PZAP hedh poshtë ankesën e NISMA-AKR-PD, lidhur me fletëvotimet nga Serbia

25.10.2019 15:47:41

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, ka bërë të ditur se në seancën e mbajtur më datë 25.10.2019, ka shqyrtuar ankesën: Anr.378/2019, e paraqitur nga subjekti politik Koalicioni NISMA-AKR-PD, të datës 24.10.2019, me të cilën kanë kërkuar nga PZAP-ja që të aprovojë ankesën e këtij subjekti dhe të urdhërohet KQZ-ja, që të anulojë – përjashtojë nga rezultati i numërimit në tërësi grumbullin e fletëvotimeve të ardhura nga Serbia.

Gjithashtu, sipas një njoftimi në faqen zyrtare të PZAP është shqyrtuar edhe ankesa: Anr.377/2019, e datës 23.10.2019, e parashtruar nga Veton Berisha – Kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), paraqitur kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me anë të së cilës ka kërkuar, që të urdhëroj KQZ-në  për rinumërim të 198 vendvotimeve, të cilat nuk kanë qenë të përfshira në rinumërimin nga ana e KQZ-së, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës të datës 06.10.2019.

Në këtë drejtim, siç është thënë në fund të njoftimi, “të dy ankesat janë hudhur të palejuara”.