Pse korrigjimi i kufijve: Kosovë – Serbi, nuk paraqet rrezik për Luginën e Preshevës?!

10.08.2018 15:47:02

Nga Nexhmedin Saqipi

 

Korrigjimi dhe ridefinimi i kufijve administrativo – shtetëror midis Kosovës dhe Serbisë, është rruga më e mirë e realizimit të kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, konform vullnetit të shprehur me Referendum, para 26 vjetëve.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka vënë rastësisht në qarkullim idenë e korrigjimit të kufijve, në mes shteteve të pavarura: Kosovë – Serbi përmes dialogut të Brukselit, duke e parë si modelin më të përshtatshëm për zgjidhjen e problemit të qarkullimit të lirë të banorëve të zonave kufitare.

Lugina e Preshevës e shtrirë në mes këtyre kufijve, që lidhin Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë, me një pozitë gjeostrategjike, ka qenë dhe mbetet një gjenerator, që prodhon destabilitet politik dhe kolaps ekonomik.

Duke i parë të gjitha këto barriera si prodhim i politikave destruktive nga regjimet e mëparshme dhe ato aktuale, Lugina e Preshevës, duhet të korrigjohet nga kufijtë politikë, në mënyrë që ato të kthehen në ura bashkëpunimi dhe relaksimi, duke krijuar stabilitet politik, pa të cilin nuk ka zhvillim ekonomik.

Disa liderë politikë të Luginës së Preshevës, të frustruar dhe të ndikuar nga politikat shantazhuese, dalin publikisht me vërejtje se me korrigjimin e kufijve mund të humb Lugina e Preshevës, si dhe të cenohet tërësia e saj territorial.

Po të njëjtit politikanë, ka disa vjet që kërkojnë reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë, pastaj kanë kërkuar që zona kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, të shndërrohet në një zonë të lirë tregtare, në mënyrë që Lugina e Preshevës, të zhvillohet ekonomikisht dhe të avancohet politikisht.

Mirëpo, të gjitha këto nuk mund të arrihen pa korrigjim të kufijve, për çka po angazhohet presidenti Thaçi, i përkrahur nga qarqe të ndryshme politike e diplomatike.

Pse nuk duhet shqiptarët e Luginës së Preshevës, të shqetësohen me idenë e korrigjimit të kufijve?!

Përkundrazi, spektri politik dhe institucional i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duhet të rreshtohet përkrah opsionit të presidentit Thaçi, pa shprehur skepticizëm, zhgënjim dhe defetizëm.

Me korrigjimin e kufijve, duhet të kuptohet një herë e mirë se nuk cenohet e as të parcializohet tërësia territorial e Luginës së Preshevës, por përkundrazi relaksohet dhe afirmohet politikisht dhe ekonomikisht.

Statistikat flasin kështu: Komuna e Preshevës, shtrihet në një sipërfaqe prej 264 km2, 35 vendbanime, 23 Bashkësi Lokale, 5 zyre të vendit. Në bazë të regjistrimit të popullsisë në vitin 2002, në këtë komunë jetojnë 34.904 banorë. Ndërsa Komuna e Bujanocit, shtrihet në një sipërfaqe prëj 461 km2, 59 vendbanime, 27 Bashkësi Lokale, 7 zyre të vendit. Në bazë të regjistrimit të popullsisë në vitin 2002, në këtë komunë jetojnë 43.301 banorë. Këto dy komuna së bashku shtrihen në Rrethin e Pçinjit, në Serbi, kurse Komuna e Medvegjës,  shtrihet në një sipërfaqe prëj 524 km2, 44 vendbanime, 34 Bashkësi Lokale, 6 zyre të vendit. Në bazë të regjistrimit të popullsisë në vitin 2002, në këtë komunë jetojnë 10.760 banorë, e që për dallim nga komunat tjera simotra të Luginës së Preshevës, shtrihet në Rrethin e Jabllanicës.

Nga këto statistika, mësohet se këto tri komunat e Luginës së Preshevës edhe ashtu nuk paraqesin një tërësi territorial: Medvegja lidhet me Prishtinë, kurse Presheva dhe Bujanoci me Gjilan dhe Dardanë, Kamenica e dikurshme.

Por, këtu nuk qëndron problemi i njësisë territoriale, sa ai i kufijve administrative – shtetëror, të cilët me dekada paraqitën pengesat e qarkullimit të shqiptarëve këndej e matanë kufirit me Kosovën, duke zbrazur fshatra të tëra të Malësisë së Bujanocit, Karadakut të Preshevës dhe viseve etnike të Medvegjës.

Këta kufij, që sot kërkojnë korrigjim me dialog përmes rrugës së Brukselit, do të jenë motive kryesor i kthimit të Malësisë e Karadakut, në vatrat e tyre stërgjyshore, si dhe do të kthehen në një burim stabiliteti, paqe dhe fqinjësie të mirë midis dy shtetesh, që akoma shikohen përmes grykës së pushkës.

Me një korrigjim kufijsh, për çka angazhohet presidenti Thaçi, do të krijohet një klimë e mirë e raporteve ndërshtetërore dhe një inkurajim i bashkësisë ndërkombëtare për investime kapitale, që këto zona kufitare deri dje të përfshirë në flakë lufte, të kthehen në zona të lira tregtare, kulturore e arsimore.

Për fund, do të shtonim edhe një që na kanë lënë amanet të parët: “Kur të ndërtosh shtëpi, mendo edhe për komshi!”, ngase askush nuk e do fqinjin problematik. Kështu që Evropa nuk na do me problem të trashëguara nga e kaluara.

E shqiptarët e serbët, të cilët patën fatin politik e historik, të jenë pranë njëri-tjetrit si fqinj, të mirë ose të këqij, duke mos harruar gjithë ato gjëra, të cilat kanë ndodhur për shkak politikave shoviniste, duhen të lirohen nga mentalitetet e mbrapshta e t’i kthehen integrimeve euro-atlantike, perspektiva e ardhmërisë ndërnjerëzore, ndërshtetërore e ndërfqinjësore.

 

(Autori është themelues i Shoqatës së Gazetarëve “Etika” dhe drejtues i portalit informativ Jetapress për Luginën e Preshevës)