Pse Serbia po i fryen zjarrit të luftës? Ta ketë seriozisht?

18.02.2019 15:37:07

Nga Rexhep Kastrati

Një nga analistët serb, Dushan Janjiq konfirmoi atë që në forma të ndryshme jam duke e thënë që sa vite: interesimin e Serbisë për të destabilizuar Kosovën dhe për ta çuar atë drejt luftës.

Duhet thënë se ky interesim i Serbisë bie ndesh me Memorandumin 2 të Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve të Serbisë (ASHAS), në bazë të të cilës strategjia serbe duhet të bazohet në fitore paqësore të humbjeve me luftë, por jo edhe me traditën e mendësisë dhe strategjisë serbe që nga shekulli XIX, që dhunën dhe luftën i shihte si mënyra për të realizuar spastrimin etnik dhe pushtimin e territoreve.

E vërteta, ndërkaq, është ndërmjet Memorandumit ” dhe mendësisë e strategjisë serbe tradicionale, pasi që interesimi për destabilizimin e Kosovës deri në një luftë, e cila ka arsye të konstelacionit praktik dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Serbia e ka të qartë se derisa është KFOR-i në Kosovë, nuk mund të realizojë ndonjë invazion drejt saj, sepse do të ndeshet sërsihmi me NATO-n. Mirëpo, miratimi i tri ligjeve për FSK-në, dhe mandatimin e saj ligjor me kompetenca ushtarake, ka prekur thelbësisht edhe unitetin e NATO-s, dhe ka krijuar një situatë të përafërt me situatën në Bosnjë pas vendosjes së UNPROFOR-it. Siç dihet, masakrat e mëdha janë realizuar pikërisht pas vendosjes së UNPROFOR-it, pasi që ishin së paku dy ushtri armike.

Në Kosovë, ndërkaq, është një situatë më e ndërlikuar, pasi që KFOR ka bërë publik një informacion sipas të cilit, Hashim Thaçi kishte marr përsipër që FSK të mos veprojë në veri të Kosovës. Në një skenar që forcat speciale dhe paramilitare serbe që veç ekzistojnë jo vetëm në veri bashkë me rekurtët e tyre shqiptarë, të njohur në Mitrovicë dhe në veri me emra të ndryshëm, por edhe me lidhjet e tyre me strukurat mafiozo-politike shqiptare do të eskalonin situatën, dhe në një rast kur FSK do të urdhërohej që të shkonte në veri, siç u poat urdhëruar më 25 korrik 2011, atëherë Serbia do të kishte gjithë pretekstin për të ndërhyrë. Shto kësaj, se në rast të përpjekjeve të FSK-së për të shkuar në veri, atëher[ë do të kishte reagimin pengues të KFOR-it, sipas detyrimit të Thaçit për të mos e çuar FSK-në në veri, atëherë situata do të bëhej më e rëndë për Kosovën dhe më e lehtë për Serbinë.

Një situatë e tillë do të vinte në siklet edhe vetë NATO-n, e cila tashmë është e qartë se ka çarje të mëdha sa i përket qoftë mandatimit të FSK-së me kompetenca ushtarake, qoftë edhe për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe në rajon.

Në këtë kontekst, duhet thënë se Kosova do të mund të ishte edhe në konflikt me NATO-n, e cila do të mund të përfshihej në konflikt, ose do të mund të kishte edhe lëvizje të tilla, siç është tërheqja e KFOR-it nga Kosova. Në këtë rast, Serbia nuk do të mund të mjaftohej veç me aneksimin e veriut, por edhe në thellësi të Kosovës.

Në anën tjetër, fryrja e zjarrit të luftës nga ana e Serbisë duhet kuptuar edhe si luftë psikologjike, e cila ka të bëjë me forcimin e deformimeve të stresit post-traumatik, që do të kishin efekt të një fobie kolektive nga lufta, e cila do të përdorej nga Hashimi dhe klasa politike në përgjithësi për të arsyetuar ndonjë marrëveshje të dëmshme me logjikën: më mirë një marrëveshje e keqe, sesa një luftë e re.

Kjo luftë psikologjike do të varet shumë nga zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, dhe do të jetë më e fuqishme, sidomos nëse do të ketë kundërshtim të hapur dhe të fuqishëm të ndryshimit të kufijve, të cilët nuk mund të ndryshohen në mënyrë paqësore. Kjo luftë psikologjike do të mëtojë të bëjë të pranueshëm Asociacionin me kometenca ekzekutive, e që do të kishte autoritet mbi territorin, mbi pasuritë e tij, mbi doganat dhe mbi sigurinë e Asociacionit. Kjo i bie që të ketë autoritet mbi një pjesë të Kosovës, të ketë ushtrinë e tij, policinë dhe të ketë autoritet mbi doganat.

Duhet thënë se të dy skenarët janë të mundshëm, dhe do të mund të realizohen varësisht nga raporti e forcave brenda bashkësisë ndërkombëtare, qo do të varen shumë nga sjellja e klasës sonë politike.