Pse ta thërrasim Londrën dhe Scotland Yard-in, kur e kemi Tomën dhe Dardanin?

22.11.2016 23:14:35

Nga Rexhep Kastrati

Toma e paska ndarë përsëri: vdekja e Astritit është vrasje e pastër! Edhe pse kurrë një argument të vetëm nuk e ka dhënë as ai, as dikush tjetër nga sekta okulte e Albinit, megjithatë ne duhet të besojmë vetëm ato që thonë ata. Edhe nëse i mëshon dikush thumbit, dikush patkoit, sikurse që ndodhi me “eksperten” e tyre dhe me Tomën, e sot edhe me Shpend Ahmetin dhe Tomën, megjithatë ne duhet t’u besojmë atyre. Prandaj pse duhet ta thërrasim Londrën kur kemi Tomën? Pse duhet ta thërrasim Scotland Yard-in kur e kemi Dardanin? Mjafton të dëgjojmë çka thonë këta dhe të lëkundim kokën në shenjë miratimi dhe të mos dëgjohemi fare. Ani që Toma thotë se as raporti nuk thotë se Astriti ka bërë vetëvrasje, kurse “ekspertja” e tyre thotë se vetëvrasjen e kanë pasur supozim fillestar. Ani që Toma thotë se Astriti ka vdekur disa orë më parë se koha e shetitjes, kurse Shpendi thotë se ka informata se Astriti është gjetur me puls, ashtu edhe siç është thënë vazhdimisht. Ani që Dardani dhe Hysen Durmishi thonë se do të tërheqim zvarrë, kurse Shpendi thotë se nuk do të tërheqim zvarrë. Pra, pavarësisht se vetë thonë të kundërtat, por ne megjithatë duhet të besojmë ato që thonë ata. Dhe duhet të besojmë se ne jemi goja, jemi njerëz që kemi vullnetin për t’u sunduar, kurse sekta okulte, është sektë e pagabueshme, e përsosur dhe superiore. Dhe ne nuk duhet të besojmë tjetër por vetëm atë që do sekta okulte të besojmë, e jo ato që janë të vërteta në bazë të argumenteve dhe fakteve. Prandaj, po e përsëris: pse duhet ta thërrasim Londrën kur kemi Tomën? Pse duhet të thërrasim Scotland Yard-in kur e kemi Dardanin?