Qëlloi me thikë nëntë persona që po prisnin rend para furre buke në Francë, la të vdekur dy prej tyre

04.04.2020 14:12:48

Klientët që po prisnin para një furre buke në Romans-sur-Isere të Francës, janë qëlluar me thikë nga një person, që besohet të jetë një azil kërkues.

Të pranishmit kanë thënë se ai ka thirrur “Allahu Ekbar”, para se t’i qëllonte nëntë persona, derisa së paku dy prej tyre i la të vdekur.

Policia e ka arrestuar të dyshuarin, që besohet të jetë një sudanez në të 30-at. Sulmi po konsiderohet se nuk ishte i provokuar, derisa viktimat ishin vetëm njerëz të pafajshëm që u ndodhën aty në momentin kritik.

Në pamjet e filmuara menjëherë pas sulmit, shihen vetëm autoambulancat që shkojnë për të marrë të plagosurit. Deri më tani, është thënë se njëri prej të plagosurve, është në spital me gjendje kritike.

Ngjarja e rëndë, vjen në kohën kur autoritetet franceze kanë kërkuar që e tërë Franca të mbyllet në karantinë, nga rreziku i përhapjes së coronavirusit.

Zyrtarët e sigurisë, janë duke bërë hetime rreth sulmuesit, derisa nuk kanë dhënë detaje shtesë për viktimat dhe gjendjen e tyre.