Pse ne nuk mund të kemi një fëmijë?” Gjinekologia ngre shqetësimin: Çfarë po ndikon në pjellorinë e çifteve

04.03.2021 13:18:14

Një studim i fundit i botuar në revistën “Environment International” dhe më pas edhe nw revistat kryesore shkencore, zbuloi se ato çifte që jetojnë me nivele mesatarisht më të larta të ndotjes kishin një rrezik 20% më të madh të infertilitetit.

Studimi u bazua mbi analizat e 18.000 çifteve në Kinë, por edhe të 600 grave që frekuentojnë një klinikë amerikane të infertilitetit. Sipas gjetjeve shkencore, rritja e ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit shoqërohej me një numër më të ulët të vezëve në vezore.

E ftuar në “Wake Up”, mjekja obstetër-gjinekologe, Enriketa Kroi tregoi faktorët që ndikojnë në uljen e numrit të lindshmërisë.

“Ne mjekët gjinekologë kemi mbi një dekadë që themi, kur na vijnë çifte infertile që është kjo arsye, kjo arsye, por është edhe ndotja e ajrit.

Ka mbi 15 vjet të paktën që ne e diskutojmë këtë, sepse na vijnë çifte që në ato ekzaminime që ne bëjmë, janë krejt normal. Pra, nuk kanë asnjë lloj problemi.

Dhe çiftet e dëshpëruara pyesin: ‘çfarë ndodh, pse ne nuk mund të kemi një fëmijë?’ Dhe ka mbi 15 vjet që ne themi, është edhe ndotja e ajrit.

Sot është provuar, mbase jo 100% shkencërisht, por është provuar, ka edhe një teori te saktë që tregon se ndotja e ajrit dëmton jo vetëm sistemin riprodhues, por gjithë trupin e njeriut”, sqaroi mjekja.