Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

01.03.2017 15:00:42

Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, ka mbajtur mbledhjen e 134-të me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje dhe vendime nga fusha e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit të Projektit për Sigurinë e Ujit dhe Mbrojtjen e Kanalit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. Projekti në fjalë ndahet në dy pjesë, pjesa e parë i dedikohet përmirësimit të kanalit kryesor të ujit, duke filluar nga Ujmani deri në Obiliq, ndërsa pjesa e dytë dedikohet për ndërtimin e një rezervuari të ujit në Mihaliq dhe lidhjen e tij me kanalin e ujit, që do të përdoret për raste emergjente.

Qeveria ka miratuar edhe Nismën për negocimin e “Marrëveshjes për Financim për Projektin e Konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim”, që do të mbështes certifikimin e produkteve për tregje eksporti dhe përforcimin e kapaciteteve të kompanive në orientim kah eksporti. Realizimi i projektit do të ndikoj drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së produkteve që eksportohen nga tregu i Kosovës në tregjet e jashtme.

Po ashtu, është miratuar edhe Nisma për negocimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Teknik për vitin 2016, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë. Marrëveshja përcakton shumën dhe mënyrën e shpenzimit të grantit nga ana e Qeverisë Federale të Gjermanisë, për mbështetjen e sektorëve të rëndësishëm për vendin, përmes kësaj asistence teknike.

Mbështeten projektet e mëposhtme:

1. Rinia, punësimi, arsim dhe aftësim;
2. Aftësia konkurruese e sektorit privat në viset rurale;
3. Mbështetja e procesit të integrimit në BE;
4. Këshillimet rreth reformave në drejtësi dhe administratë;
5. Ngritja e shërbimeve të qëndrueshme komunale; dhe
6. Fondet për studime dhe ekspertë.
Nisma e fundit e miratuar, është Nisma për negocimin e Marrëveshjes së Grantit për Projektin e Rrugëve Rajonale, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që përfshin disa segmente në Gjilan, Ferizaj dhe në Prizren. Brenda marrëveshjes së kredisë, është paraparë angazhimi i një ekipi të konsulencës, për të mbështetur njësinë e implementimit të projektit, që vepron brenda Ministrisë së Infrastrukturës.

Gjatë kësaj mbledhje, është miratuar vendimi me të cilin lejohet regjistrimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës që figurojnë në Regjistrat e Gjendjes Civile por që ende nuk i kanë marrë dokumentet e Kosovës. Sipas vendimit në fjalë, lejohet pajisja me dokumente të shtetësisë dhe gjendjes civile për qytetarët që figurojnë në Regjistrat e Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës, por që ende nuk i kanë marrë dokumentet e Kosovës, por për realizimin e kësaj të drejte, qytetarët që aplikojnë duhet të disponojnë me dokumentet e vjetra që vërtetojnë identitetin e tyre, në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.
Është miratuar edhe vendimi lidhur me udhëzimin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës për regjistrimin e paluajtshmërive në emër të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa theksoi rëndësinë që ka ky vendim për Kosovën.
“Konsideroj se është një vendim i rëndësishëm për ne dhe për Kosovën”, tha kryeministri Mustafa.

Në të ndryshme, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka njoftuar kabinetin qeveritar se është duke u punuar në përpilimin e një vendimi, i cili do të lejonte angazhimin me kontratë të veçantë të disa zyrtarëve në Zyrën për Veteranët e Luftës së UÇK-së në ZKM, të cilët do të merren me lëshimin e vërtetimeve për aplikimin e veteranëve për pensione.

Personat e angazhuar më parë në këtë zyre, iu është ndërprerë kontrata pas dorëzimit të Listave së veteranëve, e kjo ka shkaktuar që një numër i veteranëve të mbesin pa marrë vërtetimet e tyre.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka informuar kabinetin për skadimin e mandatit të bordit që menaxhon Shërbimin Spitalor Universitar të Kosovës dhe punën që po bëhet tash me Zyrën Ligjore për të gjetur zgjidhje adekuate.

Kryeministri ka kërkuar që këto çështje të zgjidhen më shpejtë. “Tash ne duhet të veprojmë më shpejt. Në qoftë se Zyra Ligjore gjen hapësirë për ta shtyrë apo thonë që jo për zgjatjen e mandatit të Bordit, atëherë ne duhet të vijmë shpejt me propozime në mënyrë që të zgjidhet Bordi, vetëm të përgatiten propozimet sipas përfaqësimit që kanë institucionet shëndetësore”, tha kryeministri Mustafa.

Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës