Qeveria dënon sulmin ndaj shtëpisë së drejtorit të RTK-së dhe fton partitë të heqin dorë nga gjuha e dhunës

29.08.2016 10:48:32

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër sulmin me mjet shpërthyes në oborrin e shtëpisë ku ndodhej familja e drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Mentor Shala.

Ky akt kriminal u tha se është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së mediave në Kosovë dhe përpjekje për pengimin e fjalës së lirë, si një prej vlerave më të rëndësishme në shoqërinë kosovare.

“Qeveria e Kosovës fton organet kompetente që të ndriçojnë këtë rast dhe që kryesit e nxitësit e tij të përballen me forcën e ligjit, dhe po ashtu që të merren të gjitha masat për parandalimin e sulmeve të tilla në të ardhmen. Qeveria e Kosovës, po ashtu, shpreh përkrahje të plotë për përfaqësuesit e mediave në misionin e tyre fisnik për informimin e shoqërisë dhe për konsolidimin e fjalës së lirë”, thuhet në reagim.

Qeveria e Kosovës, me këtë rast, i bën thirrje përfaqësuesve të partive politike që të heqin dorë nga gjuha e dhunës, ultimatumet, kërcënimet dhe shantazhet që së fundi i kanë adresuar ndaj RTK-së dhe disa mediave tjera private, të cilat janë pasuar me sulme të tilla.