Punimet për TAP, del në dritë kapiteli i shekullit VI

29.07.2016 08:10:03

kapitel-1-140x200Një kapitel i shekullit të VI-të është zbuluar në Polenë të Skraparit, gjatë punimeve të  projektit TAP. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare njofton se gjatë punimeve për zgjerimin e rrugëve hyrëse që TAP që po realizohen në Çorovodë, në Polenë Skrapar, seksioni Zogas-Potom, u zbulua një kapitel paleokristian”. Burime nga TAP bëjne të ditur se, punimet u ndërprenë menjëherë pas evidentimit të gjetjes në kantier, ndërsa ekspertët po kujdesen për ekzaminimin dhe ruajtjen e këtij objekti. Tek përshkrimi i gjetjes, DRKK shënon se: “Gjetja u përcaktua si një kapitel i një kolone të një monumenti (strukturë me natyrë fetare), ndoshta kishë të shekullit të 6-të të e.s. Kapiteli është 0.40 m i lartë dhe diametri i bazës rrethore të tij është 0.24 m. Baza rrethore e kapitelit ka të ruajtur në qendrën e saj një gropëzim që shërbente për lidhjen e tij me trupin e kolonës (me metal të derdhur). Trupi i kapitelit vjen duke u holluar lehtësisht në mes dhe zgjerohet në pjesën e sipërme të tij, duke marrë formë katërkëndëshe. Lënda e parë e përdorur për kapitelin është gur gëlqeror cilësor dhe trupi i tij është zbukuruar me vija të thelluara, që krijojnë tetë figura florale të përsëritura dhe që lidhen në mënyrë harmonike me njëra-tjetrën”.