PSG i jep leksion Bayern Mynihut

27.09.2017 23:08:26

Paris Saint-Germain ka shkatërruar Bayern Munich në “Parc des Princes”, me rezultatin 3-0 dhe ngjitet në krye të Grupit B të Champions League, me pikë të plota, me tetë gola të shënuar dhe asnjë të pësuar. Polemikat Cavani-Neymar, për çështjen e penalltive, nuk kanë ndikuar te skuadra franceze, që mposhti kampionët e Gjermanisë me një rezultat që do të mbahet mend gjatë.

Dani Alvesh shënoi golin e parë për skuadrën e drejtuar nga Unai Emery, pas vetëm dy minutash lojë, duke përfituar nga një përgjumje e mbrojtjes bavareze. Kur u mbush gjysmë ore lojë, Edison Cavani u bë futbollisti i pestë në historinë e Champions League, që shënon në gjashtë ndeshje radhazi. Uruguajani imitoi Van Nistelrooy, Chamakh, Yilmaz dhe Cristiano Ronaldo kur mposhti për herë të dytë portierin Ulreich.

PSG i mbylli llogaritë në minutën e 63-të. Me një veprim të shkëlqyer teknik, Kylian Mbappe futi në panik mbrojtjen e Bayern dhe i dha mundësinë Neymar të shënonte golin e tretë për vendasit. Paris SG ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve, ndërsa Bayern ka tre pikë pikë, aq sa Celtic, që fitoi në ndeshjen tjetër të Grupi B, 3-0 në fushën e Anderlecht. Goli i Griffiths, një autogol nga Kara dhe goli i Sinclair në minutën e fundit, vulosën suksesin e skocezëve.