Pushimet s’kanë të ndalur për institucionet e Kosovës

02.04.2018 12:17:51

Sot në të gjitha institucionet publike të Kosovës është ditë pushim. Kjo për shkak të Pashkëve Katolike.

Sipas Ligjit për Festa zyrtare nëse festa i bie të jetë të shtunën ose të dielën atëherë kompensimi i saj bëhet në një ditë të punës, që zakonisht bëhet të hënave.

Kështu për shembull 17 Shkurti, dita e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës i ka rënë që të jetë e shtunë, atëherë institucionet nuk kanë punuar të hënën më 19 shkurt.

Edhe sivjet shpesh bie që festa të jetë të shtunën ose të dielën, ndërsa të pushohet në ditën pasuese të punës.

Dje (1 prill) është festuar festa e Pashkëve, ndërsa sot është ditë pushim. Njëjtë do të jetë edhe javën që vjen.

Më 8 prill ( e diel) është dita e Kushtetutës dhe po ashtu janë edhe Pashkët Ortodokse. Të hënën më 9 prill në kalendarin e festave zyrtare është ditë pushimi, shkruan KP.

Por,  cilat janë ditët e festave që institucionet e Kosovës e kanë pushim.

Pas 9 prillit, ditë pushimi do të jetë edhe për 1 Maj që i bie të jetë e martë. Po në maj do të jetë edhe një festë tjetër. 9 maji është Dita e Evropës, por në Kosovë ka hyrë në kalendarin e festave zyrtare.

Pushim institucionet publike do ta kenë edhe më 15 qershor, kur është dita e Bajramit të Madh që i bie të jetë ditën e premte.

Ndërsa, më 21 gusht do të jetë dita e Bajramit të Vogël.

Prej gushtit e deri më 25 dhjetor kur janë edhe Krishtlindjet katolike, në kalendarin e festave zyrtare nuk është shënuar ndonjë ditë.

Por pavarësisht kësaj ka disa vjet që për 28  Nëntor, dita e pavarësisë së Shqipërisë është ditë pushimi, pasi që kjo festë ka hyrë vetëm në kalendarin e festave memoriale por jo edhe në atë zyrtare.

Deputetët e Kosovës kanë kërkuar që ligji për Festat Zyrtare t

ë ndryshohet por një gjë e tillë ende nuk është shqyrtuar në Parlament.

Festat zyrtare në Kosovë janë: Viti i Ri-1 dhe 2 janar; Krishtlindjet Ortodokse; Dita e Pavarësisë së Kosovës-17 Shkurti; Pashkët Katolike; Pashkët Ortodokse; Dita Ndërkombëtare e Punës 1 maj; Dita e Evropës- 9 maj; Bajrami i Madh; Bajrami i  Vogël; Krishtlindjet katolike.