Pse Gjykata Speciale nuk e ka asnjë kosovar pjesë të personelit?

14.12.2018 00:06:54

Në Dhomat e Specializuara apo ndryshe siç njihet si Gjykata Speciale e cila është votuar në Kuvendin e Kosovës, nga deputetët e Kosovës, nuk e ka asnjë kosovar që do të jetë pjesë e personelit.
Këtë studiuesi i filozofisë, Ismajl Tasholli, në Zona e Debatit në Klan Kosova ka thënë se kjo tregon se kjo Gjykatë ka qenë e imponuar.

“Vota në Parlament ka qenë kërkesë e domosdoshme që është dashur të kalohet. Ajo që është shumë interesante në krejt paqartësi, joseriozitet dhe nguti nuk mund t’i japësh asnjë shpjegim tjetër pos të një akti politik – që t’i përfundojnë punët shpejt e shpejt”.

Ai megjithatë këtë e ka arsyetuar me mundësinë e rrjedhës së informatave.

“Nuk e di pse nuk kanë pranuar asnjë personel vendor, ndoshta për shkak të frikës së tyre të rrjedhës së informatave”.

“Por e gjithë mënyra se si e kanë ndërtuar që të ballafaqohen me krimet që kanë ndodhur, ngjyrimet politike të atyre krimeve dhe tendenca e krahasimit dhe tash nxjerrja në pah e bën krejt situatën të dyshimtë”.

Me këtë është pajtuar edhe Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

“Pse nuk ka të punësuar kosovarë, nuk e di nëse është në kundërshtim me Kushtetutën tonë, sidoqoftë mendoj që u përmend këtu frika prej ndikimeve të ndryshme dhe rrjedhës së informacioneve”.

“Ne kemi pasë një raport që e publikojmë çdo vit për gjykimet për krime lufte këtu dhe kemi parë se dëshmitarët kanë ndërruar dëshmitë e tyre, kanë refuzuar të japin dëshmitë, kanë qenë krejtësisht kundërthënës me dëshminë që kanë dhënë në fazën e hetimeve”.

“Si duket për t’i mbrojtur dëshmitarët dhe për t’u zhvilluar procesi në mënyrë më të rregullt është vendosur Gjykata në Holandë dhe nuk është lejuar që si staf i Gjykatës, në cilindo nivel, të ketë kosovarë”.

Ai ka thënë po ashtu se askush nuk mund ta abstrahojë ndikimin politik në themelimin e kësaj Gjykate.

“Kjo Gjykatë nuk do të votohej në Parlamentin e Kosovës po të mos kishte presion të rëndë politik, sidomos nga SHBA-të. Nuk mund ta abstrahojmë aspektin politik”.

Në ndërkohë që avokati Tomë Gashi si i ftuar po ashtu në Zona e Debatit në Klan Kosova ka thënë se është shkelje e Kushtetutës fakti se në Gjykatën e vendit tënd nuk mund të jesh as pastrues.

“Nëse e paraqesim kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës se si është e mundur që në një Gjykatë të Kosovës nuk mund të punësohet asnjë shtetas i Kosovës, a është shkelje e Kushtetutës?”.

“Në Gjykatën e vendit tënd nuk mund të jesh as pastrues, as gjyqtar, as kryetar i gjykatës, as teknik, as personel – veç mund të jesh i dyshuar, avokat ose eventualisht dëshmitar”.