Pse Hashimi kërkon konsensusin politik për fazën finale të negociatave me Serbinë?

20.06.2018 18:25:14

Nga Rexhep Kastrati

Procesi negociator në Bruksel ka filluar më 2011 në bazë të një rezolute të Asamblesë Parlamentare të OKB-së të miratuar më 2010, në bazë të të cilës do të ketë një proces dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të merrej me çështje konkrete, do të lehtësohej nga BE-ja.

Ky farë procesi negociator u pat quajtur dalog teknik e jo politik, por koha ka treguar se ky proces ka qenë proces politik dhe për çështje substanciale të Kosovës, pra jo vetëm çështjet ndrëmjet Kosovës dhe Serbisë.

Historia e gjithë këtij procesi negociator është historia e një procesi të udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe të gjitha marrëveshjet që janë arritur deri më tash janë marrëveshje që janë negociar apo nënshkruar nga Hashim Thaçi.

Në këtë proces negociator, Hashim Thaçi ka tejkaluar përcaktimet e Pakos së Ahtisarit dhe gjithë ky proces është shndërruar në një proces i autonomizimit të serbëve të Kosovës, fillimisht si kompetenca shtesë për komunat me shumicë serbe, e pastaj edhe me marrëveshje të veçanta për çështje të veçanta.

Më e dëmshme se gjithë këto, është një proces paralel negociator, edhe kur Hashimi u bë president dhe kur procesi negocator udhëhiqej nga Qeveria. Janë të shumta takimet e hapura dhe të fshehta takimet ndërmjet Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqi, e në të cilat, edhe sipas mediave të huaja, është negocuar edhe çështja e shkëmbimit të territoreve.

Të dyja këto procese: i Brukselit dhe i hahsim Thaçit me Aleksandër Vuçiqin kanë shpartalluar funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe janë në rrugë të shpartallimit edhe të territorit dhe integritetit territoral të këtij shteti, ndërkohë që nuk ka adresuar asnjë çështje reale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: dëmet e luftës, dëmet e paraluftës, fondi pensional, ndarja e pasurisë së trashëguar nga ish-Jugosllavia, ndarja e strukurës ushtarake njerëzore dhe në armatim, çështja e të zhdukurve, dhe shumë çështje të tjera të rëndësishme.

Shqetësimet se me fazën finale të procesit negociator në Bruksel do të preket kushtetuta e Kosovës në funksion të kushtetutëzimit të të gjitha marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën, që të preket rendi juridiko-kushtetues i Kosovës, të ndërtohet një “Republika Srpska” në Kosovë, dhe çështje thelbësore të pasurisë, të territorit dhe të pushteteve në Kosovë, tashmë i ka konfirmuar edhe vetë Hashim Thaçi, i cili në konferencën e sotme për medie, pranoi se do të ketë ndryshime kushtetuese në Kosovë dhe në Serbi.

Ndërkohë gjatë tërë kohës është thënë se të gjitha marrëveshjet do të jenë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, e edhe Asociacioni, përkatësisht dokumenti themeltar i tij do të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës. Atëherë pse në Kosovë duhet të ketë ndryshime kushtetuese përvepse për ta legalizuar një “Republika Srpska” në Kosovë dhe për të legalizuar të gjitha marrëveshjet e dëmshme për Kosovën? Dhe kjo i bie që jo dokumenti themeltar i Asociacionit do t’i përshtatet kushtetutës së Kosovës, por kushtettuta e Kosovës do t’i përshtatet dokumentit themeltar të Asocacionit.

Në këtë kontekst, mund të thuhet qartësisht se Hashim Thaçi nuk kërkon konsensus politik në vend për një proces negociator të shëndetshëm dhe të suksesshëm për Kosovën, por për të bërë bashkëpërgjegjës të gjithë për një proces thuajse personal negociator në Bruksel dhe jashtë këtij procesi.

Këtë shpërndarje të prëgjegjësisë personale, Hashim Thaçi kishte provuar ta realizonte nëpërmjet të ashtuquajturit plan pesëpikësh të Kadri Veselit, por që u pa se nuk mund të kishte ndonjë peshë të madhe, edhe për shkak të demaskimit të vazhdueshëm të këtyre synimeve.

Kurse përpjekja e zjarrtë e Memli Krasniqit, shef i Grupit Kuvendor të PDK-së që të kamuflojë dhe të maskojë synimin për shpërndarje të përgjegjësisë për dëmet që Hashim Thaçi i ka bërë Kosovës gjatë viteve me krahasimin me Ekipin e Unitetit në Rambuje dhe në Vjenë, është vetëm një përpjekje djallëzore dhe e marrë, pasi që sa për dijeni: në Rambuje nuk ka pasur Ekip uniteti, por një fuzion të tri ekipeve, në dëm të përfaqësimit institucional të Kosovës. Në Rambuje ishte mohuar legjitimiteti institucional i presidentit Rugova dhe ishte imponuar udhëheqja e negociatave nga Hashim Thaçi. Do të quhej Ekip uniteti sikur të ishte një ekip gjithëpërfshirës institucional në krye me presidentin Rugova, por ndodhi pikërisht e kundërta. Në Vjenë ka pasur Ekip uniteti, por ky ekip ishte bërë në bazë institucionale dhe si ekip që merrte përsipër të negocionte statusin e Kosovës, si dhe për shkak se institucionet e kohës ishin të përkohshme dhe nën autoritetin e UNMIK-ut.

Prandaj, konsderoj se qëndrimi shprehur nga Avdullah Hoti se Ekipi i unitetit ka pasur kuptim para shpalljes së pavarësisë, por jo më pas pasi që Kosova ka kushtetutën e cila ka të rregulluar edhe çështjen e përfaqësimit të Kosovës dhe të ratifikimit të marrëveshjeve të arritura.

Në këtë kuptim, nuk ka asnjë arsye që të ketë Ekip uniteti, por edhe në këtë fazë, Kosova duhet të përfaqësohet në bazë të rregullimit kushtetues dhe në bazë të një platforme në përputhje me kushtetuën. E kjo është vështirë e realizueshme, për vetë faktin se tashmë është negociuar, janë arritur marrëveshje dhe do të arrihen marrëveshje që nuk do të jenë në përuthje me kushtetutën e Kosovës.