Qeveria e hapur të diskutojë për demarkacion me të gjitha partitë, riprocedimi s’do të vonohet

14.09.2016 15:42:17

Shefat e grupeve parlamentare kanë mbajtur sot mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, duke shënuar kështu nisjen e sesionit vjeshtor, gjatë së cilës morën vendim që seanca e radhës të mbahet më 22 shtator.

Mirëpo, ndonëse ishte paralajmëruar se demarkacioni do të ishte në rend të ditës në fillim të sesionit, një gjë e tillë nuk do të ndodh, pasi që në seancën e ardhshme nuk do të përfshihet edhe demarkacioni me Malin e Zi.

Ndërkohë që shefi i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka thënë për media se ende nuk janë ftuar nga kryeministri Isa Mustafa për të biseduar rreth çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi e as nuk ka pasur kërkesa të reja nga partnerët e koalicionit qeverisës.

Lidhur me këtë, Faton Abdullahu, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë për Indeksonline se janë të hapur për secilin subjekt të interesuar që të diskutojnë për çështjen e demarkacionit.

 

 

“Ne vazhdojmë të jemi jo vetëm të hapur por edhe kooperativ me të gjithë dhe atë pandalshëm. Do të bëjmë përpjekje që të takohemi me sa më shumë subjekte të interesuar.  Me grupet parlamentare, me deputetë, me qytetarët, me të gjithë faktorët relevant me qëllim që ti shtjerrim të gjitha mundësitë me të vetmin qëllim që të kuptohet drejtë se kalimi i demarkacionit është në interesin nacional të Kosovës dhe në interesin e një jete më kualitative të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Abdullahu për Indeksonline.

Duke folur për datën se kur do të ratifikohet demarkacioni, ai ka thënë se një gjë e tillë nuk do të vonoj shumë dhe do të bëhet.

“Në këtë fazë të zhvillimeve nuk mund ta themi me saktësi, sidomos jo në cilën ditë, do të ndodhë riprocedimi, por ajo që mund të themi pa hezitueshëm është se për shumë arsye riprocedimi i demarkacionit nuk do të vonohet. Kjo do të ndodhë pa prolongime të pajustifikueshme”, ka theksuar Abdullahu.