Qasjet kundërthënëse të një hulumtimi për korrupsionin në universitete!

12.01.2018 14:26:37

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Qendra Qytetare, një organizatë jo qeveritare, pra dhe jo fitimprurëse, pretendon se ka realizuar një hulumtim për shkallën e korupsionit në universitete. Isha i detyruar që të shënoj fjalën paragjykuese “pretendim” saktësisht për të provuar se anketimi, hulumtimi dhe të dhënat e këtij studimi nuk janë bindëse, madje kundërthënie me njëra tjetrën. Sipas të dhënave të këtij hulumtimi, për studimin e fenomenit të korrupsionit në tri universitete, atë të Elbasanit, të Tiranës dhe Durrësit janë anketuar 277 studentë të fakulteteve të ndryshme të këtyre universiteteve. Ndërkaq numri i studentëve vetëm në Universitetin e Durrësit është rreth 19.000. Po të shtosh dhe numrin e studentëve në Tiranë dhe në Elbasan, atëherë shifra trefishohet dhe shkon diku te 60 mijë studentë. Të marrësh një kampion prej 0,46 përqind të tërësisë, sa bëjnë 277 studentët e anketuar, është joprofesionale, jo shkencore dhe për më tepër jorealiste. Prandaj studimi i publikuar si “lajm bombë” në mediat tona është deri diku i zhfleftësuar.

Por një studim serioz do të duhej të saktësonte se sa studentë u anketuan në secilin prej këtyre universiteteve. Sa në Elbasan, sa në Tiranë dhe sa në Durrës. Lënia në hije e këtij detaji le vend për të spekulluar me shifrat. Po ashtu publiku nuk është njohur edhe me një detaj tjetër, se sa studentë e cilit fakultet i përkasin. Edhe kjo një mangësi tjetër që hedh dyshime për vërtetësinë e anketimeve. Shpallja e rezultateve të tilla në mënyrë të përgjithshme duket se është thjesht një konstatim, të cilin mund ta bëjnë gjithashtu njerëzit analfabetë. Por duke lexuar njoftimin dhe “alarmin” për korrupsionin në universitete, gjen dhe pika të tjera të dobëta.

Shifrat e fillimit që qendra publikon kanë të bëjnë me atë se në Elbasan norma e korrupsionit arrin në 77 përqind, në Tiranë 62 përqind dhe në Durrës 42 përqind. Asnjë e dhënë e besueshme nuk shoqërohet për të argumentuar këto shifra. E ndërkohë disa shifra të tjera më poshtë përgenjështrojnë shifrat e mësipërme. Sipas njoftimit të publikuar, 95 përqind e të anketuarve dëshmojnë se rastet e korrupsionit janë anashkaluar, duke mbetur të padresuara. Mirëpo në asnjërin universitet norma e korrupsionit nuk shkon në 95 përqind. Përkundrazi kjo shifër psh në Durrës është 42 përqind, nëse do ta merrnim atë të saktë. Atëherë, nëse 95 përqind e të anketuarve pranojnë se rastet e korrupsionit anashkalohen e nuk adresohen, këta do të duhej patjetër të ishin në listën e pohimit të faktit që në universitete korrupsioni ka një normë përqindjeje prej 95 përqind. Ose njëra, ose tjetra. Kjo pasaktësi hulumtuese e hedh në kosh gjithë studimin,, e bën atë të pavlefshëm, për të mos thënë se ajo është një punë e kryer në zyra dhe madje me papërgjegjësi dhe me papjekuri.

Dhe e meta tjetër thelbësore e këtij hulumtimi lidhet me integritetin e studiuesit, i cili paska shtruar një pyetje të tillë për pedagogët: “Keni hyrë në universitet si tregtarë apo si edukues”?! Së pari akademikët, pedagogët nuk janë as tregtarë, as edukues. Janë shkenctarë! Ata edukojnë dhe duhet të edukojnë me shembullin e tyre prej profanësh. Por edukimi realizohet në arësimin parauniversitar! Së dyti, duhet të kesh guxim të madh t’u bësh këtë pyetje profesorëve që kanë dekada që kontribuojnë në arësimin universitar dhe studimet akademike të këtij vendi. Së treti, hulumtimet nuk bëhen për të treguar se cili nen i kodit penal dënon korrupsionin, por për të evidentuar shkaqet e tij.

Korrupsioni është i papranueshëm. Ai është i dënueshëm. Për mua më shumë se çeshtje penale, korrupsioni është një problem moral. Një professor i korruptuar do të duhej ta dorëzonte diplomën e profesorit ose të doktorit, sepse edhe profesor edhe i korruptuar, këto të dyja janë të papajtueshme me njëra-tjetrën.

Por një studiues i mirëfilltë në analizën e shkaqeve duhet të evidentonte faktin se paga e profesorëve në Shqipëri është më e vogla në rajon, madje dy herë më e vogël se paga e profesorëve të universiteteve të Kosovës! Kjo situatë nuk e justifikon aspak korrupsionin në universitete edhe sikur ai të shfaqet në përqindje shumë, shumë të ulëta. Por është përgjegjësi e qeverisjes që të kujdeset për këtë aspekt. Organizatat Joqeveritare janë pjesë e shoqërisë civile, që i bëjnë oponëncë qeverisjes edhe kur konstatojnë fenomene të tilla në shoqëri. Në rastin konkret duket se studimi i bën fresk qeverisë. Nëse vemë re ligjin për vetingun, në atë ligj janë tre fishuar pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pse ndodhi kjo? Sepse u gjykua se shkak i korrupsionit është gjithashtu trajtimi financiar përbuzës ndaj tyre. E njëjta gjë vlen dhe për stafet akademike. Por nëse një studies, një qendër hulumtimesh nuk merret me këtë pjesë të problemit në Shqipëri, kush tjetër do të duhej ta kryente këtë mission?