Putin, shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe Kosova

16.10.2016 22:07:36

Nga Rexhep Kastrati

Para disa muajve, Daniel Server kishte thënë se gjithçka që po bën Rusia në Ukrainë, Siri e gjetkë, është hakmarrje e saj ndaj SHBA-ve për shkak të Kosovës. Kjo do të thotë se pavarësia e Kosovës që u realizua me mbështetjen e plotë të SHBA-vë dhe të aleatëve të tjerë perëndimorë, për Rusinë paraqet një arsye madhore për të cenuar paqen dhe sigurinë botërore, duke rrezikuar edhe shpërthimin e Luftës së Tretë Botërore. Mirëpo, para se ta thoshte Daniel Server, vetë Putin ishte kujdesur që të deklaronte se për të, pra për Rusinë më shumë kishte rëndësi Kosova se Irani. Këtë e kishte thënë në kulmin e krizës iraniane për dyshimet për armë bërthamore, pra kur kjo krizë ishte kriza kryesore botërore dhe kriza që kishte acaruar rëndë marrëdhëniet SHBA – Rusi. Por kjo ishte kohë kur negociatat e Vjenës thuajse ishin në fund dhe kur tashmë dihej se propozimi për pavarësinë e Kosovës do të ishte pjesë e Propozimit Gjithëpërfshirës pêr Statusin e Kosovës të presidentit Ahtisari. Pra, Putin në kulmin e një krize globale, që po ashtu, mund të shpêrthente dhe të kishte pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë botërore, e vlerësonte Kosovën më të rëndësishme për Rusinë. Dhe po të lëshonin pe SHBA-të në rastin e Kosovës, Rusia do të lëshonte pe në rastin e Iranit. Dhe kjo të lëshuar pe, do të thotë një zgjidhje për Kosovën më pak se pavarësia. Por SHBA-të që kishin udhëhequr NATO-n në një fushatë bombardimesh kundër Serbisë që të shpëtojë një popull nga masakrat, gjenocidi dhe spastrimi etnik,  dhe që më 10 qershor 2007 do ta deklaronin hapur nëpërmjet presidentit Bush të birit, se ka ardhur koha për pavarësinë e Kosovës, nuk pranuan asnjë kompromis, nuk pranuan të zhgënjejnë shqiptarët që kishin varë shpresat te Zoti dhe te Amerika. E jo vetëm kaq: më 2015 vjen Xhon Kerry dhe i siguron shqiptarët: sovranitetin jua garantojmë ne. Kjo do të thoshte se SHBA-të, pavarësisht krizave të rënda globale dhe sfidat që ia shkaktonte Rusia dhe disa shtete idiote evropiane, aleate të Serbisë dhe të Rusisë, do të mbêshtesin fort Kosovën. Përkundër këtyre, dalin disa idiotë shqiptarë që u kundërvihen SHBA-ve dhe angazhohen në projekte dhe skenarë serbo-rusë për destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit. Me mendësinë e lagjes, me djallëzi dhe me manipulim ndjenjash të qytetarëve të Kosovës, këta idiotë mundohen ta zhvendosin Kosovën dhe shqiptarët nga konteksti gjeopolitik euro-atlantik në krye me SHBA-të për ta vendosur sërishmi në kontekstin gjeopolitik sllavo-ortodoks. Angazhimi i Serbisë, i Rusisë dhe i shteteve të tilla si Franca për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin, është angazhimi për të rikthyer disavantazhet që Serbia dhe linja Moskë – Det Adriatik pësoi me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Në fakt, shpërbërja e ish-Jugosllavisë ishte mundësia e vetme që Kosova të mund të shkëputej nga komteksti gjeopolitik sllavo-ortodoks, përkatësisht të funksionalizohej dhe të faktorizohej në kontekst të zhvillimeve rajonale dhe më gjerë. Procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë që ka kaluar në disa faza, nuk është përmbyllur ende. Ky proces do të vazhdojë ashtu siç e kishte parashikuar presidenti Rugova dhe drejtuesit e lëvizjes për liri, pavarësi, demokraci, me ndryshimin e kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë, përkatësisht me ndryshim kufijsh të disa shteteve të dala nga ish-Jugosllavia. Ky proces mund të përfundojë në të mirë të shqiptarëve nëse do të zbatohen pikë për pikë udhëzimet e SHBA-ve të cilat duan që Kosova dhe shqiptarët të forcohen në rajon dhe të presin kur të tjerët (serbët, kroatët) të provojnë dhe nxisin ndryshimet e kufijve në Bosnjë. Kurse mund të përfundojnë në dëm të shqiptarëve, nëse Serbia, Rusia, Franca etj., do të arrijnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin me anë të shqiptarëve. Angazhimet e opozitës shqiptare në Kosovë, e në mënyrë të veçantë sekta okulte e Albinit, po angazhohen për destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit. Demarkacioni dhe Asociacioni janë vetëm pretekste.