Psikologët: Tragjedi martesa e fëmijëve në Malishevë

20.09.2016 15:12:09

Psikologia Albana Demiri e quan tragjike martesën e dy fëmijëve nga Malisheva, djalit 14 vjeçar dhe vajza 13 vjeçare.

Ajo thotë se mosha më e hovshme e zhvillimit të të gjitha aspekteve të njeriut ( zhvillimit fizik, kognitiv, afektiv, social), në shekullin 21, kjo fazë e rëndësishme e zhvillimit, tek ne, sipas saj, është tragjedi të fillojë me martesë.

“Përderisa individi në këtë moshë është në kërkim të njohjes së vetvetes, të gjetjes së identitetit të tij, të formimit të personalitetit të tij, të ndryshimeve të mëdha shpirtërore ata vendosin për gjënë më të rëndësishme në jetë, martesën, sepse ata nuk e dinë që ndryshimet dhe zhvillimi i emocioneve të tyre sapo ka filluar dhe i tundon ata shpirtërisht. Si pasojë e mos informimit të tyre, mos edukimit të mirëfilltë  nga ana e prindërve, psikologëve qe nuk kemi askund, mësueseve, ata nuk arrijnë as ta njohin veten e tyre e ta duan e lëre më tjetrin që ka vendos të martohet me të.  Ata  nuk fajësohen sepse jetojnë me ëndrrat e tyre të keqthurura që  ua ngacmon trurin e zemrën e vogël. Për ata kështu është e drejtë, sepse nuk e dinë se çka ndodh me ta. Këtu fajësohet familja dhe rrethi ku ata jetojnë”, thotë Demiri për Lajmi.net

Kjo ngase, sipas saj, nuk ju jepet e drejta të miturve të njihen me zhvillimet e tyre, që ndodhin, me ndryshimet e organeve të tyre, me gjendjet shpirtërore te tyre, ata kanë iluzione për njëri tjetrin, jo dashuri !

“Adoleshentin e verbërojnë iluzionet dhe ëndrrat! Ai nuk arrin ta bëjë vet zbulimin e tij, prindërit dhe psikologu shkollorë janë si një trekëndësh për formimin e tij si person në të ardhmen ata duhet patjetër të bashkëpunojnë tërë kohën së bashku që fëmija i moshës 13 vjeç ta ketë më të lehtë të kalojë këtë fazë të vështirë. Ky bashkëpunim tek ne mungon në shekullin 21. Jo vetëm qe mungon por edhe të dërgohet për këshillim tek psikologu nga e ana e prindërve është  e turpshme dhe ende tabu”, thotë Demiri.