Putin takim vetëm dy minuta me Macron, refuzoi të hajë drekën në Pallatin Elysee

01.10.2019 23:22:32

Presidenti rus Vladimir Putin foli shkurtimisht me homologun e tij francez në dalje të kishës Saint-Sulpice në qendër të Parisit, gjatë shërbesës për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Jacques Chirac.

Putin bisedoi me liderin francez Emmanuel Macron për rreth dy minuta dhe më pas u drejtua drejt makinës së tij.

Presidenti rus nuk mori pjesë në drekën e organizuar nga Pallati Elysee, në të cilin morën pjesë krerët e shteteve dhe qeverive që erdhën për të nderuar ish-presidentin e ndjerë francez.

Pallati Elysee tha se “Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në drekën e pallatit për shkak të detyrimeve të tij.”

Ceremonia e lamtumirës së Chirac u mbajt në Kishën Saint-Sulpice në Paris, përcjell oranews.tv.

Në këtë ngjarje morën pjesë miq të politikanit, Macron me gruan e tij Brigitte, kryeministri francez Edouard Philippe dhe anëtarët e qeverisë franceze.

Një numër i madh i delegacioneve të huaja mbërritën në Paris. Rusia përfaqësohej nga Presidenti Vladimir Putin.

Chirac vdiq në 26 shtator në moshën 86 vjeç. Ai ishte president i Francës nga viti 1995 deri në 2007. Ai ishte kreu i fundit i shtetit francez që përfundoi dy mandate në detyrë.