Pse more nuk përbaheni, por nguteni dhe e tregoni veten kllosharë?

11.04.2017 10:57:19

Nga Rexhep Kastrati

Tashmë kur Ismet Beqiri qartësoi se me “klloshar” nuk i është drejtuar një qytetari, as ndonjë të përvëluari për rugovizëm dhe për LDK-në, por një provokatori të sektës okulte të Albinit, doli se të gjithë ata që e ngritën këtë në nivel të një akuze publike, dhe për më tepër që ngritën edhe një fushatë primitive kundër sekretarit të përgjithshëm të LDK-së, po dalin të jenë vetë kllosharë.

Në fushatën primitive të akuzave dhe të shpifjeve, të përbaltjes dhe të etiketimeve të ndryshme, u përfshinë edhe të ashtuquajtur rugovistë, por që bëjnë punën e partive të tjera, u përfshinë edhe të tillë që u thirrën në Kosharen dhe vollën në mënyrën më rrugaçërore, dhe të tillë që u është mbushur mendja se janë komptentë për të folur dhe për të ndarë pleqëri për çështje të rëndësishme të kombit, e lë më për gjëra të tilla si drejtimi me epitetin “klloshar”, një provokatori të një sekte okulte që provokimin, inskenimin dhe viktimizimin e shpifur e ka zanat të saj.

Zelli me të cilin e inkuadruan veten në fushata primitive kundër Ismet Beqirit, vetëm pse është sekretar i LDK-së, edhe disa që shesin mend si të mençur, por që nuk janë asgjë tjetër pos një tufë kllosharësh që lidhje nuk kanë me ato që thonë dhe që shkruajnë, dhe për më tepër e mbajnë veten puro rugovistë, tregon se sa janë të mobilizuara strukturat mafiozo-politike, strukturat mafiozo-medietike në fushata kundër LDK-së.

Megjithatë, ky rast ka një anë pozitive, sepse bëri që të nxjerrin atë që kanë në bark dhe ua çori maskën shumë të tjerëve që mbajnë ders në emër të rugovizmit, dhe që shtiren se janë anëtarë apo simpatizues të LDK-së, e që bëjnë punën e partive të tjera.

Një keqardhje për keqpërdorimin e Koshares edhe për poshtërsira të tilla nga ata që para se të merren me intriga, shpifje dhe përbaltje, duhet të interesohen për të vërtetën për betejën e Koshares, për gjakun e dredhur dhe për heroizmat e realizuar gjatë asaj kohe.

Por kjo është ajo logjika e tribalizmit politik, e populizmit politik kur turren pa ditur se pse po turren, kur bëhen pjesë e plojës dhe dalin vërtet më shumë se kllosharë.