Qamil Bajraktari i Therandës (Suharekë), deputet i Kuvendit të Kosovës në vitin 1989

09.07.2018 14:59:12

  (Fragment nga libri „Familja Bajraktari e Therandës (Suharekës) -Autore: Naxhije Doçi, – Botim 2009 – Prishtinë)

                                                

Nga Naxhije Doçi

Qamil Bajraktari është i lindur më 27. 11. 1952 në Therandë. Shkollën fillore e kreu në Therandë me sukses shumë të dalluar, ndërsa të mesmen në Prizren. Qamili e ka të kryer Fakultetin Teknik-Drejtimi i makinerisë më 1977, kur edhe është punësuar si inxhinier i makinerisë në Fabrikën “Ballkan” në Therandë.

Qamil Bajraktari zgjedhet deputet i Kuvendit të Kosovës në vitin 1989, i propozuar nga kolektivi i Fabrikës “Ballkan“ të Therandës, si punëtor i dalluar për profesionin e vet të inxhinierit. Në fillim, Qamili nuk kishte dëshiruar që ta pranonte kandidimin për deputet në Kuvendin e Kosovës në rrethana të okupimit klasik serb. Kishte konsideruar se zgjedhja e tij për deputet në një organ, që sa herë të donte Serbia do ta manipulonte pa hezitim, do të ishte kompromitim i madh për të dhe për Familjen Bajraktari në përgjithësi. Megjithatë, Qamili kishte pranuar zgjedhjen për deputet në Kuvendin e Kosovës, se kishin ardhur kohë sfidash dhe sakrificash të reja, kur kërkohej përballje në mënyrë institucionale me padrejtësitë e pushtuesit serb në Kosovë.

Konstituimi i Kuvendit të posazgjedhur të Kosovës ishte bërë me 4 dhjetor 1989, me mandat katërvjeçar. Sipas Qamilit, që në mbledhjet e para të Kuvendit të Kosovës, Serbia përmes qarqeve serbe e proserbe në Kosovë i kishte bërë presion të madh Kuvendit për të punuar të ashtuquajturat “Ligje unike“, sipas ndryshimeve kushtetuese të 28 marsit 1989 në Serbi.  Gjithnjë sipas Qamilit, interesat e Serbisë për ndryshime kushtetuese në Kosovë ishin që Krahina Autonome e Kosovës, në kuadër të Federatës jugosllave, të mos ketë më Kushtetutë, por të ketë Statut, si akt më të lartë juridik. Duke e bërë një rregullim të tillë juridik, Kosova detyrimisht do të përfundonte brenda sistemit juridik të Serbisë. Mbi bazë të ndryshimeve të tilla, fillimi i vitit 1990 karakterizohet me ngjarje të shumta dhe të dhembshme për fatin e Kosovës, si:

Për ngjarjet tragjike që kishin ndodhur në Kosovë gjatë janarit 1990, Kuvendi i Kosovës kishte debatuar më 6 shkurt të po atij viti. Konstatim i përgjithshëm i deputetëve shqiptarë në Kuvend kishte qenë se policia serbe, në mënyrë të veçantë, por edhe në kuadër të policisë federative, po bënte terror shtetëror mbi shqiptarët e Kosovës. Deputetët shqiptarë në Kuvendin e Kosovës, e bashkë me ta edhe Qamil Bajraktari, kishin kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të terrorit policor mbi shqiptarët e pafajshëm dhe të pambrojtur të Kosovës. Përkundër kësaj, deputetët serbë, si edhe shumë deputetë të tjerë jo shqiptarë, e kishin arsyetuar ndërhyrjen e policisë serbo-jugosllave kundër popullatës shqiptare, se kinse policia po e mbronte ligjin dhe rendin kushtetues në Jugosllavi.

Sipas Qamil Bajraktarit tÇ Therandës, deputetët shqiptarë në Kuvendin e Kosovës të vitit 1990 kishin kërkuar për futjen në rend të ditës edhe të inisiativës për nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës. Me Kushtetutën e re të Kosovës ishte planifikuar avansimi i pozitës kushtetuese të Kosovës nga Krahinë autonome në Republikë të Kosovës, e barabartë me të gjitha republikat të tjera të federatës së atëhershme jugosllave. Populli shqiptar në të do ta merrte statusin e popullit dhe jo të ishte kombësi ose pakicë kombëtare. Gjithnjë sipas Qamilit, në pamundësi marrëveshjeje për rend të ditës, për tri ditë me radhë pa ndërprerë ditë e natë – 20, 21, 22 qershor 1990, sa kishte zgjatur mbledhja e Kuvendit, në fund ishte vendosur që mbledhja e ardhshme të vazhdohej më 2 korrik 1990. Kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës, serbi Gjorgje Bozhoviq i kishte lajmëruar një ditë më vonë për shtyerje të mbledhjes së Kuvendit, më 5 korrik 1990, në ditën kur e kishte caktuar mbledhjen edhe Kuvendi i Serbisë. Deputetët shqiptarë e kishin respektuar vendimin, që ishte marrë në Kuvendin e Kosovës, që seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës të vazhdonte më 2 korrik 1990.

Qamil Bajraktari deputet i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikutdhe i Kushtetutës së 7 shtatorit (Kaçanikut) më 1990 

     

2 Korriku-1990

           Data 2 Korrik 1990 ishte shumë e rëndësishme për historinë më të re të Kosovës dhe për popullin shqiptar të saj shumicë. Në këtë ditë, në rrethana të jashtëzakonshme, nga deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës u miratua Deklarata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Sipas Qamil Bajraktarit edhe më 2 korrik 1990 deputetët shqiptarë, si zakonisht në caktim seancash për mbledhje të Kuvendit, ishin mbledhur me kohë para Kuvendit të Kosovës. Nuk kishin mundur që të hynin se policia serbe i kishte mbyllë dyert e Kuvendit të Kosovës, që në orët e hershme të mëngjesit, duke e largua policinë e Kosovës, që deri atë ditë e kishte siguruar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Deputetët shqiptarë kishin bërë përpjekje të shumta për të intërvenuar te Kryesia e Kosovës dhe të Qeveria e saj, që të hapeshin dyert e Kuvendit për të hyrë deputetët brenda, por kishte qenë e kotë.

Duke  parë se nuk kishte më shpresa për të hyrë në Kuvend, siç hynin zakonisht në caktim seancash, deputetët shqiptarë kishin vendosur që mbledhjen ta mbanin para dyerëve të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Sipas Qamil Bajraktarit mbledhja ishte mbajtur në orën 12, në këmbë dhe në formë rrethi, ku ishte miratuar njëzërit rendi i ditës.

Pika kryesore e rendit të ditës, që iu kishte interesuar më së shumti deputetëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, kishte qenë iniciativa për nxjerrjen e Kushtetutës së Re të Kosovës. Kjo pikë kishte përfshirë edhe miratimin dhe shpalljen e Deklaratës Kushtetuese, me të cilën anulohej pëlqimi i Kuvendit të Kosovës i 23 marsit 1989, për amandamentet e Kushtetutës së Serbisë. Përmes një anulimi të tillë Kosova bëhej e pavarur nga Serbia, si njësi e barabartë me të gjitha republikat të tjera në federatën jugosllave.

Gëzimi i shqiptarëve të Kosovës për shpalljen e Deklaratës Kushtetuese ishte ngulfatur që në start nga Serbia pushtuese, thotë Qamili. Pas tri ditësh, më 5 korrik 1990, Kuvendi i Serbisë kishte marrë vendim për ndalimin e punës së Kuvendit të Kosovës, të Qeverisë dhe të tërë administratës së Kosovës. Të njëjtën ditë policia serbe e kishte okupuar Radiotelevizionin e Prishtinës, për ta mbajtur të tillë për shumë vjet. Pas disa ditësh kishte filluar edhe thirrja e deputetëve shqiptarë në policinë serbe, në të ashtuquajtura biseda informative. Disa deputet edhe i kishin paditur në gjyq për t’i gjykuar në gjykatat e Serbisë.

Qamil Bajraktarin e kishin ftuar në stacion të policisë në Therandë më 7 gusht 1990, në orën 1200 dhe ai iu kishte përgjigjur thirrjes në orën e caktuar. E kishin ftuar edhe herave të tjera pasuese dhe në të gjitha takimet e kishte marrë në pyetje inspektori i sigurimit serb, Millorad Nesheviq, i cili e kishte kërcënuar dhe maltretuar shumë Qamilin për punën e Kuvendit të Kosovës.

Përgatitjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës e kishte punuar Komisioni për çështje kushtetuese, ndërsa mbledhja për miratim ishte bërë më 7 shtator 1990 në Kaçanik, larg syrit të pushtuesit serb, dhe që kishte zgjatur një orë të plotë. Rendi i ditës ishte aprovuar pa vërejtje nga të gjithë deputetët. Kur kishte ardhur te rendi i ditës miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të gjithë deputetët ishin ngritur në këmbë dhe me aklamacion e kishin miratuar shpalljen e Kosovës Republikë. Ky kishte qenë momenti më i gëzueshëm dhe më krenar për Qamil Bajraktarin, sepse të jesh pjesë e shpalljes së akteve historike për kombin dhe për shtetin tënd është privilegj i rrallë dhe i papërsëritshëm në jetë.

Largimi përkohësisht i deputetit Qamil Bajraktari nga Kosova më 1990

Thuaja se të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të vitit 1990, pas mbledhjes së 7 shtatorit 1990 në Kaçanik, ishin larguar nga Kosova. Deputeti Qamili Bajraktari ishte larguar nga Kosova vetëm kur i kishin thënë, se një veprim i tillë është për të mirën e Kosovës. Menjëherë pas shkuarjes së tij në Zvicër, policia serbe e kishte kërkuar disa herë Qamilin në shtëpi dhe ia kishte bastisur dhe demoluar pamëshirshëm shtëpinë.

Jeta në egzil për Qamil Bajraktarin kishte qenë jetë pune me angazhime të shumta. Në muajin qershor 1991 Qamili nga Zvicra kalon në Slloveni, ku ishin përqëndruar dhe kishin vepruar edhe shumica e delegatëve në atë kohë. Në Slloveni delegatët e Kuvendit të Kosovës kishin mbajtur disa seanca, ku ishin marrë vendime të rëndësishme për vazhdimin e formave të rrezistencës ndaj okupatorit serb në Kosovë, si edhe për organizimin e jetës në institucionet e Kosovës. Pas zgjedhjeve të reja në Kosovë, shumë delegatë të Kushtetutës së Kaçanikut kishin vendosur që të kalonin me qëndrim në Maqedoni, që të ishin më afër Kosovës dhe më afër familjeve të tyre.

Për më tepër se dy vjet, sa kishin qëndruar deputetët shqiptarë të Kosovës në Maqedoni, strukturat shoviniste të pushtetit maqedonas kishin organizuar shumë herë ekspedita policore ndaj tyre. I kishin kontrolluar dhe maltretuar fizikisht e psiqikisht nëpër banesa dhe nëpër stacione të policisë.

Policia shoviniste maqedonase e kishte bastisur dhe maltretuar edhe deputetin Qamil Bajraktari. Kishte qenë 25 qershori 1993, kur policia maqedonase ia kishte mësyer banesës së Qamilit, në komunën Karposh të Shkupit, që ta maltretonte dhe t’ia konfiskonte edhe materialin me vlerë prej deputeti.

E kishin marrë duke e shtyrë me kundak të pushkës dhe e kishin shti në një kombibus me xhama të errët. I kishin thënë se ishte i dyshimtë dhe i rrezikshëm për Maqedoninë, se nuk kishte leje qëndrimi. E kishin provokuar, kërcënuar dhe sharë gjatë gjithë kohës në mënyra të ndryshme vetëm që ta shqetësonin dhe demoralizonin për rolin që e kishte. Në fund e kishin dërguar sërish në banesë që t’i merrte plaçkat, për ta deportuar në Kosovë. Qamili nuk kishte dashur t’i merrte plaçkat e veta, si reagim pse ia kishin konfiskuar materialin me rëndësi të deputetit.

-Nuk më duhen rrobet, më duhen shkresat që m’i keni marrë! – u kishte thënë Qamili policëve maqedonas.

Reagimi i policëve maqedonas kishte qenë edhe më i ashpër për guximin e treguar të Qamilit. Duke e shtyrë me shpejtësi në kombibus për ta dërguar sërish në stacion të policisë, që t’ia kompletonin dokumentacionin për deportim në Kosovë, atë e kishin lënduar si me qëllim në kokë. Ashtu i lënduar Qamili kishte pritur edhe disa orë nëpër korridoret e stacionit të policisë, pa dashur të kërkonte ndihmë mjekësore prej tyre, për lëndimet që ia kishin shkaktuar.

Për sjelljet shoviniste të policëve maqedonas ndaj delegatëve shqiptarë, reagimet e shqiptarëve të Shkupit kishin qenë të shumta dhe me shqetësime. Fundi kishte qenë heqja dorë nga maltretimet dhe kërkimfalja, se kinse ishte bërë gabim ndaj tyre.

Në reagimin e sërishëm të Qamilit, se ju policët maqedonas e keni ditur prej fillimit se ne jemi deputetë shqiptarë të Parlamentit të Kosovës dhe se po qëndrojmë në Maqedoni me marrëveshje të caktuara, ata nuk kishin thënë asgjë. Vetëm ishin shikuar ndërmjet veti dhe kishin qeshur me satanizëm të theksuar.

Qamil Bajraktari  – Gjate punës si inxhinier i papunë në Kosovën e Lirë