Pse Hashim Thaçi duhej të zhvillonte bisedë telefonike me Aleksandar Vuçiqin?

30.01.2017 11:42:59

Nga Rexhep Kastrati

Hashim Thaçi ka bërë një telefontatë të veçantë me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kjo u paraqit si një përpjekje për rifaktorizim të Thaçit në kontekst të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Kjo telefonatë është e veçantë se Hashim Thaçi nuk ka bërë telefonatë me homologun  e tij serb, Tomislav Nikoliq, por me kryeministrin e Serbisë, dhe për faktin se telefonata të tilla, në rrethana në të cilat janë raportet ndrëmjet dy shteteve, zakonisht nuk është se janë të zakonshme.

Kjo telefonatë e bërë me kryeministrin e Serbisë, në aspektin diplomatik, por edhe në atë protokollar do të duhej të konsiderohej si devalvim i pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si devalvim i pozitës së Presidentit si një nga institucionet kryesore të shtetit përballë Serbisë, si dhe një përpjekje për jaragavitje e Hashim Thaçit përballë Serbisë dhe përballë bashkësisë ndërkombëtare. Si president, Hashim Thaçi do të duhej të kishte zhvilluar bisedë telefonike me presdentin e Serbisë, ashtu siç e ka të përcaktuar edhe Zyra e Mogherinit, e cila respekton pikë për pikë paralelizimin përfaqësues-institucional të palëve.

Në anën tjetër, nxitimi i Hashim Thaçit për të zhvilluar telefonatë me kryeministrin e Serbisë, rikthen në kujtesën e qytetarëve të Kosovës edhe gjakimin e Bajram Rexhepit për t’u takuar me Zoran Xhinxhiqin, edhe ai kryeministër i Serbisë, por edhe nxitimin e vetë Hashim Thaçit për t’u takuar me Momçilo Trajkoviqin dhe popin Artemije, ende pa u kthyer shqiptarët në shtëpitë dhe pronat e tyre, si dhe të Bajram Rexhepit – për t’u takuar me një kriminel lufte, Oliver Ivanoviqin për të legalizuar ndarjen e veriut të Kosovës.

Por ky nxitim i Hashim Thaçit për të zhvilluar bisedë telefonike me Vuçiqin, po ashtu, kujton edhe nxitimin e Edi Ramës që të realizonte takime me Vuçiqin dhe të anashkalonte Kosovën dhe pozitën e saj rajonale dhe ndërkombëtare.

Dhe krejt në fund të këtyre, nxitimi i Hashim Thaçit për të zhvilluar bisedë telefonike me Vuçiqin, kujton edhe nxitimin e Fatos Nanos për t’u takuar me kriminelin Milosheviq dhe të merreshin vesh që së bashku të fillonin dhe të kontrollonin luftën në Kosovë.

Në këtë mënyrë, Hashim Thaçi me nxitimin për të zhvilluar telefonatë me Vuçiqin, jo vetëm që mëton rifaktorizimin e tij nëpërmjet Beogradit, por edhe mëton të vëjë në spikamë vazhdimësinë e qasjes negativiste dhe kundërkombëtare që sintetizohet me një retorikë të ashpër luftënxitëse, me një retorikë pompoze pseudopatriotike, e që përgatitin opinionin dhe krijojnë rrethanat për ndonjë aktivitet konfliktual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dhe është kjo qasje që ka kontribuar që më 1999 të ndahet Kosova mbi baza etnike, të konsolidohet kjo ndarje, të zyrtarizohet dhe në fund edhe të përmbyllet me ndryshim kufijsh, qoftë edhe e paraqitur si shkëmbim territoresh.

Siç dihet tashmë, të ashtuquajturën çështje të shkëmbimit të territoreve, Hashim Thaçi e kishte paralajmëruar qysh në vitet e para të pasluftës, si dhe tashmë e ka riaktualizuar Rexhep Qosja, e kanë lavëdruar disa të tjerë, dhe së fundi e ka përkrahur edhe Jonuz Musliu, i cili madje bëhet aq qesharak sa thotë se pranon shkëmbimin e territoreve, por pa Ujmanin dhe Mitrovicën, edhe pse e di se kur të hapet çështja e shkëmbimit të territoreve, nuk dihet se si do të përfundonte një gjë e tillë, pra do të ishte ndarje e Kosovës.

E ndarja e Kosovës, në fakt është një nga pikat themelore e sektës okulte të Albinit, me çka edhe një herë sikur po paralajmërohet një koalicion PDK – VV, me kryeministër Albin Kurtin, i cili tashmë po flet hapur për një Qeveri që drejtohet nga sekta e tij okulte.

Pra, përpjekja e Hashim Thaçit për t’u rifaktorizuar nëpërmjet Beogradit, duhet parë edhe si përpjekje për të cenuar edhe rendin juridiko-kushtetues të Kosovës, përkatësisht për të cenuar ndarjen e pushteteve, përgjegjësitë dhe kompetencat kushtetuese të institucioneve dhe për të bërë të vështirë funksionimin normal të institucioneve, në përpjekje titanike për të imponuar kështu edhe zgjedhjet deri apo gjatë marsit të këtij viti.

Këtë e bën më të besueshëm, përveç këtyre, edhe fakti se Aleksandar Vuçiqit nuk i ka penguar fare se Hashim Thaçi, ka qenë drejtues politik i UÇK-së, i organizatës politiko-ushtarake, të cilën Serbia e ka trajtuar terroriste, ashtu siç nuk i ka penguar Serbisë fare as zyra e Përfaqësuesit të Përgjithshëm të UÇK-së në Prishtinë gjatë luftës, e ku ishte edhe Albin Kurti. Ndërkaq, bën lojëra me gjoja fletarreste të tilla si në rastin e Ramushit, duke bërë kështu shumë për afirmimin e atyre që Serbia do i donte t’i kishte përballë.

Para kësaj telefonate, Hashim Thaçi do të duhej ta kishte parasysh, po ashtu, edhe gjithë historinë e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me Serbinë që nga fillimvitet ’90 të shekullit të kaluar, kur presdenti Rugova kishte refuzuar çdo takim apo bisedë të drejtpërdrejtë me përfaqësues të Serbisë, por gjithnjë kishte këmbëngulur në negociata me palën e tretë ndërkombëtare, por edhe Rambujenë, Vjenën, por edhe Brukselin. Marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë ende nuk janë në fazën që zyrtarë të dy shteteve të zhvillojnë telefonata të drejtpërdrejta, për çka edhe po zhvillohen negociatat në Bruksel me ndërmjetësim të Zyrës së Mogherinit.