Qeveria e Kosovës, ende pa qëndrim rreth mbajtjes së zgjedhjeve serbe në...

Qeveria e Kosovës, ende pa qëndrim rreth mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë

18.03.2017 13:12:57

​Zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në Serbi më 2 prill, janë paralajmëruar se do të mbahen edhe në Kosovë, por Qeveria e Kosovës, ende nuk ka marrë asnjë vendim, nëse do të lejojë apo jo mbajtjen e tyre në Kosovë.

Ditë më parë, Komisioni zgjedhor i Serbisë ka marrë vendimin që në zgjedhjet për presidentin e Serbisë, të hapen 90 vende zgjedhore në, siç e kanë quajtur ata “territorin e Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë”, madje, kryeministri aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili është pretendenti kryesor për t’i fituar këto zgjedhje, ka paralajmëruar se do të mbajë mitingje zgjedhore në vendin tonë.

Mirëpo, institucionet e Kosovës ende nuk kanë marrë ndonjë qëndrim konkret nëse do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve presidenciale serbe në Kosovë apo jo.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, njëherit këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, ka konfirmuar përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress, se një qëndrim për këtë do ta marrin javën që vjen.

“Qeveria e Republikës se Kosovës ende nuk ka qëndrim mbi këto zgjedhje, por besoj javën tjetër marrim një qëndrim”, ka thënë Gecaj.

Mirëpo, në anën tjetër deputetët në pozitë e opozitë kanë kërkuar nga institucionet e vendit, përkatësisht Qeveria që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale serbe në Kosovë.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani,  se Kushtetua dhe ligjet e Kosovës nuk lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve të një vendi tjetër në territorin e Kosovës, porse është krijuar një precedent nga e kaluara.

Osmani thekson se serbët që kanë edhe shtetësi të Serbisë, mund t’iu mundësohet votimi vetëm në konsullatën e Serbisë, e cila është hapur në Kosovë në bazë të marrëveshjes në Bruksel.

“Sikur Kosova të insistonte që të respektohen rregullat ndërkombëtare lidhur me këtë çështje do të kërkonte mbi të gjitha që zyra ndërlidhëse e Serbisë që është hapur në Kosovë si pjesë e marrëveshjes Kosovë-Serbi në procesin e dialogut në Bruksel, ajo të ishte e vetmja mënyrë ku qytetarët serbë që kanë edhe shtetësi të Serbi do të mund ta shfrytëzonin të drejtën e tyre për të votuar, por jo të hapen vendvotimet nëpër Kosovë. Assesi një gjë e tillë nuk duhet lejuar, por fatkeqësisht është krijuar një precedent edhe në të kaluarën që janë injoruar gjëra të tilla që janë drejtpërdrejtë shkelje e integritetit dhe sovranitetit territorial të Kosovës”, tha Osmani.

Duke komentuar paralajmërimet se pretendenti kryesor për t’i fituar zgjedhjet presidenciale në Serbi, Aleksandar Vuçiq, se do të mbajë mitingje në Kosovë, deputetja e LDK-së, kërkon që një gjë e tillë assesi të mos lejohet, meqë kjo po shkakton përkeqësim të raporteve ndëretnike.

“Në qoftë se Vuçiqi apo cilido kandidat për president dëshiron ta vizitoj Kosovën, ai duhet të bëhet në përputhje me memorandumin që është nënshkruar më herët mes Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it që kërkesa t’i bëhet institucioneve të Kosovës, dhe për mitingje të tilla assesi nuk duhet të jepnin leje sepse kjo po krijon përkeqësim të marrëdhënieve ndëretnike”, ka shtuar ajo.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë se nëse Qeveria e Kosovës do të luante rolin kushtetues, në asnjë mënyrë nuk do të lejonte mbajtjen e këtyre zgjedhjeve serbe edhe në territorin tonë.

“Në fakt Qeveria ka lejuar në vazhdimësi, po lejon edhe tani, e cila do të duhej të zbatonte Kushtetutën në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës. Nëse Qeveria e Kosovës do të ishte në përputhje me rolin e saj kushtetues, atëherë, Serbia nuk do të mund të mbante zgjedhje brenda territorit të Kosovës, aq më tepër sikur t’i mbante brenda një krahine të saj, në përputhje, për fat të keq, me Kushtetutën e Serbisë, kështu që Qeveria e Kosovës e ka lejuar, jo në pamundësi për t’i ndaluar, por si pasoj dhe rezultat i bisedimeve në mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë në Bruksel. Është e kuptueshme që Serbia tash e ka një territor të lirë të mundësuar nga Qeveria e Kosovës”, është shprehur Selimi.

Selimi shton se kur është në pyetje vota e serbëve të Kosovës që kanë shtetësi edhe të Serbisë, iu mundësohet në të gjitha mënyrat të shfrytëzojnë të drejtën e tyre, porse kur është në pyetje vota e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë, e që janë shumëfishë më shumë, atëherë atyre nuk iu krijohet mundësia ndryshe, pos përmes postës elektronike.

Në zgjedhjet e kaluara që ka mbajtur Serbia, qytetarëve serbë të Kosovës, iu ishte mundësuar nga OSBE-ja votimi në Kosovë, duke e quajtur grumbullim votash, e jo hapje e vendvotimeve, edhe pse në veri ishin hapur vendvotime.