Pse Serbisë nuk i ngutet për marrëveshje me Kosovën?

16.06.2018 12:07:31

Nga Rexhep Kastrati

Kur  i ishte bërë e qartë se Kapitulli 35 është një nga kushtet kryesore për integrimin e saj në BE, Serbia nëpërmjet zyrtarëve më të lartë, pra që nga presidenti i saj, Tomislav Nikoliq, kishte shprehur një reagim në kufijtë e paranojës.

Ky kapitull ka të bëjë me Kosovën, përkatësisht me detyrimin që Serbia të zbatojë marrëveshjet e Brukselit, dhe në raport me Kosovën të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore. Edhe pse nuk e detyron Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës, Kapitulli 35 e detyron atë ta braktisë atë, siç ka thënë edhe presidenti serb, Tomislav Nikoliq.

Zbatimi i këtij Kapitulli nga ana e Serbisë, qysh më 2015-2016 ishte paraqitur si problematik dhe i vështirë, dhe, siç ishte shprehur Nikoliq, do të thoshte luftë civile brenda saj.

Tashmë kur procesi negociator në Bruksel gjendet në fazën përfundimtare, dhe kur krahas tyre, janë zhvilluar edhe negociata paralele dhe ilegale ndërmjet Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit për çështje që lidhen me tema të tilla si sovraniteti, integriteti territorial etj., nga Brukseli u është dhënë si detyrë të dyja vendeve, arritja e një marrëveshjeje ligjore dhe përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Kjo është bërë edhe në frymën e Kapitullit 35 për Serbinë. Kjo marrëveshje është kusht për të dyja vendet në procesin e integrimit të tyre në BE.

Edhe pse ka një angazhim edhe ndërkombëtar që kjo marrëveshjeje të arrihet sa më shpejt, e më së largu deri më 2019, megjithatë Serbisë nuk po i ngutet për një marrëveshje të tillë. Pse vallë? A mund të jetë arsye frika se mund të ketë luftë civile në Serbi?

Edhe pse kjo mund të jetë një arsye, megjithatë, duhet pasur parasysh mundësinë që Serbia të provojë të destabilizojë Kosovën, ashtu siç ka bërë gjatë viteve, e sidomos gjatë viteve 2015-2017, dhe kështu të hapë rrugë për tre skenarët e mundshëm: 1. skenar ukrainas që do të thotë aneksim të veriut të Kosovës; 2. skenar për destabilitet rajonal dhe kur do të hapej çështja e kufijve, e që do të hapë rrugë edhe për të ashtuquajturin shkëmbim territoresh, dhe; 3. skenar për domosdoshmërinë që Aociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, pra të jetë një “Republika Srpska” në Kosovë.

Në fakt, Serbia ka dëshmuar se edhe tendencat për konflikte të brendshme i ka eksportuar jashtë saj duke shkaktuar lufta të ndryshme, prandaj nuk e ka për gjë që edhe vullnetin dhe interesin për destabilizim të rajonit, ta realizojë nëpërmjet të tjerëve, e në rastin e Kosovës, nëpërmjet vetë strukurave mafiozo-politike shqiptare që kontrollojnë politikën dhe institucionet shtetërore.

Strategjia për destabilizimin e Kosovës, është strategji që buron edhe nga Memorandumi i dytë i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Serbisë, të vitit 2011, e të hartuar nga Dobrica Çosiq dhe Lubomir Tadiq, e që është një dokument analitik dhe sintetik që shpërfaq strategjinë për destabilizimin e Kosovës, që të defunksionalizojë shtetin e Kosovës dhe të imponojë një klasë politike që e kontrollon ajo.

Prandaj, Serbia është e zënë, është e interesuar dhe është mjaft e angazhuar në destabilizimn e Kosovës, e jo për marrëveshje, ose që nëpërmjet destabilizimit të Kosovës, të imponojë marrëveshje të leverdishme për të.