Pse Ilir Meta pikërisht tash në Kosovë?

22.01.2018 16:33:09

Nga Rexhep Kastrati

Në një shkrim të pak ditëve më parë pata trajtuar çështjen e kundërshtimeve dhe të angazhimeve të Gjykatës Speciale për qëllime afirmimi dhe faktorizimi të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Edi Ramës dhe Ilir Metës si në raport me zhvillimet e brendshme, në raport me zhvillimet rajonale dhe në raport me aleatët tanë strategjikë. Qëndrimi i Ilir Metës n[ Kosovë mund të jetë vetëm një konfirmim i radhës i qëllimit që nëpërmjet Kosovës të mund të bëjë pazare për të shpëtuar lëkurën e tij pas zërave gjithnjë e më të fuqishëm se ai do të jetë një nga “peshqit e mëdhenj” që do të arrestohen gjatë procesit të vettingut në shtetin aktual shqiptar.

Mirëpo, a është vetëm ky qëllimi i qëndrimit të Ilir Metës në Kosovë, sidomos po të kihet parasysh se Ilir Meta vjen në Kosovë pas qëndrimit të Aleksandër Vuçiqit në Kosovë?

Bazuar në zhvillimet e fundit në Kosovë e që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale dhe me  vrasjen e Oliver Ivanoviqit, mund të thuhet se qëndrimi i Ilir Metës mund të ketë qëllime dhe dimensione të tjera. Kjo për faktin se Ilir Meta, Edi Rama dhe në përgjithësi e majta e Tiranës ka një histori bashkëpunimi dhe bashkërendimi me Beogradin. Ilir Meta si zëvendëskryeministër dhe si ministër i Punëve të Jashtme ka qëndruar në Beograd në vitet e para pas luftës në Kosovë, dhe se historia e krimeve të luftës përfshin edhe territorin dhe shtetin aktual shqiptar, përkatësisht qeverisjen e së majtës atje. Bëhet fjalë për shumë vrasje të shumë personaliteteve të luftës, të politikës dhe të medieve që nga vrasja e ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi e deri te vrasja e gazetarit Ali Ukaj. Gjykata Speciale, sipas mandatit dhe sipas kohës së paraparë, mund të trajtojë këto vrasje. E mundësia e trajtimit të këtyre vrasjeve mund të nxjerrë edhe dimensionet e një bashkëpunimi rajonal në realizimin e tyre, e që do të thotë mund të zbardhen edhe lidhjet agjenturore dhe mafiozo-politike rajonale qoftë në vrasjet në fjalë, qoftë në instalimin dhe fuqizimin e strukturave mafiozo-politike në rajon.

Është për të theksuar se Serbia asnjëherë, absolutisht asnjëherë nuk ka shfaqur asnjë problem në funksionimin e qeverive të drejtuara nga PDK dhe AAK, kurse ka dëshmi të shumta të bashkëpunimit dhe të mbështetjes së plotë të serbëve lokalë me qeveritë dhe me partitë në fjalë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Serbët lokalë me urdhër nga Beogradi bllokuan zgjedhjen e presidentit Rugova në postin e të parit të vendit derisa PDK nuk e mori drejtimin e Qeverisë së Kosovës. Po ashtu, serbët lokalë me urdhër nga Beogradi u bënë pjesë e Qeverisë së pakicës të kryesuar nga Hashim Thaçi dhe nuk i nxorën kurrë ndonjë problem. Gjatë qeverisjes së drejtuar nga kryeministri Mustafa, edhe pse ishte qeverisja shumë e gjerë me rreth 90 kuvendarë, megjithatë serbët lokalë dhe partitë tjera shqiptare e të joshqiptarëve, u bënë sërishmi bashkë për të zbatuar urdhërin e Serbisë dhe të Rusisë për të rrëzuar atë Qeveri dhe për të instaluar një Qeveri të pakicës me 61 kuvendarë, 20 nga të cilët joshqiptarë, dhe Beogradi nuk bën sërishmi asnjë problem.

Dhe nuk bën asnjë problem, sepse kryeministër i vendit është një person i instauar që në kohë të luftës dhe i përfolur për krime të luftës dhe të pasluftës, pikërisht në kohën kur bie edhe mandati i Gjykatës Speciale, dhe si pjesë e linjës së Tiranës/Kretës të instaluar pas takimit Nano-Milosheviq në Kretë, në dhjetor 1997 dhe që u parapri nga vrasja Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Hakif Zejnullahut dhe nga masakra mbi familjen e Adem Jasharit. Po ashtu, Beogradi nuk bën problem, sepse kryeministër i Kosovës është dikush që nuk e ka fare problem të takojë njeriun e dyshuar se mund të qëndrojë mbrapa vrasjes së Oliver Ivanoviqit, duke e ngritur në nivelin më të lartë shtetëror bashkëpunimin me strukturat mafioze serbe në Kosovë.

Pse vallë Ramush Haradinaj e ka takuar Radojiqin fill pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit? A kishte lidhje ky takim me këtë vrasje? Cili ishte interesi i Ramushit dhe i Kosovës që të ngrisë në nivelin më të lartë shtetëror bashkëpunimin me struktura mafioze serbe? Cilat ishin raportet e Oliver Ivanoviqit me Radojiqiqin? A mos ka qenë Oliver Ivanoviq dëshmitar në Gjykatën Speciale, apo edhe më keq, i akuzuar i mundshëm?

Përgjigjet në këto pyetje, e që domosdoshmërisht çojnë në vitet e luftës dhe të pas saj, kur edhe mund të zbulohen lidhjet agjenturore, mafiozo-politike dhe kriminale në nivel rajonal dhe më gjerë, e në të cilat janë të përfshirë krerë kryesorë dhe të rëndësishëm të të majtës shqiptare në Tiranë, në Maqedoni, në Kosovë Lindore dhe në Kosovë, me agjenturat serbe dhe agjentura tjera kundërshqiptare, dhe me mafian serbe dhe me mafie të shteteve të tjera kundërshqiptare. Në gjithë këto, duket se Oliver Ivanoviq mund të ketë pasur një rol të rëndësishëm, dhe mund të ketë qenë një dëshmitar i fortë dhe një personalitet që mund të ketë dhënë dëshmi, fakte dhe të dhëna të shumta si për lidhjet e këtilla të kohës së luftës, por edhe pas saj, si dhe të dhëna për skenarë shumë sekretë për destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit në përgjithësi.

Duhet të kujtojmë se Oliver Ivanoviq kishte rol të rëndësishëm në Veri dhe ishte personi kryesor që legalizonte atje edhe ndarjen, edhe strukturat serbe, duke mos ia shkoq fare takimeve me Bajram Rexhepin. Pra, Oliver Ivanoviq nuk ishte ndonjë lojtar i vogël në lojërat e ndyra në Veri në Kosovë, ku është një nga qendrat kryesore të vendosjes serbe në Kosovë, një nga qendrat kryesore të mafias serbo-shqiptare që kontrollojnë pjesën më të madhe të politikës në Kosovë, në Maqedoni, Kosovë Lindore dhe në shtetin aktual shqiptar.

Dhe gjithë këto mund të jenë arsye të ardhjes së beftë të Ilir Metës në Kosovë, e që më tej u bën jehonë edhe zërave për një investim të fuqishëm të Serbisë edhe në shtetin shqiptar për destabilizimin e tij si mënyrë për destabilizimin e rajonit. Duhet të kujtojmë se Sheshel para disa vitesh kishte bërë publike se Serbia kishte investuar miliona euro për destabilizimin e shtetit aktual shqiptar më 1997, kurse viteve të fundit është bërë publike një shimë prej qindra milionë euro që Serbia kish investuar për destabilizimin e Kosovës.

Krejt në fund, edhe pse kjo është temë e gjerë, duhet thënë se Gjykata Speciale ka vënë në lëvizje faktorët shqiptarë dhe serbë, por jo vetëm këta, nga frika se mos po i zbulon bashkëpunimet dhe lidhjet agjenturore kundërshqiptare, mos po zbulon implikimin e krerëve kryesorë nërajon në këto lidhje, dhe mund të godasë fort rrjetin agjenturor dhe mafioz në rajon që është këtu për realizim interesash kundërshqiptare. A ka lidhje vrasja e Oliver Ivanoviqit me të gjitha këto? Mbetet të shihet, megjithëse ka përpjekje të mëdha nga Beogradi dhe jo vetëm, që të prishet ky rast.