Qëndrimi ulur na shkakton probleme me shpinën

31.03.2017 23:33:17

Çfarë duhet të dimë për dhembjen e shpinës:
Vuani nga dhembjet e shpinës dhe duket se kjo gjendje është bërë e paevitueshme. Ndonjëherë edhe palestra apo ushtrimet nuk ju bëjnë efektin e duhur.

Qëndrimi në kompjuter me orë të tëra jua shton dhembjet. Por çfarë duhet të dini më konkretisht? Si duhet të ushtroheni?
Në ditët e sotme janë të shumtë personat që vuajnë nga dhembjet e shpinës. Instruktorët e palestrave këshillojnë që persona me probleme të tilla t’i ushtrojnë ato duke qëndruar ulur, por a është kjo mënyra më e mirë?
Përsa i përket këtij sektori, teoritë e bazuara në eksperiencat e gjithsecilit prej nesh janë të shumta, por teoria shkencore është një e vetme. Le të shohim atëherë se çfarë thotë shkenca.
Fortësia e shtyllës kurrizore varet nga numri i lakoreve që ajo ka.
E parë në një plan anësor, shtylla kurrizore ka tre lakore, dhe çdo njeri që ka një shtyllë kurrizore të tillë ka një rezistencë mjaft të madhe, ndërsa zhdukja e njërës prej këtyre lakoreve çon në një humbje mjaft të madhe të rezistencës.
Çfarë ndodh kur ne ulemi?
Anatomikisht, pjesa fundore e shtyllës kurrizore është e lidhur me legenin dhe në këtë mënyrë varet nga çdo lëvizje e tij. Kur ulemi forma e zakonshme e shtyllës kurrizore ndryshon
dhe për pasojë nga tre lakore që ajo ka në gjendje të lirë kalon në dy, duke i ulur njëkohësisht edhe rezistencën e saj. Një situatë e tillë është padiskutim fiziologjike, por a e imagjinoni dot një situatë të tillë më një peshë sipër kokës?
Në një rast të tillë rezistenca e shtyllës kurrizore do të ulej akoma edhe më shumë, nga 2 lakore në një të vetme.
Me kaq sa u tha më sipër jeni akoma të bindur, se ushtrimet janë më mirë që të zhvillohen duke qëndruar ulur sesa në këmbë?
Pa përmendur pastaj rastet kur ushtrime të caktuar kërkojnë ngritjen e këmbëve, që janë vërtet tepër të vështira për t’u zhvilluar duke qëndruar ulur.