Pse Nasim Haradinaj i quajti “punë e madhe” vrasjet e njerëzve të LDK-së?

21.12.2017 14:54:38

Nga Rexhep Kastrati

Pas reagimeve emocionale dhe vetëpromovuese të disave, edhe unë i shkreti dy fjalë për deklaratën e Nasim Haradinajt:
1. Nasim Haradinaj mund të ketë shprehur opinionin e linjës së Tiranës/Kretës për vrasjet e njerëzve të LDK-së;
2. Nasim Haradinaj mund të ketë synuar të rikthente konfrontimet politike te pasluftës si mënyrë që të printe drejt tensioneve dhe polariteteve politike në kontekst të synimeve për të ndarë njerëzit në ata që janë pro dhe kundër Gjykatës speciale;
3. Të pengojë luftën e brendshme në linjën e Tiranës/Kretës që do të jetë një luftë e pamëshirshme brenda llojit pasi që me funksionalizimin e Gjykatës speciale shumë nga shokët apo ish-shokët do të jenë në tavolina të kundërta;
4. Do të dalin edhe bashkëpunëtorët dhe veglat e tyre kondomë brenda e rreth LDK-së që janë përdorur qoftë për të ndihmuar në vrasje politike të njerëzve të LDK-së, qoftë për të bërë rrëmujë LDK-në, qoftë për ta spastruar LDK-në nga njerëz meritorë dhe nga mbështetësit e saj besnikë, qoftë duke financuar funksionimin e grupeve dhe organizatave të tilla etj.
5. Do të hapej edhe kapitulli i vrasjeve politike brenda llojit siç është ta zëmë vrasja e Ilir Konushevcit, por edhe zinxhiri i vrasësve të vrasësve të njerëzve të LDK-së etj. Siç dihet, janë eliminuar shumica e vrasësve të atyre që kanë kryer vrasje politike, nga të cilat vrasje dihet vetëm vrasësi i Ruzhdi Shaqirit – Gani Geci, vrasje që ka ndodhë pas takimit të këtij të fundit me Hashim Thaçin dhe me Kadri Veselin në Llaushë të Skënderajt.
6. Deklarata e Nasim Haradinajt mund të ketë ardhë edhe si pasojë e dështimit të strukturave qeveritare, politike dhe parapolitike në Istog, dhe të veglave të tyre brenda e rreth LDK-së që mund të kenë qenë të interesuar të humbiste LDK në Istog. Dështimi në Istog mund të ketë vështirësuar skenarin për çarjen e LDK-së si mënyrë për të shmangur çarjet e tyre, pasi që do të ndikonte në krijimin e një fronti kundër LDK.