Qartësia e mesazheve të Xho Bajdenit dhe primitivizmi spekulativ i primitivëve politikë e mediatikë

17.08.2016 19:24:00

Nga Rexhep Kastrati

uneEdhe para se të vinte zëvendëspresidenti amerikan Xho Bajden në Kosovë, primitivët politikë, medatikë dhe të tjerë, patën filluar të shpërfaqin spekulime të ulëta lidhur me këtë vizitë: sekta okulte e Albinit dhe AAK kujtuan se mund të mashtrojnë opinionin në llogari të axhendës së Xho Bajdenit në Kosovë, dhe thanë se zëvendëspresidenti amerikan nuk vjen në Kosovë për çështjen e demarkacionit. Spekulime të tilla patën bërë edhe disa portale dhe disa të ashtuquajtur analistë, sikur të varej nga ta axhenda e zëvendëspresidentit amerikan, Xho Bajden gjatë vizitës së tij në Kosovë. Kurse primitivizmi dhe injoranca e tyre arritën kulmin, kur vazhduan spekulimet edhe pasi vizita e Xho Bajden në Kosovë u realizua, dhe kur nëpërmjet gazetarëve përcolli mesazhet e tij shumë të qarta: 1. Të zbatohen marrëveshjet me fqinjët; 2. të luftohet korrupsioni; 3. të forcohet shteti ligjor; 4. ritheksoi dhe rikonfirmoi rëndësinë strategjike që kanë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, etj.

1

Sa u përket marrëveshjeve me shtetet fqinje, Xho Bajden ishte i qartë se ato duhet të zbatohen, pavarësisht sesa të vështira janë ato. Me këtë, Xho Bajden ka ripërsëritur qëndrimet tashmë shumë të qarta të shtetit dhe qeverisë amerikane për çështjen e dialogut Prishtinë – Beograd, për Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. Dhe këto janë detyrat e para që ka lënë ai në Kosovë, nëse do të shprehemi me terminologjinë e filloristëve të gazetarisë. Dhe ky qëndrim i qartë i SHBA-ve, i përsërtiur tash nëpërmjet zëvendëspresidentit Xho Bajden, ka rrëzuar të gjitha spekulimet lidhur me këto çështje, për të cilat spektri politik i renditur në skema dhe skenarë ruso-serb ishte në gjendje të digjte shtetin dhe qytetarët e saj. Por ky qëndrim, nuk do të thotë se kemi hyrë në obligim për të themeluar Asociacionin, siç thotë dikush nga injorantët dhe perversët politikë që nuk përtonte t’i frynte zjarrit, por ky obligim është qysh me Pakon e Ahtisarit dhe Marrëveshjen  e 19 prillit 2013. Pra, nuk është se u bë obligim për Kosovën tash kur këtë e tha qartë Xho Bajden, por ka qenë obligim i hershëm.

2

Lufta kundër korrupsionit është një nga çështjet jetike për vetë shtetin e Kosovës, pasi që e ka penguar dhe po e pengon funksionimin normal të shtetit. Natyrisht se kjo çështje, sikurse çështja e marrëveshjeve me fqinjët, nuk është krijuar tash, por siç po dëshmojnë edhe përgjimet që po publikohen pesë-gjashtë vite me vonesë, është krijuar kaherë. Gjatë kësaj kohe, ndërkaq, ka pasur një angazhim të institucioneve përkatëse për të bërë diçka në këtë drejtim: arrestimi i Azem Sylës dhe i 51 të tjerëve si pjesëtarë të grupit të tij, është një hap që është përshëndetur. Përkundër këtyre, lufta kundër korrupsionit është një nga betejat e vështira për shtetin e Kosovës dhe të institucioneve të tij, pasi që shumica e tyre janë kapur keqas gjatë viteve të kaluara, dhe Xho Bajden nuk kishte si të mos e kishte në qëndër të vëmendjes së tij, bikle dhe ta krahasonte me kancerin. Dhe kur këtë e bën një prind që ka humbur djalin nga kanceri në tru, mund të merret me mend sesa të rrezikshëm e sheh korrupsionin për shtetin e Kosovës, dhe sa të rëndësishme e sheh luftën kundër tij. Por në asnjë rast, Xho Bajden nuk ka mbështetur rrëzimin e Qeverisë, as format e dhunshme që janë praktikuar për ta bërë këtë, siç kanë qejf ta interpretojnë primtivët dhe injorantët spekulativë, që duan të motivojnë njerëzit e tyre të mbetur pa asnjë mbështetje dhe pa asnjë kauzë reale. Xho Bajden ka rrëzuar të gjitha spekulimet e atyre që me dhunë synuan të rrëzojnë Qeverinë dhe të rrënojnë shtetin, apo siç pat thënë dikush nga AAK, se Vetëvendosje ka synuar rrëzimin e Republikës.

3

Sundimi i ligjit, është sine qua non për funksionimin e shtetit dhe të institucioneve të tij, por edhe për funksionimin demokratik të shoqërisë në përgjithësi. Sundimi i ligjit, ndërkaq, është shumë i lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe çkapjes së shtetit, sepse janë ngushtësisht të lidhur me zbatimin e ligjit. Dhe në kuadër të sundimit të ligjit, hyjnë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shtetin, me shoqërinë dhe me ndërtimin e marrëdhënieve institucionale dhe shoqërore, e që kanë rregullim ligjor, prandaj edhe nuk ka mundësi të interpretohet në mënyrë subjektive, klentieliste dhe të interesave të ndryshme të grupeve, klaneve dhe të formave të ndryshme të kundërvënies ndaj ligjit. Në këtë kuptim, edhe format e ndryshme kundërligjore të përcaktimit të funksionimit të institucioneve, të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë edhe format anarksite, të dhunshme deri në kufijtë e terrorizmit që kanë praktikuar partitë opozitare në krye me sketën okulte të Albinit, janë forma që pengojnë sundimin e ligjit dhe cenojnë në përgjithësi rendin juridiko-kushtetues të vendit. Dhe në këtë drejtim, Xho bajden ishte shumë i qartë se nuk përkrahte format e tilla të veprimit politik dhe jopolitik.

4

SHBA-të kanë qenë dhe janë shteti me mik i Kosovës dhe i shqiptarëve, të cilin e konfirmoi Xho Bajden gjatë vizitës në Kosovë. Me këtë ai vetëm sa pohoi atë që tashmë dihet botërisht dhe që është një e vërtetë historike që fillon me Wodrow Wilson – presidentin amerikan të viteve ’20 – ’30 të shekullit të kaluar, e që vjen përgjatë viteve e dekadave deri në ditët e sotme. Historikisht shpresa e shqiptarëve ka qenë te SHBA-të dhe shpresa e shqiptarëve janë SHBA-të, të cilët kanë mishëruar në Deklaratën e Pavarësisë dhe në Kushtetutën e tyre filozofinë e lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë, dhe të cilat kanë mbështetur synimet e shqiptarëve dhe të Kosovës për të qenë të lirë,të pavarur dhe në marrëdhënie institucionale dhe shtetërore dhe demokratike. Në kushtet e shtimit të agresivitetit rus, të terrorizmit dhe të radikalizmit me bazë fetare, rëndësia e marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve bëhet edhe më e madhe, për shkakun se ka një anagzhim të madh të Rusisë dhe të grupeve të ndryshme radikale për ta përfshirë Kosovën dhe shqiptarët në axhendat e tyre kundërshqiptare dhe kundërpërendimore, sidomos kundëramerikane. Në këtë aspekt, kuptimi i anagzhimeve të sektës okulte të Albinit, të kundëramerikanizmit të saj, e aq më tepër i marrëzisë së Albinit që pretendon të caktojë modelin e SHBA-ve sipas kutit të tij, është anagzhim kundër insteresave strategjike të Kosovës dhe të shqiptarëve, dhe kundër marrëdhënieve të veçanta strategjike ndërmjet shqiptarëve dhe SHBA-ve në përgjithësi, dhe kundër marrëdhënieve të veçanta të Kosovës dhe të shtetit shqiptar me SHBA-të.