e elementeve nekrofilikëdhe të vetëviktimizmit, duke synuar kështu mëshirën kolektive të shqiptarëve.

Këto elemente, do të jenë edhe elemente thelbësore të Albin Kurtit dhe të sektës së tij okulte, që i shndërruan në mëynra dhe qëllim të veprimeve të tyre. Albin Kurti dhe Sekta e tij okulte, gjatë tërë kohës, pra edhe kur ishin si KAN, kanë provokuar situata dhune për të imponuar dhunën ndaj tyre, përgjakjen e rrugëve dhe vrasjen, ashtu siç ndodhi edhe në shkurt 2007, si mënyra për të fituar mëshirën kolektive dhe vllerësimin kolektiv të shqiptarëve.

Ndjenja e vetësakrifikimit te Adem Demaçi dhe e nevojës për një mëshirë kolektive, ndërkaq, kishte edhe historinë e tij të burgut, e cila, edhe pse më e gjata, megjithatë nuk është histori që do të ishte për t’u krenuar. Aq më tepër, kur ka pasur bashkëburgvuajtës me të që nuk janë shprehur pozitivisht për të.

Në të kundërt, pse një i burgosur si Adem Demaçi që me vite të burgut do të duhej të ishte përfaqësues i lartësuar i patriotizmit shqiptar, do të lakmonte të vritej nga serbët, dhe të mbetej i dëshpëruar pse nuk e kanë vrarë për t’u patriotizuar?

Prandaj, dëshira për t’u vrarë nga serbët, dhe dëshpërimi se përse nuk e vranë, ishte vetëm një shpërfaqje sociopatike, një mënyrë e shpërfaqjes për shkak të pamundësisë për të qenë i pari dhe i pakontestueshmi, por edhe i mllefin se përse presidenti Rugova nuk merrej as me të, as me Rexhep Qosjen, e të cilët ishin munduar më kot që duke e përbaltur ta detyronin apo ta provokonin që të merrej me ta.

Adem Demaçi, por edhe Rexhep Qosja ishin dëshpërimisht të përvëluar nga dëshira që presidenti Rugova të merrej me ta, sepse injorimi i tij, i vriste më shumë sesa plumbi.

Përfundimisht duhet thënë se në dëshirën dëshpëruese të Adem demaçit për t’u vrarë nga serbët, dhe dëshpërimi që nuk e vranë, kanë ndikuar elemente sociopatikë të një personaliteti të çrregulluar dhe të çekuilibruar, të handaksur dhe fandaksur, të vogël, të mjerë dhe servil deri në keqardhje, historitë e tij të burgut dhe mendësia thelbësisht tribale e kombinuar me mndësinë ideologjike marksist-leniniste.