Pse ndodhi tërheqja “befasuese” e Thaçit nga ideja e shfuqizimit të Gjykatës Speciale?

01.02.2018 17:05:49

Në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar presidenti Hashim Thaçi i kishte filluar sulmet ndaj Gjykatës Speciale.

Më pas, këto sulme shkuan duke u shpeshtuar, ndërsa kulmi arriti natën e 20 dhjetorit kur u mor iniciativa prej 43 deputetëve që në një seancë të jashtëzakonshme të shfuqizohet Gjykata Speciale.

Megjithatë, pas shumë përpjekjes dhe reagimesh, duket se kjo Gjykatë do të vazhdojë të funksionojë dhe ta kryej misionin e saj ashtu siç është votuar në vitin 2015 po nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të nxitur nga presidenti Thaçi, i cili asokohe ishte ministër i Jashtëm.

Sot, shefi i shtetit tha se Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet dhe nuk do të shfuqizohet.

“Është qëndrim shtetëror”, tha ai,

Presidenti Thaçi ka shpjeguar pse në vitin 2015 kishte qenë aq pro krijimit të Gjykatës Speciale, që tani e konsideron padrejtësi historike që i është bërë Kosovës.

Thaçi ka thënë se mundësia e krijimit të një gjykate përmes sponsorizimit të Rusisë në OKB dhe vendeve të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, e kanë shtyrë atë të jetë pro krijimit të Gjykatës Speciale.

Iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ishte kritikuar ashpër nga BE-ja dhe SHBA-ja. Është thënë se nëse kjo ndodh atëherë Kosova do të izolohet tërësisht.

Kritikat fillestare të Thaçit për Gjykatën Speciale

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi teksa po merrte pjesë në organizimin e organizatave joqeveritare me temën ” perceptimin i Gjykatës Speciale”  në tetor të vitit të kaluar pati thënë se Gjykata Speciale ishte nevojë që ti kënaqnim akterët ndërkombëtare.

“Vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale erdhi si nevojë politike ndërkombëtare sesa për drejtësi. Pranimi ynë erdhi me arsyetimin se duhet të kënaq akterët tjerë që kjo çështje të mos delegohet tek Kombet e Bashkuara”, tha ai.

Tutje ai tha se Kosovës i është bërë padrejtësi pasi ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe i janë shtuar vështirësitë.

“Kosova mbajti fjalën e themeloi Gjykatën po bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmori asnjë hap. Kosovës veçse iu vështiruan mundësitë. Kosova u tregua me lojale por u ndëshkua më së shumti”, pati deklaruar ai.

Thaçi bazuar në hulumtim tha se kjo Gjykatë do të merret vetëm me shqiptaret dhe jo me serbet.

“Nuk do të merret asnjë rast për shqiptaret e vrarë, dhunën ndaj grave shqiptare, pra asnjë krim që kanë bërë në Kosove”, kishte thënë ai.