Pse lista “Srpska” po i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës?

18.10.2016 13:46:43

Nga Rexhep Kastrati

Lista “Srpska”, sot ka bërë me dije se pas ligjit për Trepçën, do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, edhe ligjin për investime strategjike. Është për të theksuar se ligji për Trepçën është dërguar në Gjykatë nga lista “Srpska”, pasi që qeveria e Serbisë kishte marr vednim për anulimin e atij ligji. Kjo do të thotë se lista “Srpska”, që thotë se nuk njeh shtetin e Kosovës, do të duhej të mos e dërgonte fare ligjin për Trepçën, e tash as ligjin për investime strategjike, por të mjaftohej me vendimin që ka marr qeveria e Serbisë. Fakti se të dy ligjet i çon në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, tregon se edhe qeveria e Serbisë, edhe lista “Srpska” e kanë të qartë se asnjë vendim i Beogradit lidhur me Kosovën dhe pasuritë e saj nuk ka fuqi juridike në Kosovë. Kjo do të thotë se Beogradi e pranon pafuqinë juridike që ka në raport me Kosovën. E nëse është kështu, atëherë pse nxjerr vendime që e di se nuk kanë kurrëfarë efekti juridik në Kosovë? A e ka thjesht për konsum të brendshëm, apo thjesht se nuk di si të reagojë ndryshe? Përveç kësaj, dërgimi i ligjeve në fjalë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, a do të thotë se lista “Srpska” do të njohë vendimet që do të marrë ajo? Pra, a do të pranojë ajo, e së këndejmi edhe Beogradi vendimet e Gjykatës Kushtetuese  të Kosovës, nëse ato thonë se këto ligje nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës? Me kaq, a do të përfundonte lufta e Serbisë kundër këtyre ligjeve? A do të pajtohej që Trepça dhe pasuria tjetër e Kosovës, është e Kosovës? Sigurisht këto janë pyetje që prekin thelbin e qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës, prandaj edhe si të tilla ngrehin dilema të shumta që kanë të bëjnë me mundësinë që Serbia të fillojë të braktisë Kosovën, ashtu siç po kërkon nga ajo bashkësia ndërkombëtare, por edhe lidhur me mundësinë e taktizimeve të ndryshme, përkatësisht intrigave të ndryshme që di t’i bëjë ajo.

Kur bëhet fjalë për taktizime dhe intriga, Serbia mund ta ketë në këtë kontekst edhe dërgimin e ligjeve për Trepçën dhe për investime strategjike duhet parë si një formë të veprimit procedural. Serbia ka thënë se ligji për Trepçën mund të dërgohet në arbitrazh ndërkombëtar, por në një formë më të lehtë: jo nga Serbia, se do të ishte njohje de facto e shtetit të Kosovës, por nëpërmjet serbëve lokalë, qoftë nëpërmjet përfaqësuesve të saj politikë, në këtë rast lista “Srpska”, qoftë edhe nëpërmjet administratës serbe në pjesën veriore. Në një rast të këtillë, del se dërgimi i ligjeve në fjalë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për listën “Srpska” nuk mund të ketë rëndësi se çfarë do të jetë vendimi, pasi që është e qartë se me kushtetun e Kosovës, është e përcaktuar çështja e pronësisë së Kosovës mbi pasuritë mbitokësore dhe nëntokësore. Për listën “Srpska” mund të shërbejnë vendimet e Gjyaktës Kushtetuese të Kosovës, edhe për përgatitjen e dosjes që do të dërgohej në arbitrazh ndrëkombëtar.

Përveç këtyre, është edhe një arsye praktike se përse lista “Srpska” i dërgon ligjet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës: të pengojë zbatimin e tyre. Është e qartë se në praktikën dhe rregullativën kushtetuese, një ligj nuk mund të zbatohet derisa nuk shprehet Gjykata Kushtetuese për kushtetutshmërinë apo jokustetutshmërinë e atij ligji. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse ndonjë palë që ka drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e bën këtë. Duket se lista “Srpska” e di se kanë mbetur më pak se një muaj nga likuidimi i Trepçës, kurse vonesa e Gjykatës Kushtetuese në vendimmarrje, do të mund të pengonte institucionet e Kosovës të bëjnë transfomrimin e Trepçës në kompani aksionare, sipas ligjit të miratuar dhe ta shpëtonte nga likuidimi. Pra, me dërgimin e ligjit për Trepçën në Gjykatën Kushtetuese, lista “Srpska” po përpiqet të pamundësojë zbatimin në kohë të atij ligji, përkatësisht ta çojë Trepçën në likuidim.

Edhe ligji për investime strategjike është ligj që prek Trepçën, por edhe kompani të tjera, pasi që hap rrugën për invesimin e kompanive të ndryshme, por edhe të qeverisë në çështje të natyrës straegjike, siç është Trepça, Brezovica etj., pra hap perspektivën zhvillimore dhe konsolidmin ekonomik  të kompanive të ndryshme. Prandaj, lista “Srpska” me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese, po synon të shmangë zbatimin e atij ligji, dhe kështu të pengojë edhe mundësinë që qoftë qeveria e Kosovës, qoftë investitorë të tjerë të mund të realizojnë investime strategjike dhe të rëndësisë së veçantë për Kosovën në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe në zhvillimin e vendit.