Psikologët në shkolla, plotësim i nevojave të nxënësve apo mburrje e udhëheqësve në rapotet për punën e tyre?!

04.11.2018 22:43:51

Shëndeti mendor është një nga fushat më të rëndësishme të jetës sonë. Për nga rëndësia është i barabartë me shëndetin fiziologjik, edhe pse edhe në vendin tonë nuk trajtohet si i tillë. As ne si individ nuk i japim rëndësinë e duhur shëndetit  mendor, e as  udhëheqësit tanë. E them këtë duke u bazuar në numrin shumë te vogël të profesionistëve të shëndetit mendor të punësuar në institucionet përkatëse.

Nga Thëllëzë Kastrati 

Përkundër faktit se reparti i Psikiatrisë në Prizren nuk ka psikolog, duke shkelur kështu një nga detyrimet profesionale-shëndetësore, si dhe një nga të drejtat primare të njerëzve që nuk gëzojnë shëndet të mirë mendor, të drejtën e tyre për të marrë trajtimin e duhur, fillimi i inkuadrimit të psikologëve në shkolla duket si një hap i rëndësishëm (edhe pse shumë i vonshëm) drejt dhënies së rëndësisë së duhur shëndetit mendor dhe profesionistëve të shëndetit mendor.

Por ky hap duhet të konceptohet si plotësim i një nevoje të domosdoshme të nxënësve tanë, dhe jo nevojës së udhëheqësve për tu mburrur me punën e tyre.

Në rast se konceptohet si plotësim i nevojës së nxënësve tanë, punësimi si psikologë  i mësimdhënësve të psikologjisë që nuk e kanë të plotësuar normën e tyre në po të njejtën shkollë në të cilën japin mësim, është marrdhënie e shumfishtë. Kjo marrdhënie shyrtohet në kodin e etikës së Asociacionit Amerikan të Psikologjisë në kapitullin e tretë marrdhëniet njerëzore, përkatësishtë në nënkapitullin 3.5 marrdhëniet e shumëfishta, ku një psikolog duhet të refuzoj të hyjë në një marrdhënie të shumëfishtë në rast se kjo ndikon në objektivitetin, kompetencën dhe efektivitetin në ushtrimin e detyrës së tij si psikolog, në të kundërtën rrezikon të shfrytëzoj e të dëmtoj klientin. (Ethical principles of psychologists and code of conduct, APA 2017)

Edhe nëse nuk e ke shkollimin e duhur profesional për të pasur njohuri mbi etikën e psikologjisë (gjë që në rastin tonë kryetari i komunës e ka) dhe nuk ke mundësinë të konsultohesh me një profesionist, të kuptosh se një mësimdhënës nuk mund të jetë psikologu i nxënësve në të njejtën kohë është shumë thjeshtë. Si fillim asnjë nxënës nuk do të shkonte të fliste për problemet e tij me psikologun i cili do ti jap mësim përsëri të nesërmen. Në rast se kjo do të ishte obligative për nxënësin, përsëri do ti kishim problemet e cekura në kodin etik, si humbja e objektivitetit, kompetencave dhe efektivitetit në ushtrimin e detyrës.

Në rast se e kemi parasysh këtë dhe përsëri vazhdojmë e punësojmë si psikologë mësimdhënësat e psikologjisë në po të njejtën shkollë në të cilën japin mësim, si shembulli i gjimnazit “Gjon Buzuku”, pëmbushja e nevojave të nxënësve  është gjëja e vetme që nuk po mendohet. Mungesa e buxhetit nuk është arsyetim në rast kur kjo marrdhënie mund të shmanget nëse po ai person angazhohet në një shkollë që në të cilën nuk është i angazhuar si mësimdhënës./fokusi.org/