Pse është e gabueshme idea e Ramushit për qendër rehabilitimi për pjesëtarët e organizatave ekstremiste?

08.12.2017 11:43:41

Nga Rexhep Kastrati

Ramush Haradinaj ka paralajmëruar plan për riatdhesimin dhe rehabikitimin e pjesëtarëve të shtetasve të Kosovës në grupet ekstremiste islamike, duke dëshmuar kështu se indiciet e mëhershme në këtë drejtim nuk kanë qenë të rastësishme.

Mirëpo, kjo që planifikon Ramushi, sado e mirëkuptueshme në aspektin human, megjithatë është e kritikueshme për faktin se duke qenë pjesëtarë që kanë bërë krime kundërnjerëzore dhe janë stërvitur, janë përpunuar në pikëpamje psiko-sociale për të bërë vrasje në gjakftohtësi. Së këndejmi zor se u ka mbetur ndjesi humane që do t’u ndihmonte të eliminonin ndjesinë dhe instinktin për të vrarë.

Krijimi i një qendre apo instituti për rehabilitimin e tyre, përveçse është i kushtueshëm, dhe për arsyen e përmendur më lartë, dhe për të tjera që do të përmenden më poshtë, është vështirë i suksesshëm, dhe për pasojë edhe i kotë.

Përveç arsyes që u përmend më lartë,  një arsye tjetër që ka të bëjë me kritikën ndaj një plani për rehabilitimin e tyre ka të bëjë me faktin se shumica e tyre kanë pas shprehur kundërshtimin për t’u rikthyer, pasi e shihnin veten pjesë të një lufte të shenjtë dhe ishin përkushtuar të binin shehit. Lufta e shenjtë, rënia shehit si mënyrë për ta fituar xhehnetin, është ngulitur në vetëdijen dhe ndërdijen e tyre dhe është më e fuqishme se çdo ndjesi tjetër. Në asnjë qendër rehabilitimi nuk mund të kihet sukses që përkushtimi për luftë të shenjtë dhe për të rënë shehit, t’u eliminohet dhe të përgatiten për jetën paqësore në Kosovë.

Një pjesë e atyre që janë pjesë e atyre grupeve ekstremiste islamike, në vendet ku kanë shkuar, kanë ndërtuar edhe një jetë në bazë të kushteve, rrethanave, mundësive të atjeshme: dikush ka marr gruan dhe fëmijët atje, dikush tjetër është martuar atje, dikush tjetër është në lidhje me femra atje dhe në përgjithësi janë socializuar atje.

Çështja e shqiptarëve të Kosovës pjesëtarë të grupeve ekstremiste islamike është pjesë e çështjes së pjesëtarëve shqiptarë nga hapësira shqiptare në Ballkan dhe në shtete të tjera, dhe si e tillë nuk mund të trajtohet veçmas dhe e izoluar. Prandaj duhet bashkërendim me shtetet nga hapësira shqiptare në Ballkan. Përveç kësaj, kjo çështje nuk mund të shihet si çështje e izoluar as nga çështja e njëjtë e pjesëtarëve të popujve dhe shteteve të ndryshme, e në mënyrë të veçantë e shteteve aleate.

Në kuptimin e sigurisë, në atë strategjik dhe taktik, çështja e shqiptarëve të Kosovës pjesëtarë të grupeve ekstremiste duhet trajtuar edhe si një rrezik i përhershëm, pasi që këto grupe, ose të tjera mund t’i përdorin këta si operativë për aksione të ndryshme në Ballkan, por edhe të krijojnë celula të ndryshme si baza për sulme të ndeyshme ndaj shteteve të ndryshme, përfshirë edhe sulmet ndaj përfaqësive të tyre në Kosovë dhe në rajon, ndaj KFOR-it dhe kompanive të ndryshme. Është kështu për faktin se Serbia ka investuar shumë në radikalizmin islamik jo veç në Kosovë. Në anën tjetër, është thënë se në Greqi ka baza të forta të grupeve ekstremiste që merren me rekrutimin e njerëzve për lufta të ndryshme që bënin grupet ekstremiste.

Aspekti politik, ndërkaq, nuk ka të bëjë vetëm me qëndrimin e luftës kundër terrorizmit, për të cilin Kosova ka një qëndrim të qartë në linjë me aleatët tanë, por ka të bëjë edhe me përdorimin e fesë për qëllime politike. Këtu nuk kam fjalën vetëm te PD dhe LD, por më shumë se për këto, fjalën e kam për VV-në, e cila ka shfaqur edhe elemente të kundërhebraizmit deri në thirrje të zhdukjes së Izraelit si shtet. Përveç kësaj, edhe parti të tjera si PDK, AAK dhe në mënyrë të veçantë AKR, kanë elemente të forta të keqpërdorimit të fesë, e më konkretisht të BIK-ut për qëllime politike.

Dhe krejt në fund, duhet përmendur rastin e grupit të Kumanovës, i përbërë nga militantë të partive të ndryshme në Kosovë, sidomos të AAK-së, një pjesë e të cilëve u vranë si qenër, një pjesë tjetër u arrestuan dhe tashmë janë dënuar. As Ramushi dhe askush nuk ka reaguar, nuk ka kërkuar lirimin e tyre dhe as nuk ka mbajtur ndonjë qëndrim të drejtë ndaj tyre, kurse për ndonjë plan për rehabilitimin e tyre. Përfshirja e partive të ndryshme në këtë grup si dhe përdorimi i ekstremizmit fetar për manipulimin e pjesëtarëve të atij grupi është theksuar herë pas here. Pra, edhe mundësia e bashkërendimit të veprimtarisë patriotike me ekstremizmin fetar është mëse real dhe i rrezikshëm.

Ramushi dhe institucionet e shtetit, si dhe partitë politike, OJQ-të dhe segmente të tjera të shoqërisë sonë të shkëputin lidhjet eventuale me ekstremizmin fetar, të heqin dorë nga manipulimi i ndjenjave fetare të qytetarëve për qëllime politike, të bëjnë më shumë në luftën kundër ekstremizmit fetar, të bëjnë më shumë për identifikimin, parandalimin dhe rehabilitimin e qytetarëve të Kosovës që ende nuk janë përfshirë në aksione të ndryshme ekstremiste.

Kosova ka nevojë për ndërtimin dhe funksionalizimin e qendrave të specializuara për trajtimin e konsumuesve të lëndëve narkotike, për trajtimin e kategorisë së para dhe tetraplegjikëve dhe në përgjithësi të personave me aftësi të kufizuara. Në këto linja, institucionet e shtetit të Kosovës mund të bëjnë tepër shumë, sigurisht pasi të çlirohen nga klanet e ndryshme mafiozo-politike.