Nga Azem Parllaku
Mbrëmë Turqia u godit nga dy sulme terroriste në Stamboll dhe sipas raportimeve, shumica e viktimave kanë qenë policë të cilët besohet se ishin objektivi. Shpërthimet ndodhën dy orë pas një ndeshje mes dy ekipeve kryesore të Turqisë, Beshiktash dhe Bursaspor. Nga viktimat, 27 ishin policë. Presidenti Recepp Tayip Erdogan ka folur për ngjarjen. “Sot është organizuar një sulm terrorist, pas ndeshjes mes Besiktasit dhe Bursasporit. Sot kemi njerëz të lënduar dhe dëshmorë. Këto sulme po vijnë prej ISIS-it, organizatës FETO dhe terroristëve të PKK-së. Ne nuk do të përkulemi edhe para shteteve që i përkrahin këta terroristë. Ne do të vazhdojmë luftën kundër tyre. Ngushëllime dëshmorëve dhe shërim të lënduarve”, u shpreh ai. “Turqia, e cila është kthyer në shënjestër për shkak se po prish lojërat e pista që luhen në rajon, nuk do t’i dorëzohet terrorizmit; përkundrazi, do të vazhdojë me vendosmëri maksimale luftën e saj kundër terrorizmit. Dënoj fuqishëm sulmin tradhtar në Adana. Mallkoj me gjithë shpirt terrorizmin dhe përkrahësit e tij. Lus Allahun që të mëshirojë viktimat dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit”, tha zv/kryeministri Kurtulmus nga llogaria e tij zyrtare dje në median sociale. Sido që të jetë, aktualisht shteti turk ndryshe nga shtetet tjera është i detyruar për të luftuar turmën më të larmishme të njerëzve të jashtëligjshëm, të prirur për të shkatërruar mënyrën e jetesës së qytetarëve të tij në mijëvjeçarin e ri. Terroristët në Turqi, vënë në shënjestër jo vetëm shtetin, por edhe qytetarë turq të zakonshëm. Nën shënjestrën e terrorit janë vënë edhe mësues, gazetarë, klerikë myslimanë, teknikë e administratorë vendorë, të nuhatur nga terroristët si agjentë të shtetit dhe qeverisë. Turqia është një mjedis ku veprojnë mbeturinat e epokës së Luftës së Ftohtë dhe besnikët e lëvizjeve politike më bashkëkohore. Këto të fundit ndjekin një larmi kauzash, duke pretenduar përfaqesimin e zemërimeve të ndryshme dhe kauzat e tyre përfshijnë shtypjen e një pakice etnike, shtypjen e një klase shoqërore, shtypjen e gjithë kombit nga “oligarkia”, shtypjen e myslimanëve nga “përbetimi sionist global”, etj. Megjithëse të copëzuar për nga qëllimi, këta terroristë i kanë shkaktuar Turqisë një dëm të konsiderueshëm, ku si pasojë e akteve të terrorit që nga viti 1984 e deri parmbrëmë kanë humbur jetën më shumë se tridhjetëepesë mijë qytetarë turq. Përgjatë viteve 1970, problemi më i madh i Turqisë me terrorizmin kishte të bënte me marksistët, në vitet 1980, me seperatistët kurdë, në vitet 1990, ndër grupet tjera terroriste, ishin fundamentalistët islamikë ata që ranë më shumë në sy. Në shekullin e 21-të, Turqia është e kërcënuar nga bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i bandave dhe banditëve vendas me terroristët dhe terrorizmin ndërkombëtar. Autoritetet dhe ekspertët e luftës ndaj terrorizmit në Turqi, kanë ngritur pyetjen se: çfarë e shtyn një shtetas turk të rekrutohet për llogari të organizatave terroriste dhe të marrë pjesë në aktet e tyre të paligjshme?! Emëruesit e përbashkët që ata kanë zbuluar, dëshmojnë se, një terrorist turk i zakonshëm ka inteligjencë mesatare, nuk është shumë i ndjeshëm ndaj mjedisit, është i mbyllur në vetvete dhe manipulohet lehtë. Ajo që është interesante në lidhje me këto përfundime është se midis terroristëve të dënuar dhe atyre që dyshohen, ka ithtarë të ideologjive të ndryshme, shumica e të cilëve vijnë nga fshati, janë të pashkolluar, e flasin keq turqishten. Kushtet ekonomike, ndjeshmëria fetare (përfshirë divergjencat midis sekteve, si ai midis shumicës turke sunite dhe pakicës alavite), vetëdija etnike dhe trysnia nga strukturat shoqërore feudale e bën një qytetar të zakonshëm turk, të bie në rrjetën e organizatave terroriste. Sfondi i terrorizmit në Turqi, ka njohur disa valë; Në fund të viteve 1960, është përjetuar vala e parë e terrorizmit politik, kur studentët marksistë rrëmbyen armët për të luftuar kundër regjimit. Kjo valë terrori, ku rrëmbimet, grabitjet dhe vrasjet vazhduan në harkun kohor të tre viteve, u fashit pas shtypjes së terroristëve nga ushtria turke, teksa një pjesë e udhëheqësve terroristë u arratisën nga vendi për në Europë dhe në vendet e Lindjes së Mesme. Vala e dytë e terrorit është shënuar në vitin 1974, kur shumica e terroristëve të dënuar në vitin 1971, u liruan nga burgu falë një amnistie të motivuar politikisht të dhënë nga qeveria e kohës. Përgjatë këtyre viteve grupe më të mëdha dhe të zhdërvjellta, shpërthyen një terrorizëm të shfrenuar, që turqit nuk e kishin parë kurrë. Pas shtatorit të vitit 1980, rendi u vendos duke zbatuar ligjin e gjendjes së luftës në mbarë vendin, pasi Forcat e Armatosura, morën pushtetin nëpërmjet një grushti shteti pa gjakderdhje. Në vitin 1984, pasi Turqia ishte rikthyer në demokraci, seperatistët kurdë filluan të sulmojnë avanpostet ushtarake në pjesën juglindore të vendit, duke njoftuar fillimin e një forme të re të terrorizmit në Turqi: konfliktin rural etnikisht nacionalist me intensitet të ulët. Kjo formë e re terrori i’u shtua asaj të llojit marksist urban më tradicional, ashtu dhe asaj të terrorit të fundamentalistëve islamikë, dhe zgjati deri në vitin 1999, pas një sërë operacionesh të suksesshme kundër terroristëve seperatistë kurdë, marksistëve dhe fundamentalistëve islamikë. Ndërsa sot, shteti turk e “gjen” veten në një pozitë të pashmangshme detyrimi për të luftuar kundër valës së katërt të terrorizmit, si rrjedhojë e fajtorëve dhe fototekës së kriminelëve, me mbështetje morale, politike, materiale dhe strehuese si nga jashtë, ashtu dhe nga burimet e brendshme. Shumica e organizatave terroriste turke edhe pse të jashtëligjshme gëzojnë njohjen e kauzës së tyre “të drejtë dhe të admirueshme”.