Publikohet platforma e dialogut: Sovraniteti i Kosovës është i padiskutueshëm

15.02.2019 12:33:58

Është publikuar draft-platforma e hartuar nga delegacioni i Kosovës i bisedimeve, ku shkruhet se sovraniteti i Kosovës është i padiskutueshëm


Kjo Platformë përcakton parimet dhe qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut.

Përmes saj synohet arritja e konsensusit sa më të gjerë politik dhe shoqëror në procesin e dialogut me Serbinë.

Ndryshe, në këtë draft-dokument thuhet se qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme.

Më tej thuhet se Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet të jetë e qartë dhe pa dykuptimësi. “Përvoja tregon se qasja e dykuptimёsisё konstruktive ka rezultuar në zbatimin asimetrik të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, thuhet më tej.

“Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që ‘sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj”.