Pse Rama dëmton interesat e Kosovës?

21.10.2016 14:17:58

Besnik Mustafaj

Ditët e fundit në Prishtinë dhe në Tiranë ka marrë formën, do të thosha edhe histerike, një debat, sipas meje jo vetëm i pavend, por edhe i dëmshëm. Pyetja që shtrohet e që merr më së shpejti përgjigje krejt të kundërta, është: A ka të drejtë Edi Rama, me cilësinë e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, të flasë në skenën ndërkombëtare për Kosovën? Në të vërtetë është bërë një konfuzion. Pyetja shtrohet herë nëse Edi Rama ka të drejtë të flasë për Kosovën dhe herë nëse ai ka të drejtë të flasë në emër të Kosovës. Në fakt, janë dy pyetje shumë të ndryshme dhe që çojnë po ashtu në përgjigje shumë të ndryshme.

Por unë kam vënë re se debatuesit i mëshojnë retorikës sikur të ishte e njëjta pyetje, duke e përcjellë dashje pa dashje mjegullën e konfuzionit të tyre dhe në kokën e publikut. Shkak për këtë debat u bë vizita e fundit e Ramës në Beograd dhe bashkëbisedimi i tij publik me Kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiç. Në debatin që pasoi këtë bashkëbisedim u përfshinë politikanë të niveleve të larta në Prishtinë dhe në Tiranë e, sidomos, shumë nga penat më të famshme në të dyja kryeqytetet. Zërat në sulm kundër Kryeministrit Rama duken më të ndezur se ata në mbrojtje të tij. Në mbrojtje të Ramës erdhi në Tiranë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili, në një intervistë të gjatë, por të dobët me gazetarin Blendi Fevziu për emisionin e tij “Opinion” në TV Klan, nuk arriti gjë.

Unë bashkohem me të gjithë ata që ngulin këmbë se Kryeministri i Shqipërisë, qoftë ky Edi Rama apo ndonjë tjetër, nuk ka të drejtë të flasë në emër të Kosovës. I kësaj bindjeje kam qenë gjithmonë. Qysh në vjeshtë 2005, atëherë me detyrën e ministrit të Jashtëm, kur ende nuk ishte vendosur as çelja e negociatave për përcaktimin e statusit të Kosovës, jam shprehur se “Shqipëria nuk mund të jetë aktore në këtë proces, por ajo duhet të jetë aktive”.

Argumentet, me të cilat jam mbrojtur përpara morisë së kritizerëve në Tiranë, në Prishtinë, madje edhe në Beograd, përfshirë edhe zotin Hashim Thaçi, ishin se “aktorë duhet të jenë vetëm përfaqë- suesit legjitimë të Kosovës”. Kjo e drejtë ekskluzive e përfaqësuesve legjitimë të Kosovës për të folur në emër të vendit të tyre sot është shumë më e fortë se njëmbëdhjetë vjet më parë. Pra jo, Edi Rama dhe askush në Tiranë nuk ka të drejtë të flasë në emër të Kosovës. Por, Edi Rama dhe kushdo tjetër në Tiranë ka të drejtë të flasë për Kosovën.

Madje e ka detyrë kushtetuese të shprehet kudo, e sidomos në Beograd po erdhi rasti, se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Më konkretisht, çfarë tha Edi Rama në Beograd, gjatë bashkëbisedimit që pati me Aleksandër Vuçiç në panelin e një konference ndërkombëtare mbi sigurinë në rajonin tonë? Ai përsëriti atë që ia kishte thënë edhe dy vjet më parë homologut të tij serb, se pavarësia e Kosovës është një realitet që duhet të pranohet në Beograd. Hyri edhe në një debat qorr për privatizimin e Trepçës. Asgjë tjetër që do të meritonte vëmendje. Pyetja, që do të shtroja unë, është: A di Edi Rama të flasë për Kosovën?

Dhe do të përgjigjesha se jo, ai nuk di të flasë në një skenë ndërkombëtare për Kosovën. Sepse në një skenë të tillë ai nuk di të flasë as për Shqipërinë. Nuk njeh as fjalorin që kërkojnë rrethana të tilla, nuk njeh në thellësi as problematikën, që merr përsipër të shtrojë, nuk ka as edukatën njerëzore për t’iu përshtatur mjedisit. Pra, nuk ka asnjë nga cilësitë që kërkohen nga një Kryeministër për një mision të tillë. Por, i pushtuar nga deliri i madhështisë siç është, kërcen nga trampolina me sy mbyllur e këmbë përpara. Më mirë nga të gjithë shtetarët, me të cilët ai është takuar në sajë të detyrës që mban, këtë huq të Kryeministrit tonë e ka pikasur pikërisht Aleksandër Vuçiç. Ose të paktën Vuçiç ka guxuar ta shprehë me zë të lartë talljen ndaj mikut të tij shqiptar, njëherësh edhe homologu i tij.

Të paktën dy herë ka mundur ta dëgjojë gjithkush kishte veshë. Së pari në Vjenë, vitin e kaluar, dhe përsëri tani në Beograd. “Edi është udhëheqës global”, tha Vuçiç, “kurse unë jam kryeministri lokal i një vendi të vogël”. Edhe unë, që nuk e kam votuar Edi Ramën, jam ndier sinqerisht keq nga ky poshtërim i kryetarit të qeverisë së vendit tim. Me një fjalë, udhëheqësi global Edi Rama nuk di të flasë as për Shqipërinë, as për Kosovën. Sepse, si Shqipëria edhe Kosova janë vende të vogla për mendjen e tij të madhe. Për t’u kthyer te debati i ndezur këto ditë në Prishtinë dhe Tiranë, më duket se kritizerët e Edi Ramës shprehin një shqetësim të sinqertë, qoftë edhe kur ky shqetësim zmadhohet me tepri apo edhe tjetërsohet.

Ata druhen se Kryeministri i Shqipërisë, duke zënë skenën me ligjërimin për Kosovën, ngadalëson procesin e pjekurisë dhe të përgjegjësimit të udhëheqësve legjitimë të Kosovës, që do të thotë se dëmton procesin e shtetformimit në Republikën e re të Kosovës. Sipas mendimit tim është një shqetësim i kotë. Pjekuria dhe ndërgjegjësimi për përgjegjësinë tek udhëheqësit e një vendi arrihen vetëm përmes marrjes së vendimeve lidhur me problemet që Kosova ka për zgjidhje, si dhe përmes zbatimit në dinamikë të përditshme të këtyre vendimeve. Askush në Tiranë nuk e ka tagrin për të marrë vendime në emër të institucioneve të Kosovës. Dhe, në dijeninë time, askush nuk ka as tentuar madje t’ia japë vetes një tagër të tillë.

Është një cak, që udhëheqësve të Tiranës ua ka caktuar qartë i ndjeri Ibrahim Rrugova njëzet vjet më parë dhe ata nuk kanë guxuar t’i qasen, pavarësisht zellit të madh apo të vogël të njërit apo tjetrit për protagonizëm në kurriz të interesave të Kosovës. Ama, do thënë se Edi Rama, pikërisht për shkak të padijes dhe vetëm të padijes, përzier në ethen e tij të pashërueshme për ekzibicionizëm, një dëm të konsiderueshëm ia bëri Kosovës kësaj here në Beograd. Ai pranoi të hynte në një debat me Aleksandër Vuçiçin për çështjen e privatizimit të Trepçës. Të gjithë e panë si Vuçiç e gërvishti pa zor të madh injorancën e Kryeministrit tonë, kur i tha se ai (Rama) nuk e njihte këtë problem dhe se kur të kishin kohë pak më shumë, do t’ia shpjegonte. Poshtërimi individual i Edi Ramës në këtë rast ishte e keqja më e vogël.

Trepça është një pasuri me rëndësi të veçantë në ekonominë kombëtare të Kosovës. Por, në fjalë të fundit, ajo është vetëm një ndërmarrje, e cila, ashtu si qindra e qindra ndërmarrje të tjera në Republikën e Kosovës, do t’i nënshtrohej procesit të natyrshëm të privatizimit, për t’u përshtatur me rregullat e ekonomisë së tregut. Madje shumë ishte zgjatur mbijetesa e saj as gjallë e as vdekur si ndërmarrje komuniste. Privatizimi i Trepçës është kryer në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe është miratuar nga institucionet kompetente të kësaj Republike.

Nëse ka ankesa, ato do të shqyrtohen dhe do të zgjidhen po në gjykatat e Republikës. Askund tjetër. Në këtë kuadër, privatizimi i Trepçës është një çështje tërësisht e brendshme për Republikën e Kosovës. Dhe duhet të mbetet i tillë. Por udhëheqësi global Edi Rama, në pamjen globale që ka mbi botën, nuk e di dhe as nuk e kupton që ka çështje të brendshme, për të cilat nuk ka vend në një forum ndërkombëtar. Duke pranuar të flasë për privatizimin e Trepçës në një forum ndërkombëtar, aq më tepër në Beograd, Edi Rama i bëri një dëm të madh Kosovës.

Ai e legjitimoi kështu të drejtën, që i jep Serbia vetes të ndërhyjë lidhur me një çështje, e cila, në formë dhe në përmbajtje ka të bëjë vetëm me reformën e brendshme ekonomike të Republikës së Kosovës. Për më keq, forumi në fjalë kishte për temë sigurinë rajonale. Audienca para të cilëve bisedonin Kryeministri i Shqipërisë me Kryeministrin e Serbisë përbëhej nga politikanë të niveleve të larta të shumë vendeve, nga diplomatë dhe nga ekspertë me autoritet për sigurinë. Në këto rrethana, dashje pa dashjen e tij, Edi Rama i dha kësaj çështjeje një dimension të lidhur me sigurinë rajonale, duke e zhvendosur në një sferë, ku ndjeshmëria ndërkombëtare është natyrshëm e madhe.

E bëri këtë çështje pjesë të një problematike ndërkombëtare, pa qenë në të vërtetë e tillë. Unë parashikoj që diplomatëve të Kosovës do t’u duhet në vazhdim një mundim shtesë dhe pa sukses të garantuar për ta nxjerrë nga axhenda e veprimtarive të ngjashme, ku diplomatët serbë do të përpiqen me siguri për ta shtruar. Ky ishte vetëm një shembull, dhuratë e helmatisur, që Kryeministri i Shqipërisë, me zellin e tij të çuditshëm si avokat i Kosovës, u bëri së fundmi bashkëkombësve të vet në këtë periudhë veçanërisht të vështirë e delikate të përpjekjeve të tyre për të bërë shtet./Panorama