Qeveria britanike kundërshton sërish prekjen e kufijve të Kosovës

05.03.2019 20:19:34
Nga Muhamet Hamiti
Ministri Sër Alan Duncan: “Mbretëria e Bashkuar beson se një marrëveshje e arritur në dialog mbi bazën e ndërrimit të kufijve rrezikon stabilitetin në Kosovë, në Serbi dhe përtej”.
Deputeti John Grogan: “Janë shpenzuar para bukur të mëdha për lobim në Londër dhe gjetiu për këtë çështje” [ndryshim/korrigjim të kufijve].
Dhoma e Përfaqësuesve e Parlamentit Britanik ka zhvilluar sot (e martë, 5 mars 2019) në Londër një debat për marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me Kosovën. Ky ishte debati i tretë i madh i kësaj dhome në 20 vjetët e fundit.
I pari, siç përkujtoi deputeti John Grogan, është mbajtur në hijen e luftës, më 25 mars 1999, një ditë mbasi NATO-ja kishte nisur fushatën ajrore kundër Serbisë. Debati i dytë është mbajtur më 27 qershor 2007.
Debatin e sotëm e drejtoi John Grogan, deputet laburist, që, bashkë me kolegun e tij nga Grupi Gjithëpartiak i Miqësisë me Kosovën, Martin Vickers, konservator, vizitoi Kosovën para dy javësh dhe mori pjesë në festimet e 11-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Kishin takuar Kryeministrin e Kosovës, ministra të qeverisë, deputetë, përfaqësues të tjerë këtu.
Deputeti John Grogan por edhe Ministri i Qeverisë Britanike, Sër Alan Duncan, Ministër për Evropë dhe Amerikat, u shprehën kundër ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
John Grogan tha sot në Parlamentin britanik: “Jam i kënaqur që javën e kaluar Presidenti i Kosovës [Hashim Thaçi] tha se këmbimi i territoreve nuk do të ndodhë kurrë. Para një viti ai fliste për korrigjim kufijsh me Serbinë, por kjo ishte qasje e gabuar. Janë shpenzuar para bukur të mëdha për lobim në Londër dhe gjetiu për këtë çështje, por jam i kënaqur që Presidenti e ka ndërruar qasjen. Kryeministri dhe Parlamenti [i Kosovës] me të drejtë kundërshtonin këmbimet territoriale, korrigjimet e kufijve apo çfarëdo të quhen ato. Këto mund të jenë shumë destabilizuese në Ballkan”.
Ministri i Qeverisë britanike, Alan Duncan, tha se përparim në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të bëhet, por se duhet gjetur zgjidhje optimale dhe të qëndrueshme, pa nguti. Britani e Madhe dhe partnerët, theksoi ai, i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës “të përvijojë hapat që mëtojnë të ndërmarrin të pezullojnë tarifat [për mallërat serbe] dhe të mundësojnë kthimin në dialog.”
Duke u bërë jehonë fjalëve të deputeti Grogan, Ministri Alan Duncan Duncan tha sot në Parlamentin britanik: “Mbretëria e Bashkuar beson se një marrëveshje e arritur në dialog mbi bazën e ndërrimit të kufijve rrezikon stabilitetin në Kosovë, në Serbi dhe përtej”, në rajon.
Edhe Dhoma e e Lordëve (dhoma e lartë) e Parlamentit britanik ka debatuar për Kosovën në fillim të këtij viti.
Më 11 janar 2019, duke folur në këtë debat, Ministri i Shtetit për Komonuelthin dhe Kombet e Bashkuara në Foreign Office, Lordi Ahmad i Uimbëldonit, siguroi lordër britanikë se “Qeveria e Naltmadhnisë së Saj nuk e mbështet rivizatimin e kufijve [angl. redrawing of borders] në vija etnike, dhe se këtë ua kemi bërë të qartë të dyja palëve [Kosovës dhe Serbisë]”.
Qëndrimi britanik kundër prekjes së kufijve të Kosovës ka qenë i pandryshueshëm prej verës së vitit të kaluar, kur u bë publike mundësia e këmbimeve territoriale për marrëveshje Kosovë- Serbi. Një zëdhënës i Foreign Office-it (Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe) u citua prej mediash të huaja të ketë thënë se “normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të bëhet mbi bazën e njohjes së dyanshme të të dyja vendeve në kufijtë ekzistues”.
Vegëza për debatin e sotëm në Dhomën e Përfaqësuesve të Parlamentit Britanik është këtu: