Publikimi i përgjimeve nga Bilt/ A po synohet rritja e histerisë kolektive në prag të protestës së 8 qershorit?

05.06.2019 13:51:22

Nga Rexhep Kastrati

Gazeta gjermane, Bilt, ka publikuar përgjime të bisedave të ndryshme të politikanëve dhe mafiozëve shqiptarë në shtetin shqiptar.

Është afërsisht si skandali PRONTO, por në përmasa shumë të mëdha.

Mirëpo, për dallim nga publikimi i sferës PRONTO, që u shfaq bashkë me një portal të ri, më gjasë enkas për këtë punë, afera në shtetin shqiptar po bëhet publike nga një media gjermane, e njohur për një imazh jo serioz dhe aspak profesional, i ngjashëm me do portale skandaloze të ne.

Edhe pse në ato përgjime nuk ka diçka që nuk është ditur, në kuptimin e ndërlidhjeve mafiozë të politikës shqiptare, megjithatë më publikimin e tyre është llogaritur në sensacionalitetin e tyre.

Sigurisht çdo kush do të pyeste: ku i ka marr “Bilt” këto përgjime dhe cili është interesi i opinionit gjerman për to?

Është e qartë se këto përgjime nuk i interesojnë opinionit gjerman, sepse absolutisht nuk dinë kush është Vangjush Dako në ikje, dhe as BND-së gjermane nuk do t’i interesonte të jepte përgjime të tilla për dikë që po ikën, dhe nuk do ta diskreditonte veten me një Bilt.

E vetmja palë që do të kishte interes për të bërë publike përgjime të tilla është pozita dhe opozita shqiptare, pasi që më 8 qershor ka protestën e radhës dhe ndoshta protestën më të dhunshme të saj.

Këtë e bën edhe më të besueshëm fakti se këto përgjime filluan të bëhen publike në kohën kur Lulzim Basha dhe Ilir Meta ishin në Gjermani, sikurse edhe një delegacion i PS në krye me Taulant Ballën.

Është shumë i rëndësishëm fakti se në shtetin shqiptar si pozita, ashtu edhe opozita janë të vendosura të shkojnë drejt destabilizimi të gjendjes!

Edhe fakti se bëhet fjalë për përgjime të Vangjush Dakos, i cili nuk do të kandidojë më për kryetar të Durrësit, pra për një politikan në ikje, është mjaft domethënës, sepse nuk i përbën ndonjë problem vetë Edi Ramës, sepse tashmë është bërë modë të thuhet se është përdorë emri pa dijeninë e atij që i përmendet emri.

Prandaj, publikimi nga Bilt mund të jetë bërë kundrejt ndonjë shume financiare që mund të ketë marr qoftë nga opozita, qoftë nga pozita shqiptare, jo për opinionin gjerman, por për opinionin shqiptar, sepse janë portalet shqiptare që në vazhdimësi janë duke i dhënë ato përgjime.

Po pse nuk i kanë shfaqur ato përgjime mediat dhe portalet shqiptare drejtpërdrejt e jo nëpërmjet Kultit?

Së pari ka të bëjë me neutralitetin që mund të pretendohet ngaqë Bilt është media gjermane, ani që vetë gjermanët nuk e marrin shumë seriozisht.

Së dyti, mund të ketë përpjekje që krahas ndikimit në publikun shqiptar, të pretendohet edhe në fuqizimin e përkrahjes gjermane për palët e caktuara në shtetin shqiptar.

Të dyja këto mund të kenë ndikim në besueshmërinë e kauzës së opozitës, e cila nuk ka ndonjë përkrahje të madhe ndërkombëtare, madje as nga vetë CDU, pasi që e kanë të qartë se mbrapa kësaj kauze fshihen synime destabilizuese, implikime agjenturash, por edhe flirtime politike ndërmjet Ramës dhe Bashës.

Arsyeja e tretë ka të bëjë me dy të parat, pasi mediat dhe portalet shqiptare janë të komprometuara edhe për shkak të financimeve të shteteve të ndryshme, edhe për implikime agjenturore, edhe për shkak se janë të përfshira në skandale sikurse politika.

Të publikuara dy-tri ditë para protestës së 8 qershorit, këto përgjime kanë qëllime senzacionaliste, të nxitjes dhe fuqizimit të histerisë kolektive me mundësi shndërrimi në protesta të dhunshme që do të përhapeshin edhe në hapësirën shqiptare.

Kam theksuar vazhdimisht se agjentura kundërshqiptare do të bëjnë gjithçka për të destabilizuar hapësirën shqiptare si të vetmen mënyrë për të shpallë shqiptarët si fajtorë kujdestar dhe për të hapur rrugën për ndryshim kufijsh në rajon.

Përvoja e publikimit të përgjimeve si në shtetin shqiptar, asht i edhe në Kosovë tregon se pos efektit senzacionalist dhe për qëllime të politikës ditore, nuk ka prodhuar ndonjë rezultat në forcimin e shtetit ligjor!