Pse duhet të japë dorëheqje Isa Mustafa e jo Kadri Veseli?

13.06.2017 16:48:50

Nga Rexhep Kastrati

Pas përfundimit të zgjedhjeve, madje ende pa marrë fund edhe votimi i vouesve të fundit, shpërthyen fishekzjarre fecabook-u që mendoheshin të shpërthenin brenda LDK-së. Këso fishekzjarre, si zakonisht shpërthyen nga militantë facebook-u të partive të ndryshme, të veglave kondomë brenda e rreth LDK-së, por edhe nga militantë të mërzitur të LDK-së. Arsye për këtë ishte fakti se koalicioni i LDK-së nuk i kishte fituar zgjedhjet, por pa pritur rezultatet dhe pa i bërë analizë. Si çdo herë tjetër, kjo fushatë e orkestruar fishekzjarresh kundër kryeministrit Mustafa dhe kundër LDK-së bëhej për ta komprometuar në sy të opinionit dhe për ta futur në krizë si parti, e në këtë rast, edhe në koalicion.

Mirëpo, është për të theksuar se edhe pse LDK nuk i fitoi zgjedhjet, megjithatë ka treguar stabilitet dhe kryesisht ka ruajtur nivelin që ka pasur më 2014. Pra. në bazë të të dhënave të gjertanishme, LDK ka ruajtur pozitat e saj, ndonëse pretendohej fitorja. Nëse si koalicion, ishte në vend të tretë, si subjekt politik, LDK ishte në vendin e dytë. Dhe ky rezultat ishte përballë rritjes së VV-së dhe rënies rapide të PDK-së, e që i krijon LDK-së një pozitë të favorshme, madje më të favorshme se pas zgjedhjeve të vitit 2014, sepse është ajo që de facto ka në dorë ndërtimin e Qverisë së re të Kosovës, pasi që as koalicioni PAN, as VV nuk munden të vetme ta formojnë Qeverinë. Për çështjen e koalicioneve në një shkrim tjetër, por këtu po e përmendi vetëm në kontekst të pozitës stabile që ka LDK si forcë e dytë politike, por edhe si koalicion. Përkundër kësaj, nuk pushuan fishekzjarret e militantëve të partive të tjera, apo edhe të veglave kondomë brenda e rreth LDK-së, duke synuar qoftë çarjen e saj, qoftë edhe për të fshehur debaklin që ka pësuar PDK në këto zgjedhje.

PDK e prishi koalicionin me LDK-në me pretendimin për të marrë postin e kryeministrit, por ende pa filluar zgjedhjet u detyrua të merrte autogolin e parë: postin  e kryeministrit ia premtoi Ramush Haradinajt. Ndonëse kjo lëvizje ishte e zgjuar, pasi që po të mos e bënte, të drejtën automatike për formimin e Qeverisë do ta merrte VV si parti e parë, megjithatë, ishte një goditje e rëndë për PDK-në, e cila me humbjen e postit të kryeministrit, zhgënjeu shumë mbështetësit e saj. Autogoli tjetër i PDK-së ishte rënia e madhe, de facto humbja e madhe që pësoi si subjekt politik: nga 30.38% që kishte më 2014 në koalicion me PD-në, ka rënë si e vetme në 18%, përkatësisht si koalicion kanë rënie rreth 10%-12%, pasi që tri subjektet: PDK, AAK, Nisma, më 2014 kanë pasur rreth 45%, ndërkohë që tash kanë rreth 34%-35%. Të gjitha këto, pos që e kanë lënë PDK-në pa kryeministrin, e kanë nxjerrë nga vendi i parë në të tretin, pas VV-së dhe pas LDK-së, dhe shumë të varur nga AAK-Nisma, sepse po u prish koalicioni me to, humb edhe të drejtën për të negociuar për formimin e Qeverisë. Në anën tjetër, koalicioni PAN nuk e ka të sigurt se do të arrijë të formojë Qeverinë, nëse dy blloqet tjera nuk do të pranojnë të bëhen pjesë e një koalicioni paszgjedhor. Përkundër të gjitha këtyre, askush nuk kërkon dorëheqjen e Kadri Veselit, as nuk ia përmend të gjitha këto, madje PDK, në stilin e serbëve, humbjen e quan fitore. Triumfalizmi i rrejshëm që mëton të fshehë debaklin që ka psuar PDK në këto zgjedhje, megjtihatë është vetëm një mënyrë për të fshehur të vërtetën: PDK-së i ka kushtuar më shumë sesa LDK-së koalicioni i përbashkët, dhe së këndejmi edhe ka shqetësuar shumë PDK-në. Mirëpo, prishja e koalicionit me LDK-në ka qenë edhe hapi i fundit që mundi ta bënte si i mbyturi që kapet për kashte. Humbësja e vërtetë është PDK-ja, e cila do të hyjë në fazën e saj të demokratizmit të brendhsëm dhe të çlirimit nga klani “Pronto”, e kërkuan apo jo dorëheqjen e Kadri Veselit.